Si e fotografova Mihail Gorbaçovin në Moskë - Nga Dashnor Kokonozi
- Published in Andej-Këtej
Dashnor Kokonozi - Francë
Jam lutur në heshtje për këtë njeri. Më ishte mbushur mendja se do ta vrasin pa e shembur Perandorinë e së keqes. Ai e shembi.
Aty nga viti 1993 u ndodha në një shfaqje të baletit “Zhizel” në Teatrin Bolshoi të Moskës. E tepërt të them se sa shumë kisha ëndërruar të shoh një shfaqje aty. (Pak kohë më parë po ai balet ishte vënë në Tiranë dhe jo pa sukses).
Kam shkrepur katër fotografi nga “Zhizeli” i Bolshoit.
Njërën ndërkohë që kisha zënë vend në sallë. Tamam atë çast ndjeva që njerëzit nisën të pëshpëritnin. Duke e ndjerë se diçka po ndodhte, nxorra aparatin (një Canon me hapje f/2.8 që të shpëton nderin në të tilla raste) dhe po prisja.
Dikur ktheva sytë andej nga i kthyen të gjithë, nga lozha e krahut të majtë dhe aty pashë Mihail Gorbaçovin dhe Raisa Maksimovën që sapo hynë. Pas tyre edhe njerëz të familjes dhe shoqëruesit e tyre.
Askush nuk duartrokiti. Për të mos u bërë qesharak, nuk duartrokita as unë. Arsyen do ta kuptoja më pas.
Gjithsesi ruajta rastin kur filluan duartrokitjen e fillimit të shfaqjes dhe shkrepa aparatin, pa tërhequr vëmendjen e askujt.
Një shkrepje të dytë e bëra gjatë shfaqjes, këtë herë me objektiv nga skena. Një të tretë në përfundim të shfaqjes. Përsëri nga skena. Për një të katërt nuk isha përgatitur.
E kisha ngjeshur aparatin në fund tê xhepit dhe me të përfunduar shfaqja menjëherë nxitova jashtë, aty ku ishte makina e Mihail Gorbaçovit. Qëllimi ishte që të rrëshqisja midis rojeve dhe t’i shprehja admirimin tim.
Ishte e pamundur. Kishte mjaft të tjerë që kishin rendur para meje. Dhe asnjë rus (ruse). Që të gjithë të huaj që thërrisnin: Gorbi, Gorbi!
Truproja hapi një korridor dhe ndërkohë që ai dhe Raisa po futeshin në makinë, nuk më mbetej veçse të nxjerr aparatin dhe t’u bëj një foto. Pjesën tjetër të kohës shihja disa gra angleze qe e preknin si të qe Padre Pio.
Pastaj u ktheva nga shoqëruesja.
- Bota ka shumë burra të mëdhenj i thashë, por jam i kënaqur që më në fund edhe unë pashë një të tillë.
- Eshtë i madh për ju, jo për ne, - m’u përgjigj ajo gjithë urrejtje. Pastaj sikur ndjeu frikë dhe buzëqeshi. Duke e shndërruar gjithçka në një urrejtje disi më të përzemërt për atë që ndryshoi rrjedhën e historisë botërore.
Shtrëngova fort aparatin tim, që të sigurohesha se Gorbin e kisha tashmë aty brenda.
©Dashnor Kokonozi