Andej-Këtej

“Mein Kampf”: një vështrim personal - Nga Dashnor Kokonozi

Dashnor Kokonozi - Francë

Eshtë cilësuar si libër i keq, veçse kur është fjala për vepra të tilla nuk besoj se ato merren në dorë për të njëjtat arsye sikundër librat që do të lexosh në plazh. Për të mbështetur vendimin e shëndetshëm se ai nuk duhet lexuar, autori i tij cilësohet si psikotik, psikopat, skizofren, pervers seksual, paranoiak etj. Pastaj, askush nuk di të shpjegojë përse pasuesit e tij gëlojnë edhe sot e gjithë ditën!

Ja një i çmendur që nuk doli të jetë

Eshtë tjetër gjë të kërkosh të kuptosh dhe tjetër gjë të përligjësh. Këtë mendim pata para disa muajve ndërsa lexoja librin e Eric-Emmanuel Schmitt “Pjesa e tjetrit”. Origjina hebreje e këtij shkrimtari nuk e pengoi që t’i shohë si krejt të papranueshme idetë se Hitleri ishte një i çmendur. Autori thotë se ai kishte një plan për të mbërritur në pushtet dhe e realizoi atë pa i lëvizur asnjë presje. Tani vonë një komision mjekësh gjermanë deklaroi se nuk kishin gjetur asnjë problem mendor te personaliteti i tij.

Filosemiti Adolf Hitler

Ajo që bie në sy te “Mein Kampf” është se deri në një moshë pak a shumë të rritur, ai vetëm se ndjen neveri për antisemitët. Edhe në fillimet e tij në Vjenë skandalizohet nga artikujt e gazetave antisemite. Por edhe mënyra se si nisi t’i urrejë ata është një rast mjaft interesant studimi. Nuk del kërkund që të jetë motivuar fetarisht ashtu siç ndodh me turmat e antisemitëve të rëndomtë e gjysmakë të cilët në shekuj i shihnin hebrenjtë si “vrasësit e Jezu Krishtit”. 

Gjithçka ndodhi krejt rastësisht, kur një ditë ai pa në rrugë një çifut të veshur me “kaftanin e tij të gjatë dhe me dredhëzat e flokëve” që i vareshin në kokë. Ky është hebreu, pyeti veten dhe pastaj vazhdon: ky është edhe gjerman? (me siguri do të ketë ndeshur ndonje hebre ortodoks)

Kthesa ishte marrë. I përbuz ata se ishin shumë dhe kishin zënë vend në çdo qelizë të jetës, se në afishet teatrale, gazeta, banka kishte vetëm hebrenj, se “për një Gëte kishte njëqind kalemxhinj të tillë”.

Protokollet e Sionit

Këtë tekst të përpunuar në zyrat e policisë cariste Adolf Hitleri e sjell si provë të komplotit çifut për shkatërrimin e qytetërimit. 

Në vazhdim të kësaj logjike të cekët, nuk lë jashtë edhe një argument linguistik edhe më të cekët. Për ta vënë botën më lehtësisht nën sundim, hebrenjtë, sipas tij, do t’u imponojnë të gjithëve të mësojnë një gjuhë universale si esperanto (!?).

Eshtë i pabesueshëm edhe roli që u faturon hebrenjve për të arritur qëllimet e tyre. Citoj: “Ai (hebreu) hiqet sikur u qan hallin punëtorëve... Por nën maskën e ideve sociale fshihen qëllime diabolike...”

Besoj se e kuptuat, po flasim për marksizmin, për mënyrën se si e shkon Adolf Hitleri origjinën dhe rolin e tij.

Thotë se ka lexuar gjithçka marksiste, deri edhe “Kapitalin”: një filozofi (aq sa mund ta quajmë të tillë, thotë) që nuk është asgjë më shumë se një mjet i “çifutit” për të dominuar. Citoj: “Në rrjedhë të viteve ai do të shfarosë përfaqësuesit e inteligjencës, duke u rrëmbyer popujve udhëheqësit e tyre shpirtërorë....”

Ideja duket profetike, por që ka vlera sa për regjimet komuniste aq edhe për atë vetë.

Arianët

“Mein Kampf” i kushton shumë vend arianizmit.  Në logjikën e tij popujt janë ndarë në krijues, depozitues e shkatërrues (arianët krijues, japonezët depozitues, që përdorin shpikjet dhe arritjet e arianëve dhe hebrenjtë si shkatërrues të qytetërimeve).

Duke folur me përbuzje për popullsinë çifute dhe himnizuar atë arjane, Adolf Hitleri në librin e tij hera herës, shtron me ironi të njëjtën pyetje: këta janë vallë populli i zgjedhur?

E pra, ai nuk mund të lejojë ekzistencën e një popull tjetër t’i bëjë hije racës gjermane. Të zgjedhurit e vërtetë janë arianët. Këtu e kam parë gjithnjë burimin e idesë së shfarosjes së hebrejve.

Te “Mein Kampf” ka edhe kapituj të tillë si “Rëndësia e fjalës” apo “Propaganda dhe organizimi”, të cilat të ndihmojnë të kuptosh përse ai ka synuar drejt një stili të thjeshtë, të drejtpërdrejtë, dinamik. Aty për mua janë themelet e një shkence të re, të komunikimit. Duhet pranuar se është arritje e konsiderueshme për një autodidakt si Adolf Hitleri.

Sociologu

Nëpër faqet e këtij libri mund të vëresh se atij nuk i ka munguar talenti dhe syri i mprehtë i sociologut. Në këtë rast kam parasysh analizën që i bën shoqërisë vjeneze të periudhës kur jetoi atje, pra deri në fillim të Luftës së Parë Botërore. Eshtë një periudhë për të cilën ka lënë mjaft shënime edhe S. Cvajg, veçanërisht në librin e tij “Bota e djeshme-Kujtimet e një evropiani”. Por tek lexon Hitlerin e kupton se përshkrimet e Cvajgut duhen kapur me pincë. Cvajgu përshkruan Vjenën e tij, Vjenën gjithë varak të skenave teatrale, sallonet e njerëzve të shquar, festat mondane, flet për kënaqësinë dhe lehtësinë e të jetuarit në të... 

Vjena e Adolf Hitlerit është krejt tjetër gjë, është vendi i mizerjes e papunësisë, i njerëzve të pastrehë, i alkoolit dhe dhunës...

Ishte i majtë apo i djathtë?

Ja një pyetje që besoj se shumë vetë as që do të dëshëronin ta dëgjonin. Problemi është se që në krye e deri në shembjen e tij Nazizmi nuk pushoi së qeni antikapitalist radikal. L. Von Mises (ekonomist i njohur austriak) thotë që më 1944 se Marksizmi dhe Nacional-Socializmi kanë të përbashkët kundërshtimin e liberalizmit dhe mospranimin e rendit social të regjimit kapitalist. Të dy synojnë një regjim socialist.

Më tej ai shton se tetë nga dhjetë pikat e “Manifestit Komunist” u zbatuan nga nazistët me një radikalizëm të tillë që do të linte gojëhapur edhe vetë Marksin.

Pastaj, besoj, kur dy të majtë hyjnë në konflikt, qoftë ky edhe i armatosur, kjo nuk e bën domosdoshmërisht të djathtë njërin prej tyre.

©Dashnor Kokonozi