Andej-Këtej

Dashuria vdes e fundit (In memoriam 9/11) - Nga Flurans Ilia

Flurans Ilia - Montréal

Asnjëherë nuk e kam kuptuar tërësisht raportin tim të ngushtë me Amerikën. Ose ngaqë ky vend është teje i madh, më i madh se njeriu, ose ngaqë ky tokëzim i njeriut me vendin ka qenë për mua personalisht si rrymë lumenjsh që përçojnë energji. Si ato historitë e dashurisë me rrahje zemre të befta sy më sy. Si puthje me shikim të parë që nuk kanë patur fat të jetojnë gjatë fizikisht me njëra tjetrën, por kanë marrë përmasën e përjetësisë në kujtesën e buzëve dhe jetojnë me njeriun gjer në vdekje e përtej saj.

E kam pyetur veten shpesh për këtë raport të njeriut me një vend përgjatë këtyre njëzet viteve pa mundur të jap një përgjigje të argumentuar përse? Dhe, çdo gjë është histori. Historia është fara e empirizmit që njeriu grumbullon dhe mbart me vete në raport me vendet ku ka jetuar pa kthim dhe ka mbjellë kujtimet e veta. Ka vende të mëdha, të vogla, vende të mbipopulluara, vende të zhvilluara, të prapambetura, vende ku njeriu është më i madh se vendi, edhe hapësira gjeografike që nuk shlyhen kollaj nga pesha e kujtesës.

Amerika është unikale në llojin e vet. Po nuk e ke jetuar, prekur, është e vështirë të shpjegohet ndryshimi. Jam një amator i thekur i rrëfimtarëve të këtij vendi. Dhe rrëfimi im fillon kështu: "Ishte pragu i krishtlindjeve të vitit 1999 kur zbrita në New York city ..." Aty përjetova ndërrimin e shekujve, ndërrimin e zakonshëm të presidentëve, stinëve, pamjen e mentalitetit tim. Pata fatin të ngjitesha edhe në njërën nga Kullat Binjake një natë dhjetori, në një lokal të quajtur "Dritaret e botës" në katin më sipëror të ngrehinës. Një pamje që nuk shlyhet kurrë nga kujtesa.

New York city është qyteti më mbresëlënës në botë. Atë ditë si sot, 11 Shtator i vitit 2001 e kisha lënë me Kenin të takohesha në Time Square. Ditën time të pushimit vija me tren nga New Jersey ku banoja, në New York city, për të blerë CD, libra, apo ndonjë palë pantallona bluxhinsi. E kisha marrë ca si me nge se ishte ditë pushimi, dhe pasi u rrojta, i veshur me xhaketë meshini dhe i parfumuar, flokët me brillantinë, zbres shkallët dhe mu përpara porte më del Loui, kolegu im i punës. I them:

"Jam pushim sot, jam duke ikur për New York."

"Po ç' New York a derëzi, i shikon lajmet?"

"Jo, çfarë ka ndodhur?"

"Hip në makinë."

"Të thashë që nuk kam kohë, dua të kap trenin për New York."

"Ore hip në makinë të thashë se nuk vete dot sot në New York."

Nejse, u binda dhe hipa me mendimin se po më shpinte te stacioni i trenit, kur ai filloi të merrte kthinat e kodrave sipër South Orang prej nga të cilat Manhattan dukej në pëllëmbë të dorës. Nuk më tha asgjë se ç'kishte ndodhur. "Do ta shohësh vet më tha." Te kodrat kishte një si tip belvedere prej ku fanepsej New York. Kishte edhe njerëz të tjerë, shumë njerëz të tjerë dhe u habita si dhe qysh kaq shumë njerëz këtë ditë?

Njëra nga Kullat Binjake ishte goditur me avion dhe tymi që kishte marrë qiellin vinte gjer në shikimin tonë në formën e një habie të çuditshme dhe të papritur. Nuk po kuptonim se çfarë po ndodhte? E kam përjetuar me sy për së largu rrënien e Kullave Binjake nga ajo kodër në New Jersey. Kjo është përvoja ime me 11 Shtatorin, që do të transformonte të gjithë botën dhe ju e dini se si historia rrodhi më pas.

Por unë nuk jam ekspert historie, kam lindur për tu rrëfyer, dhe këtë e bëj për të zbuluar me sinqeritet një pjesë të vetes time në rradhë të parë. Nga ajo ditë kuptova atë thënien latine se "Të gjitha rrugët të çojnë në Romë". Jam njëri prej tyre, një bard që ka kapërcyer kohën e vet për të kuptuar se kam jetuar ndershmërisht ditë si kjo, në historinë e përbotshme brenda kufijve të perandorisë më të madhe të kohës sonë.

Dhe ndihem nostalgjik në ndjeshmërinë time për Amerikën, as më shumë e as më pak, si një rapsod. Sepse më ka dhënë shumë dashuri, adrenalinë, hapësirë të nevojshme, liri shpirtërore, në një kohë të vështirë të jetës time kur të gjitha rrugët më ishin të mbyllura dhe e vetmja rrugë të shpinte në New York. Nuk kam për ta harruar këtë. Dhe ka për të qenë kështu, si një rapsodi e gjatë epokale në jetë të jetëve edhe për shekujt në vijim për njerëz si unë që përpiqen të dëshmojnë raportin e dashurisë me këtë vend edhe njerëzit e tij.

Ndoshta për të tjerë breza akrepat e historisë mijëra mote tutje mundet të dëshmojnë një tjetër lloj historie të ndryshme për një babiloni krejt tjetër? Ndoshta? Për sa më përket mua, jam ky që jam, njeriu që në vigjilie të shekullit pati fatin të pinte një kafe te "Dritaret e botës" ...

11 Shtator 2021

©Flurans Ilia