Andej-Këtej

Forca joshëse e Trumpit - Nga Sam Harris

E shqipëroi Arben Kallamata

Prej vitesh jam përpjekur të kuptoj si është e mundur që gati gjysma e shoqërisë amerikane adhuron ose, të paktën, mbështet Donald Trump. Duke dashur të hedh dritë mbi këtë mister kam folur edhe me mbështetës të Trumpit, por ndriçimi nuk ka ardhur që nuk ka ardhur.

Për shembull, një nga të ftuarit e podkastit tim, Skot Adams e përcakton Trumpin si “mjeshtër për të bindur njerëzit”, ndoshta më i miri që ka njohur. Mirëpo problemi është se mua Trump më duket nga njerëzit më pak bindës që kam hasur. Sa herë e shoh kur flet më duket sikur kam përpara një mashtrues të rëndomtë dhe injorant.

Në fakt, Trumpi e ka aq pak idenë se si e gjykojnë besueshmërinë e dikujt njerëz si unë, saqë përpjekjet e tij për t’u dukur i besueshëm, nëse ka të tilla, e bëjnë të duket edhe më qesharak, për të mos thënë i lajthitur.

Prandaj të pretendosh se Trump ka forcë bindëse është njëlloj sikur të thuash që ka trup elegant prej atleti. Për mua argumente të tilla hidhen poshtë pa u shprehur mirë. E, megjithatë, fakti që gjysma e vendit e sheh atë me sy tjetër mbetet i pamohueshëm.

Deri para disa minutash unë i isha dorëzuar idesë që nuk do të isha kurrë në gjendje ta kuptoja përse ndodh kjo. Por tani, krejt papritur, pikërisht në prag të zgjedhjeve të vitit 2020, zbulova se ku qëndron forca joshëse e njerëzve si Trumpi.

Krejt papritur kuptova që atë e mbështesin pikërisht për të metat që ka, dhe jo pavarësisht prej tyre. Këtu qëndron sekreti. Pra kam arritur të kuptoj se pikërisht ato anë të tij që mua më duken si më të neveritshmet, janë anët që të tjerë jo vetëm janë të gatshëm të mos i marrin parasysh, por edhe që në vetvete përbëjnë arsyen për ta mbështetur atë. Këtë nuk kisha mundur ta perceptoja deri pak kohë më parë.

Në podkastin tim jam marrë gjerësisht me të metat e këtij njeriu. Për mua atij i mungojnë të gjitha virtytet për të cilat mund të gjenden fjalë në fjalor - mençuria, kureshtja, shpirtmadhësia, zemërgjerësia, disiplina - çfarëdo vlere pozitive që t’iu vijë në mend, atij i mungon.

Edhe ata që e mbështesin e dijnë këtë, e dijnë që ai është simbol i babëzillëkut dhe narcisizmit, i vogëlsisë shpirtërore dhe keqdashjes - keqdashjes së mirëfilltë. Ai është nga ata njerëz që e kanë urrejtjen të shkruar në ballë. Eshte njeri që s’e ka për gjë t’iu kthehet e t’i baltosë njerëzit për të cilët jo më larg se dje hiqej sikur i adhuronte.

Njeri që, ndërsa kërkon me të madhe besnikëri nga ata që i vijnë rrotull, si tipar thelbësor të vetin ka pabesinë. Dhe të gjitha këto i shfaq hapur. Prandaj edhe e kam pasur të pamundur ta kuptoj se çfarë e bën atë tërheqës për njerëzit.

Por më duket se më në fund e kam zgjidhur enigmën. As vetë nuk e kuptoj përse m’u desh kaq kohë, sepse këto mendime jo vetëm që më janë vërtitur me kohë në kokë, por edhe i kam dëgjuar nga të tjerët.

Fakti është që vetëm tani po e arrij ta shoh si duhet se çfarë tregon piktura që kam përpara syve. Eshtë si një nga ato tablotë magjike, ku ti e ngul shikimin mbi një telajo të mbushur me pika në dukje pa lidhje, në një stereogram të padeshifrueshëm dhe ku, krejt papritur, përpara syve të del një imazh i qartë tredimensional.

