Andej-Këtej

Si të hash akulloren - Nga Umberto Eco

Kur isha i vogël, fëmijëve u bliheshin dy lloj akulloresh që shiteshin në ca karroca të bardha me kapakë ngjyrë argjendi: ose me kaush dy lekësh, ose me vafer, katër lekëshe... Gjyshja na këshillonte të mos e hanim kaushin deri në fund, ta hidhnim fundin majuc sepse ishte prekur nga dora e akullorexhiut (megjithatë, kjo ishte pjesa më e mirë, më kërrce, e hanim fshehurazi, duke u shtirur sikur e kishim hedhur).

Vaferi katër lekësh përgatitej nga një makinë e veçantë, edhe ajo ngjyrë argjendi që shtypte një seksion cilindrik akulloreje mes dy sipërfaqesh të rrumbullakta paste. E kalonim gjuhën në pjesën e ndërmjetme deri sa të mbërrinte bërthamën prej akulloreje, në këtë pikë akullorja hahej e gjitha, me gjithë pastat mbështjellëse që tashmë ishin zbutur e nginjur me nektar. Gjyshja nuk kishte ndonjë këshillë për të na dhënë: teorikisht, vaferi ishte prekur vetëm nga makineria, praktikisht, akullorexhiu e kishte marrë në dorë për të na e dhënë, por nuk mund të identifikohej zona e prekur.

Unë isha i magjepsur nga disa bashkëmoshatarë të mitë, prindërit e të cilëve nuk u blinin një vafer katër lekësh po dy kaushë dy lekësh. Këta të privilegjuar marshonin me një akullore në dorën e djathtë e një në të majtën dhe, duke lëvizur me zhdërvjelltësi kokën, lëpinin herë njërën, herë tjetrën. Kjo liturgji më dukej aq madhërishëm për t’u pasur zili sa shpesh herë kisha kërkuar ta luaja edhe unë. Më kot. Të mitë ishin të paepur: një akullore katër lekëshe dakort, dy dy lekëshe, në asnjë mënyrë. Siç mund ta vërejë secili prej jush, as matematika, as ekonomia, as dietetika nuk mund ta justifikonin këtë refuzim. Bile as higjena, duke parakuptuar se do të hidheshin dy fundet e koneve...

Tani, banor dhe viktimë e një shoqërie konsumi e shkapërderdhjeje (që nuk ishte e tillë në vitet tridhjetë), e kuptoj se ata të dashur që tani nuk janë më, kishin të drejtë. Dy akullore dy lekëshe në vend të njërës katër lekëshe, ekonomikisht nuk ishin shkapërderdhje, por simbolikisht ishin që ç’ke me të. Tamam për këtë i dëshiroja: se dy akullore të sugjeronin teprinë. Tamam për këtë nuk m’i lejonin: pse nuk dukeshin të fisme, se përqeshnin mjerimin, se dukeshin mendjemadhësi e një privilegji të rremë, mburrje me mirëqenien...

Njësoj si prindërit e atyre grykësave dinakë që i kisha zili dikur, qytetërimi i konsumit shtiret sikur të jep më shumë, por, në të vërtetë, për katër lekë, të jep atë që vlen katër lekë. Do ta hidhni tej radion e vjetër të dorës për ta zëvendësuar me atë që premton edhe autorivers, por ca dobësi të brendshme të pashpjegueshme do të bëjnë që radioja e re e dorës të ketë veç një vit jetëgjatësi. Makina e re do t’i ketë ndenjëset me lëkurë, dy pasqyra anësore që rregullohen nga brenda dhe kroskotin prej druri, por do të mbijetojë shumë më pak se e lavdishmja Fiat Cinquecento që, edhe kur prishej, një shqelm e vinte sërish në punë. Por, morali i atyre kohëve na donte të gjithëve spartanë, ndërsa ky i sotmi na do të gjithëve të dhënë pas qejfeve.

*Nga libri "Il secondo diario minimo", 1992