Dalldi dashurie - Tregimi i Krishtlindjes nga Agim Xhafka
- Published in Andej-Këtej
Hysa është fqinji im. Banon tek shkalla ngjitur, por ballkonet tona shohin njëri-tjetrin. Na ndodhte shpesh të dilnim në të njëjtën kohë e përshëndeteshim. Në një nga këto takime mësova se quhej Hysë, që nga njē fshat i Durrësit. Gruan ia thirrnin Mynever, kishte dy çuna në Itali, ishte bërë gjysh e u gëzohej këtyre ditëve, pas 20 vitesh internim në Tepelenë. U vendos në Tiranë në vitin 1991, por u tmerrua kur i iken çunat që ishin 16 njëri e 13 tjetri. Gruaja gati iu çmend. Vetë harrohej pas punës si bojaxhi. Por vitet iu dhanë të drejtë djemve. Ata u rregulluan në Itali, u martuan, u bënë me nga dy fëmijë secili. Hysa doli në pension minimal se nuk kishte vite pune në shtet, e shoqja nuk përfitoi gjë, paçka se në internim nuk mungoi një ditë në arat e kooperativës. Shyqyr fëmijët që u nisnin para çdo muaj e gjallonin buzagaz.
Deri vjet kur Myneverit iu shpif një sëmundje e rëndë në tru. U dëshpëruan të gjithë. Por çunat nuk u menduan dy herë. E rrëmbyen të ëmën, e hipën në avion e drejt në spital në Bergamo. Hysa me celular në dorë. Çfarë mësonte na e thoshte ne, të gjithëve. E shoqja ia hodhi sëmundjes e po rehabilitohej. Hysa i qeshur që në mëngjes.
-Javën tjetër do më vijë, -gëzohej.
E po bëhej gati. Para ca ditësh pashë tek ballkoni i tij nderur mbulesat e divanëve dhe perdeve. I kishte larë që e shoqja ta gjente shtëpinë dritë.
Por dje më hypi një merak i madh. Mbulesat rrinin varur tek telat e ballkonit. U bë ditë që nuk i hiqte. Pse?
-Mos i ka ndodhur gjë, - i thashë gruas.
Ika shpejt, trokita tek porta e tij. Asnjë zhurmë. I bie cel, dëgjoj zilen brenda shtëpisë. Bërtas e bërtas deri sa më kap paniku e lëshohem me gjithë forcën mbi derën e tij. Shqyhet krejt e sulem brenda duke bërtitur, Hysë, o Hysë...
E gjej poshtë një dollapi. E kishte mbuluar nga gjoksi e poshtë. I nxirë krejt. E çojmë në spital. Për fat isha në kohë, por tre brinjë qenë krisur.
-Afër dy ditë isha ashtu, - më tha. -Do vinte Myneveri e doja ta ktheja krevatin nga dritarja. Eshtë një akacie e madhe përballë që na kujton akacien e përqëndrimit kur ishim të dënuar. Atje rrinim mbasditeve, nën gjethet e saj. Flisnim për të ardhmen se pema është si jeta të sjell gëzim e ëndërra. Por dollapi, si polici i dikurshëm, më ra sipër, ma ndali gëzimin.
Hysa qe rinuar këto ditë. Shëndeti i Myneverit e kishte kthyher pas në kohë. Po rijetonte dashurinë e vet. Sipas moshës vërtet, por zemra i qe dorëzuar ritmit të atëhershëm, rrihte fort e sillte ngazēllim në atë fytyrë të rreshkur, të tharrë e të fishkur, por mbushur me lumturi e hare. Sytë, si ketra të ngopur, kërcenin plot dritë sa andej këndej.
-Mos i trego Myneverit për lajthitjet e mia, - ma kërkoi si i zënë në faj adoleshetësh.
-Quaje sekret mes vëllezërish, -i premtova.
E sytë m'u njomën prej gëzimit të tij, prej dashurisë së vonë që vërtet nuk djeg, por ama e ngroh dhe e ngazëllen njeriun e vuajtur Hysë…
©Agim Xhafka