Andej-Këtej

Fanella blu e Italisë dhe një histori emigranti në Toronto - Nga Bamir Bebeziqi

“Kush dëshiron të fitoje në ndeshjen finale”, pyeta të Premten e shkuar Markun, shokun tim të punës.

Ai përqëndroi shikimin tek unë dhe dallova që sytë e mëdhej shkëlqyen, ndoshta nga që u lagështuan.

“Me zemër jam me anglezët”, më përgjigjet.

“Më shkoi mendja. Fëmijët gjithmonë anojnë nga nëna”, i them.

“Jo”, më thotë, “im atë kurrë nuk ka ngulmuar në dashuritë e mia. Gjithnjë më ka lënë që të gjykoj si të doja vetë”.

***

Në fund të viteve ’50, një grup djemsh ëndërrimtarë nga qyteti bregdetar i Barit në Itali, vendosën të provonin fatin e tyre në Angli. U kishin thënë se në Angli mund të realizohen ëndrrat e dëshirat dhe ashtu u nisën e përfunduan në qytetin e vogël të York-ut, diku në Veri të Anglisë, një qytet me shumë histori dhe për koincidencë, në atë qytet gjendeshin plot rrënoja nga një vendqëndrim romak.

Si vikërkan punët!? Dikur perandoria e madhe shkonte për të pushtuar toka të reja e pas gati 2000 vjetëve, banorët e ish-perandorisë shkojnë për të gjetur fatin e munguar në vendin e tyre, pikërisht atje.

Anglezët në përgjithësi nuk i pëlqejnë pushtuesit, ndonëse i kanë të paktë e ndër të paktët, janë romakët e më pas vikingët e normandët, por djemtë italianë, duke bartur mbi supe si vështirësitë e emigrimit ashtu edhe përçmimin, u integruan në atë qytet të vogël, hapën dyqanet e restorante, bile dashuruan dhe u martuan edhe me vajza angleze, të cilat tërhiqeshin nga bukuria dhe fytyra pak zeshkane e djemve të pjekur prej diellit të fortë të Adriatikut, detit që lagte qytetin e bukur të Barit.

Pikërisht njeri nga djemtë, dashurohet me një vajze angleze e më pas prej dashurisë së tyre, lindin dy fëmijë Marku, në vitin 1964 dhe Ellyn në 1968.

Jeta në York për famijen e vogël ishte si fillim shumë e bukur. Fëmijët akoma kujtojnë kështjellat e kishat e vjetra të York-ut, apo vizitat e shpeshta në plazhet e Barit, pjekjen në diell, ushqimet e shijshme që nonna italiane gatuante, lojrat më fëmijët italianë, histori që vazhdoi deri në vitin 1971.

Një ditë Marku bashkë me nënën e tij vendosën të vizitonin Kanadanë, Toronton. Ishin ftuar nga dy vëllezërit e nënës që banonin prej vitesh atje. Marku i vogël, vetëm 7 vjeç u mahnit nga hapësirat e Torontos, shëtitjet e pikniqet me kushërijtë e tij dhe aty bashkë më nënën, nën ngulmimin e dy dajave, thurën planet, që të lëviznin nga York-u i Anglisë në Kanada.

Vendimi për lëvizjën nuk i erdhi për shtat babait të Markut, pasi ai nuk kishte asfarë njeriu në Kanada dhe largësia do t’i ndërpristë lidhjet me familjen e tij në Itali, por si gjithnjë gruaja është forcë madhe e një ditë vere 1973, një familje e vogël më katër vetë niset me një anije polake nga Liverpooli në Montreal. 9 ditë zgjati udhëtimi, 9 ditë të paharrueshme për Markun e vogël, 9 ditë të mundimshem për babanë e tij.

Jetesa në Kanada nuk ishte e lehtë. Ndonesë dajat i pritën, por si nëna edhe babai i Markut duhet të punonin. Në Angli, nëna e Markut nuk kishte punuar ndonjëherë. Punonte në restorant vetëm babai dhe dilte e tepronte, por në Kanada, jo.

