Zgjedhje kritike për Francën dhe Bashkimin Europian - Nga Auron Dodi
- Published in Andej-Këtej
Auron Dodi - Bon, RFGJ
Francezët mbështetën në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale dukshëm ekstremet politikë. Në balotazh, vota për Macron përballë Le Pen kthehet sërish në votë kyçe për stabilitetin e BE.
Sipas sondazheve në Francë, Emmanuel Macron shkon në balotazhin e së dielës (24.04.) përballë Marine Le Pen me një përparësi të rehatshme prej 13 përqind. Macron prin me 56% të votave. Por vitet e fundit kemi pasur disa rezultate të papritur votimesh, si p.sh. në SHBA dhe në Britaninë e Madhe. Në Francë ka ende shumë zgjedhës të pavendosur. Raundi i parë i votimit në Francë, përfundoi me vetëm katër përqind dallim mes Macron (27,6 %) dhe Le Pen (23,4 %).
Këto rrethana dhe pesha e Francës në BE i shtynë tre kryeministra të Evropës për një hap të pazakontë: me një deklaratë të botuar në disa gazeta evropiane Olaf Scholz, kancelari i Gjermanisë, Pedro Sanchez, kryeministri i Spanjës dhe António Costa, kryeministri i Portugalisë bënë thirrje publike për të votuar për Macron.
Në thirrjen e tyre, tre kryeministrat shkruajnë se vota e së dielës është “kritike për Francën dhe... për secilin prej nesh në Evropë”. Votimin e së dielës, ata e quajnë “zgjedhje mes një kandidati demokrat, që beson se forca e Francës rritet në një Bashkim Evropian të fuqishëm dhe autonom dhe një kandidati të ekstremit të djathtë, që mban haptazi anën e atyre që sulmojnë lirinë dhe demokracinë tonë”. Scholz, Sanchez dhe Costa shkruajnë më tej “populistët dhe e djathta ekstreme e shikojnë Putinin si model ideologjik dhe politik, duke u bërë jehonë ideve shoviniste të tij.”
EVROPA E LE PEN DHE PASOJAT
Nëse zgjedhjet të dielën do t'i fitonte Marine Le Pen, pritet që ajo të ndjekë një politikë të izolimit të Francës në BE. Le Pen kërkon që ligjet francezë të kenë prioritet ndaj atyre të BE, në të gjitha rrethanat. Ajo është skeptike ndaj të huajve. Sipas saj, vetëm ata që janë qytetarë francezë duhet të kenë prioritete të padiskutueshme: p.sh. në aplikimet për vende pune, në përfitimet sociale. Por ky qëndrim bie ndesh me njërin nga parimet bazë të BE: me lëvizjen e lirë të qytetarëve në BE. Ky qëndrim bie ndesh edhe me funksionimin e tregut të brendshëm.
Le Pen është për “Evropën e atdheve”. Franca, e para! Marrëveshjet ndërkombëtare mbështetësit e këtij modeli i shohin me mosbesim, në njëfarë mënyre si komplote konspirativë ndaj atdheut. Kujtojmë në këtë kuadër qëndrimin e Donald Trump ndaj marrëveshjeve ndërkombëtare. “Evropa e atdheve” është një Evropë në të cilën, çdo vend që ka vullnetin të marrë pjesë, mund të marrë pjesë. Pra pjesëmarrja në Evropën e bashkuar kthehet jo në çështje vlerash dhe institucionesh, por marrëveshjesh mes pushtetarëve. Kjo është një Evropë e ndryshme nga ajo që kemi ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore dhe kjo duhet penguar, tha së fundi në mediet gjermane ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn.
Pavarësisht nëse fjala “atdhe” tingëllon si mbrojtje për qytetarin në botën e sotme të trazuar, ky koncept nuk i përgjigjet tendencës së zhvillimit të Evropës në dekadat e fundit. Evropa e sotme është e ndërthurrur dhe përpjekjet për kufij dhe izolim të një shteti sjellin pashmangshëm konflikte.
Me Marine Le Peni, bashkëpunimi gjermano-francez do të pësonte kolaps. Në debatin e vetëm televiziv me Macron të mërkurën (20.04.) Le Pen deklaroi se Gjermania arrin ta zbatojë hap pas hapi vullnetin e saj në BE, kurse Franca, sipas saj, jo. Në mendje të vjen përgëzimi që i bëri Donald Trump Boris Johnsonit për Brexit-in në takimin e tyre të parë: sipas tij, Brexit-i do ta shpëtonte Britaninë e Madhe nga hegjemonia gjermane në Evropë.
EVROPA E MACRON DHE PERSPEKTIVA
Edhe Emmanuel Macron është patriot francez. Por ai mendon se bashkëpunimi ndërkombëtar e siguron më mirë paqen dhe mirëqënien e Francës. Me këtë qëndrim ai radhitet pranë të gjithë atyre që mbështesin bashkëpunimin ndërkombëtar në botë. Macron është mbrojtës i Bashkimit Evropian dhe dëshiron që ta zhvillojë Bashkimin Evropian sipas përfytyrimeve francezë.
Në debatin televiziv të mërkurën (20.04.) me Le Pen, Macron kujtoi përfitimet e Francës nga anëtarësimi në BE. Ai kujtoi p.sh., faktin që Franca nuk kishte prodhuar vetë vaksinë kundër Covid-it dhe e kishte marrë atë nga solidariteti i BE. Ai kujtoi se pasojat ekonomike të pandemisë në Francë u zbutën me fondin miliardësh të rindërtimit nga Covid të BE. Macron është i bindur se Evropa është përgjigja më e mirë edhe për sfidat e digjitalizimit dhe të klimës.
