Andej-Këtej

“Ambasadoret” e punës që nderojnë shqiptarët - Nga Arben Vata

Afërdita Vrajolli, zonja nga Prishtina që menaxhon sistemin e Shtëpive të Pleqve në Stockholm 

Ndryshe nga sa propagandohet që shqiptarët nëpër botë zënë faqet e para të gazetave dhe titujt kryesorë të mediave vetëm për krime apo braktisje të vendit, e vërteta është se ka shembuj të pafund kur vëmendja mediatike në Perëndim fokusohet pikërisht tek kontributet e shqiptarëve në këto vende, jo vetëm në fusha të tilla si sporti, arti e politika, por edhe tek aftësitë e tyre menaxheriale sidomos në fushën e shëndetësisë dhe të shërbimeve sociale. Një shembull i tillë është edhe ai i Afërdita Vrajollit, një zonjë nga Prishtina, e cila së fundmi drejton gjithë sektorin e shërbimit ndaj moshës së tretë në komunën (bashkinë) Nacka të rajonit të Stochholmit, një njësi administrative me më shumë se 100 mijë banorë. 

Gazetat kryesore të qytetit i kanë kushtuar faqen e parë dhe hapësirën kryesorë të tyre Afërditës dhe ekipit të saj, në mënyrën sesi po organizohet dhe menaxhohet fushata për vaksinimin e banorëve të “Shtëpive të Pleqve” në këtë rajon. Vaksinimi i popullsisë me vaksinën kundër virusit Covid-19, është aksioni më i madh social-politik në historinë moderne të Suedisë. Jo vetëm për shkak të faktit se më shumë se 80 % e viktimave të këtij virusi i takojnë moshës së tretë në qendrat e të moshuarve, por edhe për shkak se Suedia ka marrë kritika të forta lidhur me strategjinë që ka ndjekur për të përballuar këtë situatë pandemike, organizimi i punës për vaksinimin në këto qendra merr një rëndësi krejt të vecantë dhe është prioriteti absolut i qeverisë suedeze. Një nga krenaritë e modelit suedez janë edhe qendrat ku banojnë personat e moshuar dhe ti besosh këtë një zonje shqiptare nuk mund të jetë një “dhuratë” apo rastësi, por meritë. 

Përvec aftësive të njohura në fushën e menaxhimit dhe të drejtimit në disa institucione të ngjashme, Afërdita ka edhe “epërsinë” që edukimi i saj përkon pikërisht me mjekësinë. Në kohën kur studionte për mjekësi dhe disa kohë më vonë, ajo ka punuar si infermiere dhe sot nuk e ka problem jo vetëm që të hartojë strategjinë për një mbarëvajtje sa më të mirë të procesit të vaksinimit, por edhe të marrë shiringën në dorë dhe të rreshtohet së bashku me punonjëset e saj për të vaksinuar të moshuarit. Në lidhje me ecurinë e vaksinimit, Afërdita thotë se “procesi ka pasur vështirësitë e veta pasi është dicka krejt e re dhe gjithcka ka ndodhur në pak javë. Eshtë dashur që personeli të mësojë më shumë rreth vaksinës, magazinimit si dhe njohjes së praktikave të detyrueshme mjekësore për të siguruar një proces sa më të mirë dhe efikas. Doza e parë është marrë nga të moshuarit dhe shumica e personelit të shërbimit në këto qendra, ndërsa po përgatisim çdo gjë që duhet për në fazën e dytë të vaksinimit që do të kryhet brenda pak javësh”. 

Në fakt, Afërtita nuk është tip që ka shumë qejf të flasë për mediat për punën që bën apo thënë ndryshe nuk ka dëshirë që të marrë komplimente për mënyrën sesi ajo ka arritur të ketë sukses gjatë karrierës së saj. “Nuk kam bërë asgjë më tepër sesa detyrën për të cilën jam punësuar dhe më është besuar”- shprehet Afërdita ndërsa shton se suksesi i saj si drejtuese ka të bëjë me atë se ajo është shumë korrekte në punë dhe i thotë gjërat drejtpërdrejt. Sipas saj, çelësi i suksesit në punën e saj në sektorin e shëndetësisë dhe shërbimit social, është ndjekja dhe kontrolli i funksionimit të “trekëndëshit” : Kompetencë profesionale- garantimi i funksionimit të të drejtave të pacientit (të moshuarve në këtë rast) si dhe puna e mirë dhe harmonia në grup. 

“Në Suedi, - shprehet më tej ajo- të gjitha organizatat e punës kanë një sistem të menaxhimit të cilësisë që ndahet në fusha të përgjegjësisë, rutinave dhe proceseve. Eshtë jashtëzakonisht e rëndësishme që menaxherët të kenë njohuri për sistemet e menaxhimit të cilësisë pikërisht për organizatën për të cilën punon. Sistemi i menaxhimit të cilësisë duhet të funksionojë në të gjitha nivelet, nga menaxheri i lartë tek punonjësit e rangut më të ulët. Kjo kërkon njohuri dhe një angazhim të madh në të gjitha nivelet. Në kujdesin për të moshuarit, njerëzit punojnë në bazë të tre ligjeve shumë të forta (Ligji për Kujdesin Shëndetësor dhe Mjekësor, Ligji për Shërbimet Sociale dhe Ligjin për Mjedisin e Punës). Këto tre ligje duhet të funskionojnë në sinergji me njëri-tjetrin, por nganjëherë këto përfundojnë në antagonizëm, që do të thotë që ju si menaxher duhet të mbani cdo gjë në ekuilibër dhe harmoni me njëri-tjetrin”.

