Andej-Këtej

Një natë në autobus nga Zagrebi në Prishtinë - Nga Enver Robelli

…Dhe ca shënime për Hekuranin nga Prizreni, i cili që nga mosha 14-vjeçare kujdeset që pasagjerët të udhëtojnë të sigurt…

Deri para pak vitesh nga Zagrebi në Prishtinë mund të udhëtohej me avion. Linja duket se nuk është e leverdishme, andaj është ndërprerë. Një tentim për të rikthyer linjën dështoi së fundi. Nga Zagrebi mund të fluturohet për në Shkup. Ose mund të udhëtohet me autobus nga Autobusni kolodvor në Zagreb për në Prishtinë dhe tutje në Prizren. Agjencia e udhëtimeve Vector Travel Group e lidh kryeqytetin e Kosovës me atë të Kroacisë së paku 4 herë në javë. Ka edhe linjë nga Prizreni e Prishtina për në Zarë, në bregdetin kroat

Të udhëtosh nga Zagrebi në Prishtinë me autobus është një atraksion i vërtetë - nëse keni fat që herë shofer e herë konduktor të jetë Hekurani, sipas mendimit tim modest shoferi e konduktori më simpatik prej se është shpikur autobusi. Kur e pyeta një mik timin në Zagreb se si qëndron puna e lidhjeve me autobus për në Prishtinë, ai tha: “E thërrasim Hekuranin”. Dhe e thirri Hekuranin, i cili ma rezervoi vendin. Të dielën në orën 20:00 nga stacioni i autobusëve në Zagreb nisi udhëtimi për në Kosovë.

Hekurani është profesionist. Kjo shihet nga veshja e tij elegante dhe zyrtare. Kjo shihet nga sjellja e tij ndaj udhëtarëve: ai është përherë i përzemërt dhe vigjilent, por edhe këmbëngulës me thirrje për respektin strikt të rregullave të udhëtimit nga pasagjerët. Hekuranit asgjë nuk i shpëton prej syrit. Situatën në autobus dhe jashtë autobusit e ka nën kontroll të përhershëm. Hekurani ka një përvojë të gjatë në këtë profesion. Në moshën 14-vjeçare nisi të punojë si konduktor, pastaj ende pa i bërë 18 vjet nisi të drejtojë autobusin. Ai tani duhet të jetë mbi 30 vjeç. Nuk e pyeta për moshën, sepse kjo duket të jetë e parëndësishme. Dhe sepse Hekurani edhe kur të pensionohet do të mbetet i ri.

Humori i tij është i papërsëritshëm dhe me takt. Aspak imponues. Ka pasagjerë të cilët para se të presin biletën për në Prishtinë apo Prizren pyesin: “A ka me drejtu autobusin Hekurani”? Nëse përgjigjja është jo, disa pasagjerë e shtyjnë udhëtimin për një e dy ditë derisa Hekuranit t’i vijë radha për të drejtuar autobusin për në Prizren. Atëherë blejnë biletën.

Përherë i buzëqeshur dhe i hareshëm, përherë mendjekthjellët dhe me një buqetë barsoletash që i shpërndan si një aktor i ndonjë teatri të komedisë franceze, Hekurani është i pazëvendësueshëm. Ai tregon për një gjyshe “të humbur” gjatë udhëtimit me autobus (mos u shqetësoni se gjyshja nuk ka humbur!), për një grua që afër Budvës e ngatërron autobusin dhe në vend se të shkojë në drejtim të Dubrovnikut merr autobusin drejt Ohrit. Dreqi ta hajë: autobusët kishin qëlluar të gjithë të bardhë! (Shoferi i autobusit për në Ohër e kishte vërejtur shpejt situatën dhe gruaja ishte kthyer në autobusin e duhur drejt Kroacisë).

