Lakonizmi - Nga Bamir Bebeziqi
- Published in Andej-Këtej
Në gjimnaz, në vitin e parë, letërsinë na e dha si lëndë profesor Tofik Milaqi. Orët e tij të këndshme të letërsisë, shpesh kishin edhe të papritura. Profesori herë pas here fuste ndonjë temë interesante që libri nuk e kishte. Kujtoj, që një herë na foli për lakonizmin dhe na dha një shembull.
Në një ekspozitë, një helen i tregon një spartani një pikturë, ku paraqitej një ushtar helen mbi një spartan të gjunjëzuar. Duke parë pikturën, spartani thotë:
“Vetëm në pikturë!”
***
Termi apo fjala lakonizëm vjen nga Lakonia, një krahinë në jug të Greqise së sotme, qendra e dikurshme e spartanëve. Spartanët në histori, thuhet se i kanë patur përgjigjet shumë të shkurtra, e prej andej u fut termi lakonik, bile janë disa shprehje klasike lakonizmi, ku po përmend vetëm dy.
Filipi i dytë i Maqedonisë, pasi kishte pushtuar pjesën më të madhe të territorit helen i afrohet Spartës dhe i nis një mesazh:
-A doni që t’ju vij si mik apo si armik?
-As njerin as tjetrin - përgjigjen spartanët.
-Po nëse vi e ju përze të gjithëve?
-Nësë - përgjigjen spartanët.
Propaganda helene, shprehej për spartanët, se flisnin e përgjigjeshin shkurt, për arësye të edukimit të pakët që kishin e fjalorit të cunguar. Kjo ishte një mënyrë për t’u ulur vlerat si luftëtarë, por akoma edhe sot mbetet për t’u verifikuar.
***
Kujtoj në një orë mësimi në English, kishim një shkrim mbi Leninin, i cili i dërgon një letër Krupskajës ku i shkruan:
“Nuk kam shumë kohë të shkruaj shkurt, prandaj po i bie gjatë!”
Pra t’i biesh shkurt kërkon mund e përqëndrim. Spartanët nuk e besoj, se paskan qenë të paedukuar.
Në kohën e sotme, kur çdo gjë është dinamike, kur njerëzit janë gjithnjë në lëvizje, në aktivitet, në punë, në detyrimë familjare, mbetet shumë pak kohë të shkruash apo të lexosh, prandaj në atë pak kohë që ke, do të përpiqesh të lexosh pak nga të gjitha e të shkruash sa më shkurt. Kjo ndoshta ka qenë edhe një arsye që vazhdimisht kur shkruaj, përpiqem të shkruaj shkurt, në respekt të kohës së lexuesit dhe kohës sime të lirë.
***
Shtator, viti 1983.
Duke udhëtuar me trenin e pasditës për në Tiranë, isha ulur me Lol Bixhilin në një sedilje katërshe e përballë na ulet një burrë rreth të pesëdhjetave.
Ishte një burrë i pashëm, veshur shik, me një xhaketë dopiopet, ku kollarja nën jakën e pastër të këmishës ishte lidhur bukur.
Ulet burri e kur treni niset, fillon të bisedojë me ne e ashtu në bisedë na thotë:
-Meqë po më pëlqeni e jeni studentë të rinj, po bëjmë një marrëveshje, unë po flas e ju më dëgjoni.
Filloi të fliste me një dialekt të butë gegnisht për sportin, për librat, për filmat, për ngjarje e nisi të na recitojë poezi përmendësh, pjesë e citate të shkrimtarëve të mëdhej shkëputur nga librat që i kishte regjistruar në një kujtesë të mrekullueshme, apo dialogje filmash. Ai burrë kishte qenë edhe sportist, kishte luajtur edhe me ekipin kombëtar e na kishte përfaqësuar edhe jashtë vendit si në basketboll edhe në volejboll.
Treni ecte e koha kalonte shpejt, e burri fliste e ne kënaqeshim duke e dëgjuar. Kur po i afroheshim Kasharit, na u drejtua të dyve duke na pyetur:
-Çfarë është dashuria?
Unë me Lolin shikuam njeri tjetrin në sy e nuk po dinim si t’i përgjigjeshim.
Ai priti për pak kohë e pasi nuk mori përgjigje, na thotë përkufizimin e tij:
-Dashuria është dorë më dorë, dorë më lesh e lesh më lesh. Më pas, ajo vdes.
Uauu! Çfarë përkufizimi lakonik për dashurinë! Dashuria u përmbushka vetëm me tri hapa!
Ta reduktosh dashurinë në vetëm një rresht, është sikur t’i hedhësh knockdown shkrimtarët e mëdhenj, të cilët kanë mbushur volume të tëra për t’i kapërcyer ato tri pjesë të atij përkufizimi.
Sa shumë u lodh Hygo e Tolstoi, Drajzeri, e Remarku, Heminguej e me radhë për të krijuar personazhe e dashuri të pavdekshme si të Mariusit me Kozetën, Anës dhe Vronskit, Klajdit e Ortencës, ushtarit amerikan të plagosur dhe Katerinës, Robit e Pat Holmanit, apo Ravikut me Xhoanë Medunë.
Po përse pothuaj të gjithë shkrimtarët e mëdhenj pasi përfunduan fazën e tretë të atij përkufizimi e mbyllën rrëfimin e tyrë? Përse e mbyllen shpesh edhe me vdekje... me vdekjen e njërit nga protagonistët, kryesisht të grave, të cilat dihet se zotërojnë ushqimin dhe zjarrin e dashurisë? A e mbyllën rrëfimin me vdekjen e Patit tek "Tre shoket", Katerinës tek “Lamtumire armë”, me vrasjen e Ortencës tek “Një tragjedi amerikane” apo Xhoanës tek “Harku i Triumfit”, apo me vetvrasjen e Anes tek “Ana Karenina”?
Apo mos ndoshta me vdekjen e protagonistes donin të mbyllnin kapitullin e dashurisë?
Në një nga romancat më të bukura të kohës, të ekranizuar “The Bridges of Medison County”, dashuria e shkurtër e fotografit Robert (Clint Eastwood) me fermeren Françeska (Meryl Streep), fillon me vdekjen e protagonistes, kur hirin e kremimit ia hedhin diku poshtë urës, ku ajo u ndesh për herë të parë me fotografin.
***
Po kthehem përsëri tek takimi i atij viti të largët në tren.
U ndamë me atë burrë dhe e falenderuam për atmosferën që na krijoi. Atë burrë nuk e pashë më kurrë. Një vit pas atij takimi, ai ndërroi jetë, vetëm 52 vjec. E quanin Fatmir Meka. Kishte qenë basketbollist e shënuesi më i mirë i kombëtares sonë të basketbollit, në turneun e Sofies në vitin 1957.
***
P.S.
-Xhaxhi Ermiri - do të më drejtohej ndonjë shok i ri në moshë që më lexon.
-Ai xhaxhi i trenit paska patur shumë të drejtë. Ne, në pub, një të premte, vetëm një orë na duhet për të kapërcyer tri etapat ndërsa për ju... duheshin javë, muaj ndoshta edhe vite. Ju, brezi juaj, keni humbur kot.
Eh si vika puna! Rinia sot e paska lakonizmin në vepra!
©Bamir Bebeziqi



