Diagnoza e vetëmashtrimit klasik - Nga Burim Bardhari
- Published in Andej-Këtej

Kompensimi i kompleksit të inferioritetit me kompleksin e superioritetit të huaj
Shqiptari i shartuar ose e dredh ose nuk e kupton mangësinë e vlerës së ulët që ia vesh vetes me vetëposhtërim dhe vuan dëmin psikologjik nga kompleksi i inferioritetit ngase gjithmonë duhet të shtiret se është “transnacionalist”, i varur nga dikush tjetër, mjerisht asgjëson unin e tij të mirëfilltë, dhuratën nga Perendia duke e kompensuar artificialisht me kompleksin e superioritetit të dikujt tjetër dhe nuk e heton ngujimin brenda burgut me shufra të arta nga poshtërimi i vetes, sepse ndoshta ndërdijshëm i pëlqen të përfitojë vartësisht, në mënyrë të ndyrë, si viktima e pajtuar dhe e varur nga “Sindroma e Stokholmit” miraton vuajtjen nga dora ndëshkuese e tjetrit, kinse për të mirën vetjake.
Hitleri thuhet se ishte pjesërisht çifut hebraik dhe si austriak ndoshta kompensonte aq shumë, saqë synonte të dallohej vetëm si “echter deutscher” (gjerman i vërtetë), ose t'i fshihte gjurmët e tij ose t'i hakmerrej prejardhjes tij të pjesshme për ndonjë ndodhi të hidhur vetjake (ose siç hamendësohet për vuajtjet e të ëmës së tij).
Njeriut që nuk i mungon mençuria ndjenjore ose inteligjenca emocionale nuk i pengon se kush është dhe nga vjen. Vetëm njeriu i pasigurtë bëhet i tëhuajsuar edhe si ideolog intrigant ose fetarist fanatik, në vend që të shkëpusë vetëm të mirën e popujve tjerë, ndërsa ai mallkon prejardhjen duke rrëmihur për tjerët të cilët poashtu e nënçmojnë sepse kur tradhton veten pse duhet të tjerët të besojnë, edhe pse ata e dinë fort mirë se asnjeherë nuk mjafton t’i gëzosh të tjerët (nga anglishtja: “it never is good enough trying to please others”)!
As nuk duhen duruar “çlirimtarët” për pushtet që janë më të këqinj se “pushtimtarët”.
Dinakëria më e madhe e shqiptarëve të shartuar nga vetëposhtërimi i tyre është kur ata arsyetojnë pushtuesin e dhunshëm të huaj dhe nënshtrimin e vendit, plaçkitjet dhe humbjen e kulturës së lashtë e të mirëfilltë, kinse për hir të kulturifikimit prijatar dhe me “konvertim vullnetar”, ndonëse ndodh dërmuesisht si pasojë e shtypjes së drejtpërdrejtë ose të tërthortë nga trysnia e ndikimit të huaj dhe brenda zgjedhës së pushtimit.
© Burim Bardhari