Andej-Këtej

Shënime nga vitet e para në New York City - Nga Albana Lifschin

Albana Lifchin - Charlotte, North Carolina

Në autobuzë e trena nuk ka gjë më irrituese për mua se sa kur hapen dyert dhe brenda vërshojnë gjimnazistët. Kjo ndodh zakonisht në orën 3 pasdite. Është koha kur ata dalin nga mësimi. Më duken si anormal nga trutë. Flasin me zë të lartë bërtasin, përdorin një fjalor që e kanë vetëm “të vetin”, puthen e ngacmohen që nuk di nga t’i shpiesh sytë.

Unë për vete uroj që çdo stacion treni që vjen të jetë i tyre e të më bien veshët e sytë rehat, ose ndryshe duhet të ndërroj tren e autobuz. Asnjë mirësjelle për ata që janë më të vjetër në moshë. Nuk guxon t’u bësh ndonjë sugjerim se kthehen të shikojnë si me habi e ia plasin të qeshurit.

Një herë mbaj mend tek ecnim në trotuar drejt nesh po vinte një burrë ca i moshuar dhe një vajzë adoleshente. Duhet të ishin babë e bijë. I ati seç po i thosh e ajo duke ngritur mjekrën përpjetë, ia ktheu: “Don’t talk to me like that! You are an animal”.

I tha të jatit “kafshë, more! S’kam për ta harruar kurrë atë skenë. Një ditë tjetër në autobuz dëgjoja dy vajza të reja gjimnaziste që flisnin për djemtë, për bojfrendsat e tyre me zë të lartë. Kushdo mund t’i dëgjonte se ç’thoshin. Aty mësova për herë të parë fjalën “hot” që e përsërisnin shpesh. Nuk kishte të bënte me ndonjë tenxhere të nxehtë që mund të përvëloheshin duart, as me ditët e nxehta të verës, asgjë nga këto. Kishte të bënte me djemtë. Hot guys!

Kanë filluar te mësojne “sex education” në shkolla.  Nga një intervistë televizive mësova që kjo praktikë është eksperimentale dhe e diskutueshme. Disa shkolla janë pro, e disa kundra. Ka iniciativa për abstenim. Eh, thosha me vete, a thua kane ndryshuar edhe në vendin tonë vajzat? Se ne në Shqiperi i kapim shpejt ndryshimet.

Por s’mund të më besohet që të kenë ndryshuar kaq shpejt, gjithsesi. Dashuritë madje edhe ato platoniket ne, d.m.th. brezi ynë, i kemi mbajtur të fshehta. Kurse këtu bojfrendsat ua di gjithë familja, motra, vellai, prindërit. Ata shkojnë e vijnë në shtëpi kur janë apo s’janë prindërit aty, hanë pinë... e ku di unë.

Jo, jo, me adoleshencën tonë. Kemi qenë shumë larg. Po më mirë të mos flasim për adoleshencën tonë. Kur kujtoj rininë time më duket sikur shoh një film të largët bardhë e zi.

Bruklin, NY 1996