Andej-Këtej

Dy fermanë, një analogji - Nga Shefqet Deliallisi

Shefqet Deliallisi - Elbasan

Në vitin 1627, një ferman nga sulltani, mbërriti në Elbasan. Pak muaj më parë, një “ferman” mbërriti nga Washingtoni. Dy ngjarjet më ngacmuan për një analogji.

Sigurisht, duke pasur parasysh dy të vërtetat: të gjitha krahasimet çalojnë dhe historia përsëritet.

Fermani i parë

400 vjet më parë, Sulltani me një ferman kërkonte kokën e Mehmet Biçakçiut, një komandanti jeniçerësh nga Elbasani, pas një rebelimi që ai kishte organizuar kundër tij.

Me një stil diplomatik tipik oriental, duke përdorur “karotën dhe shkopin”, përkëdheljen dhe kërcënimin, sulltani i drejtohej ofiqarëve të tij në Elbasan.

Teksti origjinal:

“O ti më i larti i emirëve të mi të ndritur, më i zgjedhuri ndër të mëdhenjtë e perandorisë sime, mbartës i vetive më të pëlqyeshme për mua, mjeshtër i ligjërimeve të shkëlqyeshme, o ti sanxhakbeu im i fuqishëm dhe besnik i Elbasanit Ali, që Allahu i plotëfuqishëm ta shtoftë lavdinë, t’i plotësoftë dëshirat, të ruajtë pushtetin... dhe ju, krerët më të shquar, kadilerët e sanxhakut tim të Elbasanit, zoti ua ruajtë dijet dhe emrin, dhe ju, dijetarët e drejtësisë dhe të urtët, që zoti ua ruajtë virtytet, dhe ju, të nderuarit e popullit, ju agallarët dhe jeniçerët e mi besnikë, dhe ju kështjellarë dhe mbrojtës të kështjellave të mija, që Zoti ua shtoftë zellin dhe vëmendjen.

Kur ky ferman i shkruar me dorën time të lartë të arrijë tek ju, mësoni se me një ferman të mëparshëm perandorak, u kisha urdhëruar ta quanit si detyrën tuaj më të rëndësishme asgjësimin përfundimtar të tradhëtarit të Zotit dhe perandorisë, Mehemet Biçakoglu, që shpirti i tij i qelbur të dëbohej sa më shpejt nga kjo jetë dhe trupi i tij të zhdukej nga kjo tokë. Por për ta sabotuar këtë urdhërin tim të pakundërshtueshëm, përreth tradhëtarit u mblodhën tradhëtarë qe guxuan të thonë se fermani im i shenjtë nuk ishte i vërtetë, por i rremë...

Për tu dhënë fund njëherë e mirë të gjitha sajimeve, po ju dërgoj këtë ferman të dytë.

Pa humbur kohë duke u menduar gjatë, pa lejuar t'iu trembin me llafe, sapo vullneti im i ndritur të bëhet i ditur, urdheroj:

Ti mëkëmbësi im, ju paria e vendit, ju dijetarë të ligjit, mblidhni ushtarët dhe popullin dhe kapni e varni ata që guxuan e thanë se Fermani im i parë ishte i rremë. Urdhëroj që me gjithë mjetet që keni ta kapni tradhëtarin Mehmet Biçakoglu dhe t’ia dorëzoi të derguarit tim...

Sepse nëse vepruat ndryshe, u betohem mbi shpirtin e shenjtë të të parëve të mi të ndritur, do t’ua pres kokat të gjithëve. Dhe mos kërkoni pastaj mëshirë. Asnjë pendim nuk do të pranohet. Ju e keni për detyrë t'i kapni nxitësit e këtyre trazirave, t’ua dorëzoni shpatës së drejtësisë që ata të varen në sheshet e lagjeve tuaja. Ndërsa Biçakoglun duhet t’ia dorëzoni Portës time të Lartë, që të marrë denimin e merituar.

Ky ferman perandorak është vullneti im. Duhet t’i jepni besim të plotë dhe të bëni ashtu siç ai thotë.

I lëshuar në pallatin tim të lumturisë. 

Më 17 sheval të vitit 1003 (1627)”

(Nga arkivi i Dervish bej Biçakçiut nr.150)

Cfarë ndodhi me pas?

Ali pashë Vlora, sanxhakbeu i Vlorës dhe Elbasanit mundi ta shtyjë dy herë me radhë egzekutimin e fermanit për Mehmet Biçakçiun. Kjo për faktin se ai kishte mbështetje të madhe në gjithë sanxhakun.

Vetëm një vit më vonë, Veziri i Madh, një shqiptar nga Ohri, mundi t'i mbushë mendjen atij të shkonte në Kostandinapojë. Atje e vrau.

Fermani i dytë

400 vjet më pas. Një tjetër “ferman”, nga një tjetër “perandori” mbërriti. Një “non grata” nga Washingtoni. Fermani u shpall publikisht në derën e shtëpisë së personit të dënuar.

Si katër shekuj më parë, u përdor stili i “shkopit dhe karrotës”. E ardhmja e lumtur, dhe “bari” që mund të hanim në rast mosbindje...

Fermani mbyllej me një ultimatum një mujor.

Jemi në pritje. Perandoritë janë perandori... Sillen si perandori, sado që kohërat ndryshojnë!

P.S. Në kujtim të Mehmet aga Biçakçiut, një xhami e bukur u ngrit në qendër të Elbasanit 400 vjet më parë. Quhej "Xhamia e Agait". Rezistoi xhamia katër shekuj, derisa regjimi komunist e fshiu nga faqja e dheut...

©Shefqet Deliallisi

Në foton kryesore lart Xhamia e Agait dikur…