Unë, egoisti i penduar - Nga Edmond Hasani
- Published in Andej-Këtej
Në nëntor 1995, gjatë quiz-it të RTSH “7 dubla për kinema” ku dola i dyti pas një turpi të jurisë, më ka ndodhur një ngjarje tronditëse. Pasi fitova eleminatoret dhe nga 100 konkurentë dola i pari me 96 pikë nga 100 të mundshme, fitoj dhe çerekfinalen dhe në gjysëmfinale një orë para konkurimit, më del përpara një grua e bukur, syqeshur, flokëleshuar dhe më përqafon. E njoha menjëherë, por emrin nuk ia kujtova, madje as tani...
Dikur vajzë Peshkopie, e birësuar nga një çift egjiptianësh, bukuroshja kish krijuar familje në një qytet të vogël dhe tri ditë më parë kish sjellë në jetë një bebe të bukur. Kish ardhur ashtu lehonë nga Materniteti, veç për quiz-in.
-Mezi të njoha - tha - në eleminatore para një muaji.
U habita. Shtatzënë kish ardhur në quiz... Për një orë më tregoi jetën e saj dhe u trondita kur më tha:
-Sot njoha prindërit e mi të vërtetë dhe unë nuk po kuptoj ku jam. Kam vendosur të rri me ata që më birësuan dhe me burrin tim muzikant egjiptian...
Pas pak erdhi aty i shoqi dhe unë mezi shqiptova dy fjalë. Ajo ishte ndër vajzat e bukura të qytetit që me dinjitet eci në jetë…
Isha në kaos mendimesh dhe takoj regjizorin e ndjerë Nard Gjata.
-Nard, unë nuk dua të konkuroj me gruan dibrane. Le të fitoje ajo e të shkojë në finale, - i thashë.
-Mond kjo që bën është tepër fisnike, por mos më pyet mua, - u përgjigj ai.
Pas pak isha përballë saj dhe fitova me diferencë të madhe. Ajo, e tronditur nga gjithçka që kish përjetuar ato tri ditë si nënë e re dhe si vajza që kish gjetur prindërit mohues... Kur u ndava pas spektaklit, syri i saj i madh, i zi, plot lot, më lau fytyrën shndritshëm...
Asnjëherë nuk e kuptova përse u tregova egoist para një nëne të re, të bukur, fatkeqe dhe krenare, dhe nuk e braktisa quiz-in.
Ah, sikur ta shihja edhe një herë syrin e madh, të zi, të lagur e ti thoja: Ti je fituesja morale dhe reale e quiz-it!
© Edmond Hasani



