"Njeriu i pazëvendësueshëm” - Nga Bamir Bebeziqi
- Published in Andej-Këtej

Para disa ditësh, manaxheri ynë kryesor u largua nga kompania, për një tjetër punë. Diçka krejt normale në kapitalizëm, por arsyen që nisa për të bërë këtë shkrim e kam, se ai manaxher mendoi, se duke ikur, punët tek ne do të shkonin keq, pasi ai e quante veten, “të pazëvendësueshëm”.
Më vjen për të qeshur me ish-bosin tim e po dua t’i them sot: “Hej, kompania ka mbi 100 vjet që operon, ndonëse me dhjetra manaxhere kanë ardhur e janë larguar.”
Kur fillova punë për herë të parë në Maj 1986, pata fatin që të punoja me një nga inxhinierët, i cili më ka ndihmuar më shumë profesionalisht. Ai ishte inxhinier Jovan Karanxha. Sapo kisha dalë nga bangat e shkollës e qysh javën e dytë, më emëruan përgjegjës remonti. Inxhinier Jovani ishte përgjegjës i Radiostacionit e krahas punës sime të përditshme, me futi në një projekt që ia kishin ngarkuar si detyrë, për të rregulluar karakteristikat e frekuencës për të tre aparatet transmetuese.
Tani për të patur pak idenë, njeriu dëgjon frekuencat zanore nga 20Hz në 20 Khz e karakteristika e frekuencave duhet të jetë sa më konstante, që as edhe një tingull mos të humbasë, por të dëgjohet. Këtu kishte një problem të madh, pasi në transmetimet e programit kombëtar, frekuencat shumë të ulta, 50 deri 100 Hz nuk transmetoheshin, ato shtypeshin diku. Inxhinier Jovani, më jep disa libra e disa shënime, që ishin mbajtur nga inxhinierët ndër vite, ku dalloheshin disa shkrime të shkruara shumë bukur, me rregull, me skema, me lapsa me ngjyra e këto shënime, i përkisnin inxhinier Rifat Kryeziut, i cili ishte drejtori teknik i Radiotelevizionit Shqiptar dhe kishte punuar shumë vite më parë në Radiostacion.
Duke lexuar shënimet e inxhinier Rifatit, mësova shumë gjëra e bashkë me drejtimin e inxhinier Jovanit, fillova të mbaja shënimet e mia, duke u përpjekur t’i shkruaja sa më bukur, me mendjen që kur brezat e mëvonshëm t’i lexonin, t’u linin të njejtat mbresa, ashtu si unë për inxhinier Rifatin.
Projekti zgjati më shumë se një vit e kur isha në kulmin e punës, më njoftojnë se duhet ta lija përgjysem e do të kaloja përgjegjës turni. U mërzita jashtë mase, sepse nga puna ditën, do të punoja në turn të natës.
Më shumë më vinte keq se ia kisha marrë dorën punës e kisha bërë goxha studim, për përmirësimin e karakteristikave të transmetuesve.
Në një nga ditët e pushimit, nisem në URT të takoj shokët e kolegët e mi atje dhe në byronë e projektimit, ndeshem me kryeinxhinierin e uzinës në atë kohe, Lulzim Berhamin. Inxhinier Luli kishte punuar edhe ai për shumë vjet në Radiostacion. U takuam e ndërmjet të tjerave i them, se më kishin hequr nga puna në turnin e ditës dhe më kishin dërguar në turnin e natës, duke i dhënë të kuptonte, se ikja ime nga remonti, do t’i kriojnte shumë probleme radiotransmetimit.
Inxhinier Luli më dëgjoi e në fund më thote:
“Dëgjo ti çun, po të them diçka nga përvoja ime e gjatë. Punën e një kali, e bëjnë edhe dy gomerë.”
Më është fiksuar ajo histori, isha vetëm 25 vjeç dhe e kujtoj edhe sot e sa herë që dëgjoj dikë, i cili e konsideron veten të pazëvendësueshëm, në mendje më vjen postulati i inxhinier Lulit.
Poshtë është një poezi e shkruar pikërisht për të “pazëvendësueshmin”. Poezia është në anglisht, nuk ka ndonjë tekst të vështirë, por nuk po mundem ta shqipëroj. Është shkruar nga Saxon White Kessinger
“The indispensable man”
Sometime when you’re feeling important;
Sometime when your ego’s in bloom;
Sometime when you take it for granted,
You’re the best qualified in the room:
Sometime when you feel that your going,
Would leave an unfillable hole,
Just follow these simple instructions,
And see how they humble your soul.
Take a bucket and fill it with water,
Put your hand in it up to the wrist,
Pull it out and the hole that’s remaining,
Is a measure of how much you’ll be missed.
You can splash all you wish when you enter,
You may stir up the water galore,
But stop, and you’ll find that in no time,
It looks quite the same as before.
The moral of this quaint example,
Is to do just the best that you can,
Be proud of yourself but remember,
There’s no indispensable man.