Ai është për vazhdimin e bashkëpunimit me Gjermaninë. “Unë besoj te Evropa, besoj te çifti gjermano-francez”, tha Macron. Në debat ai tha se partneritetin që kishte krijuar me kancelaren Angela Merkel “e vazhdon tani me kancelarin federal Olaf Scholz”. Votimin e së dielës, Emmanuel Macron e quajti referendum për Evropën dhe për lidhjen midis Francës dhe Gjermanisë.
BE PAS PRESIDENCËS SË EMMANUEL MACRON
Me energjinë dhe entuziazmin e tij, Emmanuel Macron ndezi debate në Evropë. Në të njëjtën kohë ai u shqua për këmbëngulje të qëndrueshme për bashkëpunimin me Gjermaninë. Kjo i solli përfitime Francës, Spanjës, Italisë, së fundi me mbështetjen gjermane për borxhe të përbashkët për fondin e rindërtimit nga Covid, të BE.
Por nga ana tjetër, shumë vëzhgues në Bruksel dhe në Gjermani mendojnë se Macron prezantohet si vizionar i Evropës, ndërsa prapa perdeve ndjek pa lëkundje interesat e tij dhe të Francës. Kujtojmë frenimin që i ka bërë ai zgjerimit të BE dhe afrimit me shtete të Ballkanit Perëndimor. Në Evropë mendojnë se këtë ai e bën kryesisht nga frika e kundërshtimeve në Francë.
Macron kërkon me forcë sovranitet evropian. Por shtrohet pyetja a kupton ai me këtë në radhë të parë pozicione përfitimi për industrinë franceze. Në mosmarrëveshjen për avionët e përbashkët luftarakë evropianë me Gjermaninë, Franca ia bllokoi Gjermanisë qasjen në teknologji. Sulmet që Macron bëri më herët kundër NATO-s, të cilën e quajti në vdekje cerebrale, mendohet se synonin edhe një pozicion drejtues ushtarak të Francës në Evropë.
FRANCA PAS PRESIDENCËS (SË PARË) TË MACRON
Bilanci ekonomik e menaxherial i Macron si president do ta justifikonte një mandat të dytë të francezëve për të: pandeminë e Covid, prej valës së dytë, ai e menaxhoi mirë; ai i mbështeti bizneset dhe familjet me subvencione. Ekonomia franceze është në gjendje relativisht të mirë, deri në dhjetor 2021 pati një rritje prej 6,7 përqind; papunësia është në nivelin më të ulët në 13 vitet e fundit: në shkurt papunësia ishte 7,4 përqind. Por shtrenjtimi i jetës dhe inflacioni është problem kryesor edhe për francezët.
Në dallim nga këto fakte, shoqëria franceze të ofron pas pesë vjetësh president Macron një pamje të trazuar: zhgënjimi dhe revolta janë të përhapur gjerësisht në shoqëri. Në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, më shumë se gjysma e elektoratit francez votoi për ekstremet: për ekstremin e djathtë si Le Pen dhe Éric Zemmour dhe ekstremin e majtë, si Jean-Luc Mélenchon. Mbi 32 përqind e francezëve duan madje një president të ekstremit të djathtë, po të mbledhësh votat e Le Pen, të Zemmour dhe të Nicolas Dupont-Aignan. Edhe tani, para raundit të dytë, mbi 43 përqind e francezëve janë të gatshëm të votojnë për ultra të djathtën dhe ksenofoben Le Pen.
I dukshëm është këtu dallimi me stabilitetin që ofroi Gjermania me zgjedhjet parlamentare të shtatorit 2021: votuesit në Gjermani i ndëshkuan ekstremet politikë.
Le Pen është shndërruar në mainstream në Francë, ajo nuk është më gogol për francezët. Nëse ekstremet marrin të njëjtën mbështetje të fortë në zgjedhjet parlamentare në mes të qershorit në Francë, një presidencë e dytë e Macron do të përballet me probleme të rinj.
Të moderuarit, e Majta dhe e Djathta e moderuar, Partia Socialiste e qendrës së majtë dhe Republikanët, janë reduktuar në parti me rëndësi vetëm lokale. Në Francë kemi një zhvendosje të fortë djathtas të elektoratit.
Vetë Macron e nisi si president i qendrës dhe përfundoi si president i qendrës së djathtë. Ai përvetësoi kërkesat e konservatorëve duke hequr taksën për më të pasurit, mbështeti ashpërsimin e ligjit për azilin në Francë, u tërhoq nga reforma e pensioneve vetëm nga protestat masive popullore dhe Covid-i.
Macron gjatë presidencës së tij e shoqëroi dendur etiketa si përfaqësues “i të pasurve”, që u drejtohet me arrogancë të tjerëve. Kjo mund t'ia vështirësojë atij në këtë balotazh mbështetjen vendimtare nga të Majtët, sidomos të Mélenchon. Le Pen u paraqit si përfaqësuese e afërt me hallet e popullit.
Po të kujtojmë që Franca është ekonomia e dytë e BE dhe fuqia e vetme bërthamore e BE, të gjitha këto rrethana nuk janë frymëzuese.
Magjinë e mandatit të parë Emmanuel Macron nuk e ka më. Megjithatë, ai mbetet aktualisht shpresa e vetme për Francën dhe në këtë kuadër për BE. Kështu që suksesi i tij të dielën është shumë i dëshiruar në Evropë.
©Auron Dodi - DW Shqip
Foto kryesore: Reuters/Benoit Tessier