Qysh në fillim familja ndeshet në vështirësi, me lëvizje nga një ndërtesë në tjetrën nga një lagje në tjetrën e femijët rriten nga pak e një ditë si rezultat i lodhjes dhe stresit, si edhe për shkaqe natyrore, nënë e Markut, sëmuret, zuri krevatin e nuk kaloi shumë ajo vdes. Sapo kishte mbushur të dyzetat, në moshën më të bukur ajo iku, duke lëne të shoqin vetëm me Markun 18 vjeçar dhe Ellyn 14.

Ishte e veshtirë për italianin, me shumë pak njohje. Jeta nga pak iu kthye në një ferr. Punonte orar pa orar e ndërkohë Marku largohet një ditë nga shtëpia. I jati mbeti vetëm me vajzën. Të dy fëmijët kishin në gjak artin. Marku kendonte e vazhdon të këndojë edhe sot, ndërsa Elly me shumë përpjekje e me mund u bë një balerinë e Central Opera të Torontos dhe filloi turnetë në shumë vende të botës.

Italiani tashmë në moshë, po ndjente akoma më shumë vetminë. Vajza në Paris njihet me një djalë anglez dhe nuk kalon shumë, ata vendosën të martohen ne Angli. Elly shkoi në vendlindje, në vendin e nënës dhe aty jeton edhe sot me të shoqin dhe një vajze 14 vjeçe.

Marku me ikjen e motrës filloi të kujdesej nga pak për të jatin. E takonte çdo fundjave, por edhe Marku kishte ëndrrat e planet e tij.

U përpoq shumë të bindte të jatin që të martohej, por ai nuk pranonte. U përpoq ta bindte që të shkonte ne Itali, por ai nuk donte.

U përpoq ta bindte që të shkonte ne Angli, të takonte shokët e tij që kishin marrë emigrimin në të njejtën kohë, por jo. Italiani ishte shumë kokëfortë.

Gjithnjë i thoshte të birit që të shikonte punët e tij, se mund të rrinte edhe i vetëm në shtëpi pa problem, pasi kishte një shok të mrekullueshëm, shok që nuk e ndante kurrë, kishte cigaren. Pinte cigare pa pushim. Një ditë, vetëm pak muaj pasi kishte dalë në pension, Marku përpiqet të lidhet në telefon me të jatin. Ai nuk përgjigjej.

Niset me shpejtësi në shtëpinë ku ai banonte, por derën e gjen të mbyllur. Shpërthen derën dhe të jatin e gjen të vdekur...

Marku ka kohë që është martuar e ka jetën e tij, por shpesh është në dilemën e egzistencës e i bën pyetje vetes:

“Çfarë jam unë? Kush jam unë? Nga vij?” - por përgjigjet i vinjë shumë të vakta. Ai nuk e di se nga vjen.

***

Dje në mëngjes shkova të takoja Markun. E pyeta nëse ishte mërzitur për ndeshjen. Ai më thotë që jo, e më hapi përparsen e punës, duke më treguar një bluze të ekipit kombëtar italian.

“Me siguri babai do të gezohej sot, prandaj vesha atë bluze që ai kishte veshur në të vetmen herë që vizitoi Italinë, në vitin 1990, kur Italia luajti në Bari dhe fitoi me Anglinë për vendin e tretë e të katërt. E ruaj këtë bluze si gjë të çmuar, pasi më duket sikur ndjej erën e tij, aromën Barit dhe detit Adriatik…. Babai im duhet të ishte më i vendosur. Ai duhej të më mësonte italishen mua dhe motrës, që kur të shkonim në Bari e të flisnim me shokët e tij, që akoma jetojnë, të komunikonim në italisht.”

P.S. Poshtë është fotoja e bërë dje me Markun, një ditë pasi Italia u shpall kampione e Europës.

©Bamir Bebeziqi