Andej-Këtej

Lotët e Nënës - Nga Kastriot Fetahu

Kurrë, nuk është as e tepërt dhe as vonë, të përqafoni NËNËN tuaj, nëse e keni atë mundësi.

Dita për të udhëtuar Tiranë - USA, erdhi më shpejt nga ç'mendoja, ose më mirë të them se nuk kisha dëshirën të mbrrinte dhe siç bëjmë të gjithë një ditë para, me atë ngarkesën e punëve më të madhe sesa koha na premton, vendosim të lëmë ndonjë prej atyre që "i pret puna", ndërsa unë lashë më shumë se një për të shkuar pranë prindërve të mi.

Nuk e di pse moshat e vjetra mbi 90 vjet, më duken mistike, si institucione bekimi, me atë sjelljen e tyre ku mirësia, vetmohimi dhe sakrifica për të kënaqur fëmijët janë i vetmi gëzim që kanë dhe bekimet që japin, na janë aq të domosdoshme sa i çmojmë sikur të jemi në një tempull fetar, për të marë paqen dhe besimin e dëshiruar për shpirtin tonë të trazuar në çaste të tilla.

Qëndrova një kohë të mirë pranë tyre, duke folur me ata sikur do kthehesha shpejt, për të shtensionuar sadopak situatën.

Hera herës, nëna më përqafonte dhe më thoshte - mos na harro të keqen nëna, se as nuk doja të ikje tani, po zoti ua bëftë dritë juve bashkë me fëmijët e tu, se kjo kohë që erdhi nuk është e mirë që ndan prindin nga fëmija.

Në një çast qëndroi pak, për një frymëmarje të thellë dhe vazhdoi: - po s'paska qënë gjë kjo jetë për ne që u rropatëm si e si të rrisnim fëmijët e t’i kishim afër në pleqëri.

-Plakë- i thashë me një zë që doja të isha sa më bindës dhe pak indiferent për atë, -nuk na mbajti vëndi dhe siç do Ti, të më kesh afër mua, ashtu dua dhe unë të kem pranë fëmijët.

-E di nëna- tha me një zë të ngadaltë, të vrarë dhe si të mendueshëm, që tregonte vuajtjen pse po ikja.

-E di dhe i shkelshin lekët me këmbë fëmija, se shkuan në fund të botës për ato të shkreta lekë, - uroi me dhimbjen brënda fjalëve të saj, nëna ime që kurrë nuk e kisha menduar se do i largohesha kështu një ditë.

Gjatë asaj kohe që ne bisedonim, babai u ngrit dhe më solli një qese me petulla.

-I ka bërë nëna për ty, janë nga ato që të bëja gjithmonë që nga koha kur shkoje në shkollë në Tiranë dhe mos të harrosh petullat e nënës, se në dhe të huaj ku do shkosh, buka është e hidhur, të keqen nëna-, më tha nënokja ime, e cila kish gatuar vetëm për mua, pasi u bë kohë që fuqitë e kishin lënë nga sëmundja, për të bërë gjëra të tilla.

Koha iku shpejt duke biseduar, siç ikën ajo gjithmonë tek prindërit dhe kur erdhi momenti për të dalë nga shtëpia, unë u ndala tek dera për tu ndarë si zakonisht, ndërsa nëna ime, e cila nuk i kishte zbritur shkallët e pallatit prej shumë kohësh nga pamundësia fizike, vazhdoi dhe e bëri këtë duke mbledhur forca që unë si djali i saj nuk i kuptoja, ndërsa si prind kuptova se ato ishin energji të çliruara nga ndjenja hyjnore e mëmësisë për të më përcjellë mua, djalin e saj, në mënyrën më të pamenduar nga unë, në kushtet fizike që ajo ndodhej.

Instiktivisht pa fjalë, i ndoqa pas prindërit e mi derisa zbritëm poshtë në sheshin e pallatit, ku kisha parkuar makinën time.

-Nënë, pse u mundove deri poshtë-, i thashë me një zë ku arrita të dukem normal.

-Të keqen nëna -, më tha-, kur të kthehesh ti, nënën edhe e gjen edhe se gjen, se plakë jam tani unë -!

