Ja përse duhet ruajtur ndërtesa e sotme e teatrit deri në vitin 3070
- Published in Andej-Këtej
- Nga: ARTAN FUGA
Duhet ruajtur hapësira e ndërtuar si muze i gjallë, në forma reale, në dimensione reale, sepse sikurse thoshte antropologu dhe filozofi i hapësirave urbane S. T.Hall, hapësira është forma më e sinqertë e kujtesës njerëzore.
Kush prek hapësirat e ndërtuara që janë një kujtesës tredimensionale, ai mund të bëjë një teatër të ri, mund të bëjë një ose disa salla mjaft komode, por do të mbartte mbi vete edhe përgjegjësinë sepse ka dëmtuar rëndë trashëgiminë kulturore kombëtare.
Dhe me trashëgimi nuk kuptoj lojën aktoriale të aktorëve të dikurshëm, e të sotëm, por kujtesën e vendit të teatrit në kulturën kombëtare, e marrëdhënieve mes artit dhe politikës, shtetit, në Shqipërinë e dy shekujve të fundit, atij që kaloi, dhe atij që po kalon rrëshqitshëm. Jo për një nostalgji të kësaj kujtese, por për ta ruajtur atë në mënyrë që qytetarët e ardhshëm ta kenë si një libër të hapur për ta lexuar e rilexuar sa herë t’u nevojitet.
Nuk vihet dorë mbi këtë kujtesë sepse është përgjegjësi shumë e rëndë. Duhet të kesh një imagjinatë dhe kurajo shumë të fortë për t’i hyrë detit këmbë!
Çfarë do t’u tregojë brezave të ardhshëm, ta zemë njëmijë e ca vjetësh ajo ndërtesë që duhet të meremetohet e mirëmbajtur si dëshmi e një epoke?
Tani ne mund ta bëjmë leximin e hapësirës aq sa na e japin mundësinë konceptet tona të sotme, por brezat e ardhshëm do ta lexojnë atë si muze të hapur, në dimensione reale, me format dhe materialin fizik të ndërtuar, me akustikën dhe ndriçimin real me konceptet e tyre. Ata ata do të nxjerrin mësimet e tyre.
Qytetari i vitit 3070: Çfarë është ajo ndërtesë që ju e quani teatër, ajo që ndodhet pas ndërtesës të asaj që quhej ministri e brendshme? Çfarë absurdi, çfarë është kjo e brendshme, e jashtme?
Historiani: Teatri dhe kultura kanë qenë nën kontrollin policor. Policët ishin si këta robotët që kemi sot dhe na mbrojnë nga njerëzit që çmenden. Bashkëjetonte drama e huaj, me dramën shqiptare, me lojën aktoriale, me policinë që kontrollonte përballë. Aktorët luanin dramat, i vinin në skenë, por në jetë luanin dramën e tyre reale që kurrë nuk e thoshin dot në skenë.
Qytetari i vitit 3070: Përse ajo ndërtesë e trashëguar nga pushtimi fashist dhe jo një ndërtesë e madhe dhe impozante sado e shëmtuar si ajo që ka mbetur me emrin e ish-Komitetit Qendror ose e Piramidës?
Historiani: Ja sikurse e shihni ishte. Sepse arti teatral nuk shihej si një mesazh i përjetshëm që vinte nga Greqia e Lashtë a më tutje, pra si mbipushtet mbi pushtetet shekullare të asaj kohe primitive ku ca njerëz sundonin politikisht shumicën, por si një vegël e politikës.
Qytetari i vitit 3070: E kështu mbeti kjo ndërtesë edhe në periudhën që e quani post-akullnajore? Nuk pati një ndërtesë tjetër?
Historiani: Post-totalitare. Mos e ngatërroni as me kohën e gurit dhe të bronxit. Jo mor bir, nuk pati, ja sikurse e sheh, e para sepse përsëri politika kontrolloi artin, e dyta sepse fitimi dhe tregu sigurisht e lanë teatrin në një gjendje të varfër.
Hapësira do të flasi vetë me gjuhën e vet të sinqertë – do të thoshte S.T. Hall. Të gjithë mund të gënjejnë, hapësira e lexuar nga specialistët nuk gënjen dot, nuk ka nënkuptime, nuk ka hipokrizi, nuk ka prapamendime.
Qytetari i viteve 3070: Po këto dhomat e aktorëve? Kështu si ngjanë si ato birucat që kemi vizituar te burgu që quhej i grave?
Historiani: Edhe ato kanë kuptimin e tyre. Aktori konsiderohej jo si një hyjni e çartur, sikurse ishte në të vërtetë brenda artit të vet, apo hiqeshin se ishin kur i lëvdoheshin njeri-tjetrit, por shihej si një punëtor partie, që duhej t’i shërbente kauzës, pra nuk duhej të kishte studiot e veta, me poltrona klasike, me abazhuret, divanët, si në teatrot klasike. Ja shihini! Dhe brenda këtyre kushteve, aktorët luajtën Shekspirin, Molierin, Gëten, apo duke i sjellë në skenë në shqip.
Qytetari i vitit 3070: Po kjo ku shkruhet “kafeneja” këtu, e kthyer në sallë lotosh? Aty pinin eliksirin artistët, apo helmin para sesa të hipnin në skenë?
Historiani: Ah, kjo është një histori tjetër...
Imagjinoni se çfarë dhimbjeje do të ndjenin brezat e ardhshëm nëse ne do t’ua hiqnim këtë mundësi për ta rindërtuar historinë e qytetit, apo të marrëdhënieve midis artit dhe politikës, që vetëm ndërtesa e teatrit ekzistues, në kontekstin e sotëm arkitektural dhe urban atje, pa shtesa dhe mbishtesa, ka mundësi ta bëjë realisht dhe autentikisht.
Pastaj për ndërtesa të tjera teatri shpërndarë nëpër të gjitha lagjet dhe zonat e kryeqytetit, duhet menduar pa tjetër. Përndryshe qytetari i vitit 3070 do të pyesi me habi robotin që i rrëfen historinë, pra robotin-historian:
“Sa absurde, si është e mundur që ata edhe teatrin e centralizonin në një pikë, në një teatër që e quanin nacional, të varur nga ministrja e kulturës, duke i dhënë gjithçkaje formën antropomorfike naive dhe budallaqe të trupit të njeriut? Si është e mundur që ende dymijë e ca vjet pas Krishtit nuk e kishin kuptuar që universi nuk ka formën e njeriut?”