Imazhi i forcës tërheqëse të Trumpit mund të kuptohet më mirë i krahasuar me mesazhet që përcjellin kundërshtarët e tij nga e majta. Vetëm kështu mund të arrijmë ta shohim pamjen e vërtetë tridimensionale të tij. Vetëm kështu do të arrijmë ta përfytyrojmë atë si duhet.

Ta fillojmë me gjysmën e pikturës që ka të bëjë me Trumpin. Diçka që Trump nuk e përcjell kurrë, dhe as që është në gjendje ta përcjellë, është ndjenja e superioritetit moral. Këtij njeriu nuk i gjendet asnjë hije ëngjëllore. Edhe kur i përqëndron gjithë energjinë e veta për të nxjerrë në pah vetë-madhështinë, edhe kur kërkon t’i ulë e t’i fyejë ata që e mbështesin, edhe kur e quan veten gjeni, në asnjë nga këto raste ai nuk arrin të përçojë idenë se është më i mirë se ju, më i ditur, më i denjë. Sepse nuk është, dhe këtë e dijnë të gjithë.

Ky njeri s’është gjë tjetër veçse një pirg i llahtarshëm mëkatesh i cili, dhe kjo ka tepër rëndësi, as që kërkon të jetë më shumë. Pikërisht për këtë arsye, për faktin që ai nuk gjykon njeri, sepse nuk është kurrsesi në gjendje të gjykojë njeri, ai i ofron hapësirë të sigurt çdo dobësie njerëzore, çdo hipokrizie apo ndjenje vetë-dyshuese.

Ai ofron atë që asnjë prift nuk është në gjendje ta ofrojë bindshëm - faljen e plotë të ndjenjës së turpit. Pafytyrësia e tij vepron si një ilaç çudibërës shpirtëror. Trumpi është Krishti i trashë. Ai është Krishti që i kap femrat nga poshtë. Ai është Krishti që ha hamburgers sa t’i dojë kokrra e qefit. Ai është Krishti që ta vesh me grusht surratit. Ai është Krishti që u thotë të shporren andej nga kanë ardhur. Eshtë Krishti që s’kërkon ndonjëherë falje.

Tani merreni këtë pamje dhe vëreni përballë gjysmës tjetër të tablosë. Çfarë imazhi vjen nga e majta? Krejt e kundërta. Shenjtërim i plotë, gjykim i pamëshirshëm. Ti nuk je gjëkundi. Ti je fajtor jo vetëm për mëkatet e tua, por edhe për ato të baballarëve të tu. Ti ke në kurriz edhe krimet e skllavërisë, edhe ato të kolonializmit. Dhe po qëllove të jesh mashkull i bardhë heteroseksual, siç dihet mirë që janë kryesisht bërthama e mbështetësve të Trumpit, atëherë ti s’je gjë tjetër veçse një barbar racist, homofob, transfob dhe islamofob. Prandaj hidh poshtë statujat dhe përkule atë mut gjuri.

Kur vihen përballë këto dy imazhe krijojnë një tablo shumë të fuqishme. Të kuptohemi, unë nuk e ve në dyshim se shumë nga ju do ta kenë kuptuar këtë para meje, por për një arsye apo një tjetër m’u bë e qartë vetëm sot.

S’besoj se është e nevojshme të shtoj këtu që vazhdoj t’i përmbahem plotësisht gjithçkaje që kam thënë deri tani për Trumpin.  Une e konsideroj atë krejtësisht të paaftë për detyrën, ndërsa shumë nga të metat e karakterit të tij i shoh si të rrezikshme për shoqërinë.

Unë kam bindjen që duke qënë ai që është ai e ka dëmtuar politikën amerikane dhe e ka ulur imazhin e Amerikës në botë në atë shkallë saqë do të duhen dhjetëvjeçarë për ta riparuar. Prandaj shpresoj sinqerisht që do ta heqim qafe nesër.

Sidoqoftë, tani besoj se kuptoj pak më mirë se përse nuk pajtohet me mendimet e mija gati gjysma e popullsisë së vendit. Dhe kjo më bën të ndihem më pak i hutuar dhe më pak i njëanshëm, ndoshta edhe më pak trap. Dhe ky është padyshim progres.

Marrë nga Podkasti “Making Sense”, Episodi 224, 2 Nëntor 2020