-Unë zbrita, se lart jam mësuar që të përcjell gjithmonë dhe këtu është ndryshe, prandaj nëna doli që të mbaj mënd aromën e fundit tënden, që ndryshon nga ato kur të puthja sipër te dera e shtëpisë dhe ta kem derisa të jetoj, duke e dalluar nga përcjelljet e tjera, aromën këtu poshtë, nga ajo lart.

U stepa për pak çaste me sy të ngrirë diku pa përcaktim, mu nevojit përqëndrim dhe fuqi, për ti shpëtuar ngashërimit dhe zoti mundi të më ndihmojë duke i thënë - plakëëëë je e fortë ti, do të gjej prapë të fortë, kur të vij nga Amerika dhe do të sjell çfarë të duash, pa harruar kafen -, shoqëruar me të qeshur emocionesh të trazuara, që ishte shumë herë më mirë dhe shpëtimtare për mua, se sa çdo reagim tjetër.

-Nuk do gjë nëna-, më tha, - vetëm të jeni mirë ju, do nëna -, dhe e mbylli me një psherëtimë që më detyroi të kthej kokën duke mos parë sytë e saj të vrarë të vendosur në dy gropëza të thella, në atë fytyrën më shumë se fisnike dhe pse e rreshkur dhe e plakur, aq e dashur për mua.

U takova me babain fillimisht, ashtu siç bëja gjithmonë, pasi nëna ime më merrte si zakonisht dyfishin e kohës, ose më shumë sesa takimi me babain.

Ai nuk foli, përveçse tha një rrugë të mbarë, gjë që e kuptoja mirë pse pas kaq kohësh nuk u përshëndetëm më gjatë, por kohën e përqafimit e zura unë me fjalë, si një nxemje për ndarjen me nënën.

Pasi u ndava nga babai, përqafova për një kohë, që nuk e përcaktova dot si vlerë, nënën, kohë gjatë së cilës, ajo më puthte , më nuhaste nga rrobat dhe thoshte vetëm fjalët, - të keqen nëna bir kudo të më shkosh, dritë ta bëftë zoti ku të shkelë këmba jote -, duke i përsëritur shumë herë, ndërsa unë duke i thënë, - plakë, hë se do vij prapë -, qeshja kot, sa mund t’i thoja e qeshur asaj që bëja, se vetëm qeshje nuk ishte, por nuk kam çfarë emri t’i vendos, për t’i shpëtuar shpërthimit tim, gjë e cila funksionoi me shumë shtrëngesë, jo keq.

U shkëputa me një sforco të madhe nga krahët e nënës, (shkëputje që kërkoi energji të mëdha shpirtërore), dhe hypa e ndeza makinën, pas një "mirjugjetsha" nga unë dhe "rrugë të mbarë të keqen Nëna e Babai" nga Nëna dhe Babai im.

Gati sa të nisesha, pashë nga pasqyra, se nuk mund të shikoja dot ata prindër në atë gjëndje po të ktheja kokën mbrapa, që nëna ime po puthte makinën, duke e mbajtur babai nga krahët.

U nisa ngadalë, kur ata u shkëputën nga fundi i makinës, sikur asgjë nuk është dhe sa hyra në kthesën e cepit të pallatit, ku nuk mundeshin të më shikonin prindërit e mi, u ndala, zbrita, shkova në fund të makinës dhe pashë se vëndi që puthi Nëna ime, ishte i lagur...

Pas pak minutave, një bori e tejzgjatur më solli në vete, se kisha zënë rrugën, e cila vetëm një makinë lejonte të kalonte.

Nuk po shquaja dot para syve të mi, siluetat e fëmijëve që bërtisnin me gëzim, duke luajtur në fushën anës rrugës...

Ashtu i përhumbur, i papërqëndruar dhe i mpirë, u nisa me ngadalë përsëri.

Pas… kisha lënë NËNËN dhe mora me vete nga Ajo, petullat, imazhin dhe... lotët e saj në fundin e makinës sime.

Chicago, 13 Korrik 2020

©Kastriot Fetahu