Andej-Këtej

Për çunat dhe gocat që u deshën e s’u deshën asnjëherë - Nga Marelba Fushekati

Marelba Fushekati - Toronto

"Për të gjitha vajzat që kam dashur dikur". Kështu titullohet dueti aq i bukur, i kënduar në vitin 1984 nga spanjolli Julio Iglesias dhe amerikani Willie Nelson. Përpos muzikës aq të mirë dhe natyrisht performancës së shtuar të këngëtarit spanjoll, që për hir të së vërtetës aq të dashur për audiencën femërore, teksti i këngës është një tribut për vajzat dhe gratë. Për dashurinë e tyre, për mirënjohjen ndaj tyre - të paktën të mirënjohjes së këtyre dy burrave këngëtarë - që diku mes rreshtave, godasin aq mirë me fjalët si më poshtë:

"Për të gjitha vajzat që kam dashur,

që më ndihmuan të rritem,

Ju jam përjetë mirënjohës."

Jeta është e bukur në rreshta këngësh si kjo. Si një copëz arti në kanavacë, ku artisti ka hedhur esencën e asaj çfarë ka dashur të japë. Kështu edhe vlerësimi i dalë nga rreshtat e këngës vjen i ndjerë, sublim, me dorën në zemër, si një gjest i vërtetë prej kalorësi. Dhe faleminderit artistëve, shtresës më të ndjeshme ndër ne që mbjellin atë farën e vogël të mustardës së mirësisë, që pritet të rritet në një pemë të madhe.

Nuk ka qenë përherë kështu. Rreshtat që po hedh në vazhdim ndoshta nuk do t'u pëlqejnë aspak djemve, burrave, qoftë edhe bijve tanë. Por këto rreshta nuk janë vetëm për ta.

Gocave dhe grave të kohës sime, pra kur e mbaj mend veten të rritur e deri në vitet e vona të të qenurit e re, iu është dashur energji shumë e madhe të mbanin staturën e tyre shoqërore në një ambient tejet maskilist. Me fatin në dorë të një shoqërie, e përsëris maskiliste, mbasi nuk gjej dot një ekuivalente tjetër, jetuan dhe formëzuan jetët e tyre, duke friguar për opinionin negativ, gati ti baltoste qoftë edhe për një qemer fustani të ngritur pafajshëm një centimetër mbi gju. Nëse do të mund ti jepja kredite qeverisë shqiptare monopartiake të diktaturës - kjo për hir të brendisë së shkrimit - më duhet të them që në fakt e drejta e femrave ishte primare për atë qeverisje dhe u mëshua me forcë nga liberalët ekstra majtistë në pushtet. Vetem se ky "liberalizëm", përveçse prodhoi një modul aspak femëror të gruas që aspironte lirinë e fjalës dhe të drejta të barabarta, e lodhi më shumë akoma gruan e veshur rëndom keq e po aq varfër, e privoi nga kënaqësitë e vogla të kujdesit vetjak, e tjetërsoi si qenie dhe nuk di pse vazhdimësia e sjelljes në jetë dhe edukimit të djemve të paedukuar nuk u ndërpre. E them këtë, pasi jemi ne gratë që i sjellim në jetë si djemtë dhe vajzat, dhe kemi kontributin tonë në edukimin e tyre.

Është e lehtë të gjesh fajtorin vetëm tek sistemi qeverisës, anipse në ngjizjen dhe kultivimin e vlerave të mirëfillta njerëzore, dakort, sistemi politik ka një ndikim pothuajse absolut, si në rastin e sistemeve diktatoriale. Ky shkrim është i vogël dhe nuk ka për qëllim të gjejë "fajtorët". Vetëm se ngacmimin për të hedhur rreshtat sot e kam të marrë me çfarë ndodh me ne gratë. Kur sjell në vëmendje filmin me Marigonë, se si zonjat e fshatit çirrnin faqet për jastëkun që frynte barkun e Marigosë. Si në filmin e Giuseppe Tornatores, ku Malena e bukur rrihet e qethet nga simotrat e saj. Një farë Maria e Magdalës që kthehet e ritkthehet sërish e sërish.

Oh, trishtim.

Trishtim kur nga e njëjta racë e bukur femërore gjenerohet as më shumë e as më pak e njëjta ashpërsi e parë më së miri tek ata që kanë pasur privilegjin - e përdorur së fundmi gjerësisht si fjalë, dhe ja ku po e përdor edhe unë - nga çunat dhe burrat. Që kishin lirinë të paktën, edhe në kohët më të vështira politike tonat, kur ishim të izoluar krejt dynjaje, të uleshin kafeneve e të tirrnin mes filxhanëve të kafeve, disa nga ata mes grushtave me fara luledielli që hanin qosheve, mendimet e tyre pa fund mbi moralin gocave dhe të grave. Natyrisht, duke u kujdesur të linin pa përfolur nënat dhe të dashurat motrat e tyre, paçka se dikush tjetër si ata, e kryente këtë mision me të njëjtin zell.

Kështu pra shkon kjo punë. Kur vjen dita kur këto goca të urta ose jo, lodhen, e me të drejtë ngrihen të drejtojnë vetë punët dhe jetët e tyre. Pa ndihmë, bëjnë atë çka ato munden ta bëjnë.

Unë nuk mendoj që e ardhmja është vajzë, siç kam parë titullin e një emisioni të respektuar në një nga televizionet shqiptare. As nuk mendoj që e ardhmja është djalë. (Nuk ka ndonjë emision të tillë akoma, noshta nuk do të ketë për një farë kohe.) Ti mëshosh rëndom rëndësisë së një seksi, duke hijezuar tjetrin, mendoj se padashur, e në mënyrë edhe të paqëllimtë, e atrofizon palën tjetër. E ardhmja është e të gjithë njerëzve, që me hirin e Zotit janë krijuar nën qiell. Qofshin këta burra, gra, apo çfarëdo ndjehen dhe janë. Që ngrohen nën të njëjtin diell dhe që kanë njësoj të drejtën hyjnore për të jetuar.

Ligji i dashurisë është më i miri ligj që na është dhënë. Si në vargjet e këngës së Julios. Të cilin gratë vazhdojnë ta duan.

Me meritë.

©Marelba Fushekati