Andej-Këtej

Hiret e detit - Nga Luan Rama

Nga: Luan Rama

U kisha thënë: kur të vdes digjeni trupin tim dhe hirin hidheni në det, jo larg kështjellës së Porto Palermos, atje ku dikur jam mrekulluar me atë gji të vetmuar plot hire me ujin blu. Më së fundi mund të shkonin në zonën e dikurshme ushtarake rrethuar me telat me gjemba. Portat ishin hapur. Imagjinoja mikun tim që hidhte hirin dhe qante për premtimin e dhënë, fjalën e mbajtur, e kjo më mundonte në atë fllad të ëmbël ku endesha, ku era më merrte e më çonte tutje në ujra, ku bija në mijra grimca hiri dhe zhytesha, ngadalë, për të gjetur një strehë të dytë.

Isha unë, kthyer në pluhur, hi si në kohërat biblike, tek zhytesha poshtë bashkë me të gjitha kujtimet e mikut tim, me aventurat e përbashkëta, endjet e mia, dashuritë, prapësitë, klithmat e ëndrrat, puthjen e parë, rrugëtimet, shkrimet aventurat dhe bredhjet në fushat e paanë të dëshirës e të çmendurisë, zbulimet e magjisë së trupit, sensualitetit romantikës së syve, pëshpërimës dhe fjalës së mbetur përgjysmë, nektarit të gojës.

Herë-herë ndjeja plagët, dhimbjet, qortimet e vetvetes, ndërkohë që flladi frynte me përkëdheljet e tij dhe më merrte tutje lehtësisht, si pendet e shpendëve që bien nga lart fluturimit të tyre. Miku im vazhdonte të qante. Hidhte hirin grusht pas grushti nga urna që mbante nën krahë në një vazo porcelani. Oh ç’urnë e rëndë me peshën e plumbit. A nuk shkruhej në librat e shenjtë, në kodikë të purpurt se nga pluhuri vijmë dhe në pluhur do kthehemi? Përse vallë kemi humbur kaq kohë në egoizmin e pashmangshëm për të lënë gjurmë diku, madje fare thjeshtë, kur gjithçka shuhet, harrohet, pasi kjo jetë është padyshim një përjetim, thjesht një vazhdimësi e gjakut, pulsimi i një jete të pambarrimtë nga një pinjoll në tjetrin. Eshtë gjithnjë rikrijimi, fetusi, klithma e dikujt që vjen në jetë pikëtakimi, me Evën, rrugëtimi nën shi, në diell, nën drithmën e rrufeve.

Njeriu, pluhuri, ankthi ekzistencialist dhe imazhet antike që shoqërojnë gjithë këtë udhëtim deri tek ky det apo nën baltë, tokë, në blerinat e së gjelbërtës ku gjithçka tretet barbarisht. Lumturisht njeriu ka rikrijuar imazhin e vetvetes, fotografinë, çka tashmë ata që vijnë mund të shohin sytë e atyre që shkuan. Një muze njerëzor kohrash, dashurish. Ç’ka vallë pas fotografive të vjetra ngjizur në monokrom, në fotografitë e prindërve, gjyshërve, stërgjyshërve, të atyre që jetuan një shekull më parë, imazheve, hijeve që vijnë rrotull gjithnjë ngrehinave tona të kujtesës?

I kisha thënë mikut tim: mos u trishto, kjo jetë është sa e ëmbël aq dhe barbare. Të gjithë janë shuar që nga krijonjësit, nga Eva dhe Adami. Të gjithë shkojnë nga njëri cep i botës tek tjetri nën shikimin e Hënës, nën dritën e bardhë të diellit që përskuqet tek shkon e rivjen. I thashë: le të bëhet ky hi shkumë e këtij deti, le të endet me valën e dallgën që përsëri të puthë brigjet, plazhet, gjiret e vetmuara ku prehen dashuri të tjera në ekstazën e tyre jetësore. Nuk e dua baltën, kafkat, kutitë e kockave, që dhe ato treten një ditë. Ku janë vallë miliarda e miliarda njerëz të humbur në errësirën e natës së madhe ku më kot i kërkojmë fytyrat e Homerit, Sokratit, Safos, Platonit; ku janë eshtrat e Praksitelit ku veç portretet e të dashuruarve i rezistojnë kohës; ku është Da Vinçi, çka mbetur nga hiri i mjeshtrit veç atij guri dhe Mona Lisa; ku janë perandorët e veshur në të purpurt, mbretërit me kurorat e arta, gjenitë e mermerëve antikë, pinjollët e Rilindjes, heronj, republikanë, anarkistë, inkuizitorë…

Asgjë nuk ka mbetur veç pluhuri i paidentifikueshëm i kësaj Toke blu e të gjelbërt që vërtitet pafundësisht në galaksi. Të paktën hiret e detit mund të prekin në breg këmbë të xhveshura, supe e ije mes pëshpërimash dashurie në ekstaze efemere si në letrat e Diderosë për të dashurën e tij, Sofi, mund të prekin duar dhe buzë që ngjizen në një dëshirë përkushtimi ku nuk ka asgjë makabre. Eshtë jeta nën ag, nën diell, nën lumenjtë që rrjedhin nën dritën e kësaj bote që shkon gjithnjë e më larg, s’dihet ku… Eshtë jeta, ngjizur me dashurinë për tjetrin dhe aktin e ndërtimit si një rit i lashtë. Më kot i kërkojmë statujat... Monumentet vdesin gjithashtu. E vetmja gjë që mbetet është përjetimi. Jo më kot në fundin e viteve ’60 u shfaq sllogani: «Mos bëni luftë, bëni dashuri»…