Por kolege dhe punonjëse që e njohin atë prej vitesh thonë se Afërdita, përveçse drejtuese dhe menaxhere e zonja është së pari kolege dhe bashkëpunëtore e shkëlqyer. Ajo nuk përton që në ditë të caktuara, të heqë kostumin e zyrtares dhe të veshë atë të infermieres për t’i ardhur në ndihmë atyre që kanë nevojë. Sipas tyre, ajo njeh personalisht historitë e çdo të moshuari që vjen në qendër dhe kjo i krijon atyre atë afrimitetin dhe sigurinë për të cilën kanë nevojë në vitet e fundit të jetës. Koleget e Afërditës që e vlerësojnë atë për korrektësinë dhe profesionalizimin në punë, thonë se ajo shkon aty ku ka nevojë për të normalizuar kaosin që jo pak herë mbizotëron në Shtëpitë e Pleqve në Suedi. Kjo ka bërë të mundur që zonja Vrajolli të shënojë në karrierën e saj profesionale një numër të konsiderueshëm pozicionesh drejtuese e menaxhuese në shërbimin social.

E kontaktuar nga kompania private Attendo ajo fillimisht ka kontribuar në disa nga zonat veriore të Suedisë, Östersund, dhe më tej sipas nevojave të paraqitura, në pjesën qëndrore si në Stockholm stad, Tyresö, Värmdo, dhe së fundi në Nacka, një nga bashkitë më të mëdha të rajonit të Stockholmit, ku ajo ka përgjegjësi për më shumë se 600 punonjës. Për shkak të aftësive të saj menaxheriale dhe gjithashtu njohjes që zotëron në fushën e mjekësisë, asaj i është propozuar që të jetë bashkëpronare me një kompani private që operon në fushën e koordinimit të mjekimit për sëmundjet kancerogjene, por ajo thotë se më shumë se gjithçka pëlqen të punojë në terren dhe të jetë përditë në kontakt me personelin dhe të moshuarit që kanë nevojë për shërbim. Dita, siç e thërrasin ndryshe të afërmit dhe miqtë, nuk ka dëshirë të merret me politikë, por shprehet se është e gatshme që me ekspertizën e saj të gjatë të kontribuojë në ngritjen e një sistemi të trajtimit të të moshuarve në Kosovë apo Shqipëri, sipas modelit suedez. 

Afërdita Vrajolli, ka ardhur në Suedi në vitin 1989 në moshën 12 vjeçare sëbashku me familjen. Pas studimeve të larta në Mjekësi në Mittuniversitet, ajo ka kryer një numër të madh trajnimesh në mjekësi dhe sidomos në fushën e menaxhimit dhe lidershipit, duke pasuruar CV e saj profesionale. Por a është Afërdita e vetmja zonjë shqiptare në Suedi që kontribuon në sektorin e shëndetit dhe të shërbimeve sociale, një krenari kjo e modelit të shumëpërfolur suedez? Sigurisht që jo. Ka shumë vajza e zonja të tjera në mbarë Suedinë që ashtu si Afërdita janë “ambasadoret” e punës, ato që na zbardhin faqen ne shqiptarëve jo vetëm në Suedi por edhe në Skandinavi. 

Ndryshe nga sa ndodh në Kosovë p.sh. ku femrat nuk shpesh respektohen, por ofendohen duke u shprehur se “zënë vend sa për 10 burra”, zonja si Afërdita e plot të tjera nderohen e respektohen në Suedi e krejt Perëndimin, pikërisht për punën dhe aftësitë e tyre. Kjo i bën ato që vërtetë të jenë më të nderuara e të respektuara se 10 burra politikanë së bashku, që aftësi të vetme kanë vetëm ofendimin e femrave. Të tilla zonja, janë “ambasadoret” tona dhe jo “gërrnaqet”, siç shprehen në mënyrë të turpshme disa media shqiptare. Pavarësisht disa opinioneve fyese për mërgimtarët, zonja Vrajolli dhe të tjera zonja e zotërinj të nderuar në Perëndim, nuk e ndajnë për asnjë moment Atdheun e kombin nga zemra e tyre, pasi me këtë dashuri për vendlindjen janë rritur. 

Afërdita p.sh, është gjithashtu një shembull i atdhedashurisë dhe një fanatike e simboleve tona kombëtare, të cilat nuk i ndan asnjëherë edhe në ambientet e punës. Në çdo institucion ku ajo ka punuar, një pjesë e konsiderueshme e personelit janë shqiptarë, të cilët ajo thotë se janë punonjës të shkëlqyer. Zonja Vrajolli dhe familja e saj vizitojnë të paktën dy herë në vit Kosovën dhe Shqipërinë, një zakon që ajo thotë se nuk do të ndryshojë përgjatë gjithë jetës së saj. Interesi i saj kryesor në kohën e lirë janë udhëtimet si dhe leximi e sidomos librat që i kushtohen historisë së lashtë, kulturës dhe traditës shqiptare.

©Arben Vata