Andej-Këtej

Çfarë është dinjiteti? - Nga Ervina Toptani

Po sjell një shembull të vogël mes dhjetrash që kam njohur e parë në jetë...

Kishim një mik ne në familje dikur, them dikur sepse sot nuk jeton më. Quhej Bajram. Një burrë i urtë, punëtor, baba i dy vajzave e bashkëshort i një gruaje tepër të vuajtur si ai vetë. Bajrami ishte djalë i një tregtari i cili u dënua me pushkatim dhe natyrisht familja e tij u internua. Edhe Bajrami vetë pas disa vitesh u burgos e bëri 10 vite burg, 4 prej të cilëve në të njëjtën qeli me dajën tim.

Pas disa vitesh që doli nga burgu e jetën familjare e kishte me po aq vuajtje sa brenda burgut, e thërrasin përfaqësues të Sigurimi i Shtetit dhe i kërkojnë që të bashkëpunonte me ta për t'i ndihmuar të gjenin "elementët reaksionarë" brenda rrethit shoqëror të Bajramit, e për t'i asgjësuar ata.

E thërrisnin shpesh gjatë atij muaji dhe sigurisht që kthehej prej atje me shenja në trup e fytyrë. Zgjati ca kohë "përpunimi" i Bajramit e në fund ai firmosi se do të bashkëpunonte me ta. Ditën tjetër Bajrami u kërkoi të gjithë miqve e familjarëve që të mos i shkelnin më në derë, madje e kërkoi me ngulm e nerv këtë gjë, e fillimisht qenë të shumtë miqtë që u zemëruan me Bajramin.

Mbeti i vetëm Bajrami, askush nuk i shkelte më në derë, por në të njëjtën kohë dhe ai vetë nuk doli më nga shtëpia.

Kësisoj Bajrami nuk pati kurrë asgjë për t'u thënë sigurimsave, e mundi të mbrojë dhe ato çka kishte më të shtrenjta, vajzat e tij.

Po si ndodhi që firmosi Bajrami për Sigurimin?

Sigurimsat pasi e kishin provuar me javë ta bindnin Bajramin me mënyrat e tyre të forta, rrahje e tortura, kur e panë se nuk kishte ndërmend të dorëzohej, i thanë se haraçin e mosbindjes së tij do e paguanin vajzat, njëra 17 e tjetra 15 vjeç. Ia lidhën të bijat në karrige para syve të tij të zhveshura lakuriq dhe 4 sigurimsa prisnin të kryenin akte të dhunshme turpi me të miturat. Bajrami firmosi menjëherë. 

Pas disa muajsh që jetonte i mbyllur brenda në shtëpinë e tij të varfër, për të mos iu dorëzuar përbindëshave të kuq, për të mos parë lemeri me të bijat e për të mos tradhëtuar asnjë mik a të njohur, Bajrami i mirë u hodh nga kati i pestë i një pallati. Ai u largua nga kjo botë që i jepte çmime të majme vetëm ligësisë. Vdiq me dinjitetin e një shqiptari që nuk vjen më në kohët tona.

Kur përmendej emri i tij në shtëpinë tone, ulnim kokën në shenjë respekti për të e familjen e tij.

Raste si ky kam njohur mjaft gjatë jetës. I përkasin një epoke për të cilën, të rinjtë e sotëm pak dinë prej saj, a thua se kanë kaluar mijëra vjet ndërmjet.

Dinjiteti ruhet edhe në kushte ekstreme, edhe kur sheh vdekjen me sy, sepse mendoj se kur nisesh për në botën tjetër, dinjiteti është e vetmja gjë që merr me vete por e lë dhe prapa njëkohësisht.

Unë jam rritur mes njerëzve si Bajrami dhe e kam prekur me dorë vuajtjen e dhimbjen e tyre. Ndaj më dhemb çdo ditë Shqipëria, se më dhembin varret e tyre, e më dhemb në shpirt ende dhimbja e tyre e patretur.

P. S. Ishin shqiptarë ata të Sigurimit, edhe ata që i torturonin, edhe ata që u përdhunonin fëmijët e mitur, edhe ata që i ndërsenin e i ushqenin të tilla kafshë, edhe ata që i spiunonin njerëz si Bajrami, edhe ata që paguheshin për të vrarë, edhe ata që firmosnin urdhra të tillë. Ishin të gjithë shqiptarë, si Bajrami, si unë, si ty...

©Ervina Toptani