Udhëtimi nga Zagrebi në Prishtinë me Hekuranin i ngjan një loje baleti. Kaq lehtë rrjedh gjithçka. Ai di t’i menaxhojë e çarmatosë policët kufitarë serbë me gjeturinë e tij, por edhe patrullat që arbitrarisht ndalin automjetet në autostradë. Në një pompë benzine përtej Beogradit kamerieret dhe shitëset serbe janë pafundësisht korrekte dhe aq të përzemërta, saqë Hekuranin e përshëndesin me ngritje duarsh në stilin “Give me five!” Në një moment, aty rreth orës 02:00 të mëngjesit, njeriu e zë veten duke besuar jo vetëm në utopinë e marrëdhënieve korrekte, të mira e me respekt reciprok mes Serbisë e Kosovës. Njerëzit e thjeshtë në Serbi, pra ata që me punë të ndershme sigurojnë ekzistencën, janë shumë më larg se banda shoviniste e Aleksandar Vuçiçit. Për ta Hekurani është një shofer autobusi nga Kosova që me korrektësi kryen punën e tij. Dhe kur ndalet me 50 pasagjerë në një pompë benzine në Serbi, ai është edhe faktor ekonomik.

Viteve të fundit numri i shqiptarëve të Kosovës që punojnë në Kroaci është rritur dukshëm. Hekurani tha se që nga pandemia Kroacia ka lëshuar 27 mijë leje të punës për kosovarë. Ata punojnë kryesisht në ndërtimtari. Në hoteleri punojnë gjithnjë e më shumë aziatikë. Pizzat dhe pastat nga furra në banesat e kroatëve në Zagreb e qytete të tjera kroate i bartin me motoçikleta djemtë nga Nepali. Gratë nga Filipinet pastrojnë hotele e shtëpi. Qytetarë të Indisë dhe Nepalit punojnë në ndërtimtari. Që nga hyrja e Kroacisë në BE (2013), mijëra kroatë kanë gjetur punë në vende të tjera të BE. Drama demografike në Kroaci do të shtrihet gjerësisht dhe së shpejti edhe në vende të tjera të Ballkanit.

Hekurani nuk do të emigrojë. Ai do të mbetet një shoqërues i mijëra pasagjerëve që lëvizin mes Kroacisë e Kosovës. Djem të rinj që punojnë në ndërtimtari në kantiere në Kroaci dhe vijnë te familjet në Kosovë për pak ditë. Me vete sjellin para dhe gëzim, i cili merr fund shpejt. Sepse çdo mërgimtar duhet të kthehet për të fituar para për të mbajtur familjet.

Adelina hyri në autobus në Sllavonski brod me një qese me lule. Një shoqe e saj kroate ishte martuar në Vinkovci dhe Adelina ishte ftuar si mysafire nderi. E përshkroi dasmën, adetet e traditat e Sllavonisë kroate, tregoi se si gjyshi i nuses kishte zierë raki para 30 vitesh dhe kishte urdhëruar “që kjo raki të pihet në ditën e martesës së mbesës” (ky amanet ishte vënë në vend), pastaj Adelina e lehtësuar tregoi se në Zagreb ka dorëzuar punimin e doktoratës. U gëzua edhe Hekurani, sepse ai e njeh Adelinën si pasagjere shumëvjeçare. Të hënën pasdite Adelina do t’u jepte mësim nxënësve të një gjimnazi në Prishtinë.

“Kështu mbetëm - herë andej e herë këndej”, tha Shpresa, një grua që pasi kishte vizituar burrin në Karlovac (ai punon atje si bukëpjekës) po kthehej te fëmijët në Prizren. Në fytyrën e Shpresës pashë krenarinë e një nëne që po gëzohej pafund që vajza e saj kishte filluar të studiojë mjekësi në Universitetin e Prishtinës. Ndoshta në këtë botë nuk ka gjë më të hijshme, më bujare e më fisnike se krenaria e një nëne për suksesin e së bijës.

Sapo kaluam kufirin mes Kosovës e Serbisë, Hekurani kapi mikrofonin dhe tha: “Mirësevini në Republikën e Kosovës. Këtu nuk jemi në Zvicër, këtu jemi në Kosovë dhe këtu nuk ka korrupsion”. Haha! Hekurani ka humor.

Të mërkurën Hekurani do të kthehet me autobus nga Prizreni e Prishtina në Zagreb. Dhe prapë me gjasë do të tregojë dhjetëra barsoleta e anekdota dhe do t’i çojë të sigurt në cak mërgimtarët e Kosovës në Kroaci. Pa Hekuranin jeta e pasagjerëve do të ishte shumë monotone.

© Enver Robelli