Andej-Këtej

Mos jam martuar me Wikipedia-n?

 Nga Umberto ECO

Çdokush prej nesh, teksa punon e lipset të verifikojë një emër apo një datë, i falet Wikipedia-s në Internet. Për një grusht profanësh, më duhet të kujtoj se Wikipedia është një enciklopedi on line, e cila shkruhet e rishkruhet prore, nga vetë përdoruesit e saj. Ia vlen të përmendim se kur ju kërkoni një zë, bie fjala, "Napoleoni" dhe vëreni se të dhënat janë të paplota apo të pasakta, mund të regjistroheni, t'i korrigjoni dhe ky zë pastaj ruhet ashtu, sikurse e ndryshuat ju.
Natyrisht, kjo u krijon mundësinë dashakeqëve apo të marrëve që të përhapin të dhëna të rreme, por sigurinë na i ofron fakti se këto të dhëna kontrollohen nga miliona përdorues. Në rast se dikush ndërhyn në keqbesim dhe bën korrigjimin se Napoleoni nuk vdiq në Shën Elenë, por në Santa Domingo, miliona dashamirës do të ndërhynin menjëherë dhe do ta korrigjonin këtë ndryshim dashakeq (pastaj, besoj se pas disa orvatjesh ligjore të personave që cënohen nga shpifjet e dikujt, një lloj redaksie do ta bënte një verifikim, të paktën për korrigjimet me përmbajtje të qartë shpifëse). Në këtë kuptim, Wikipedia do të ishte një shembull i bukur i asaj që Charles Sanders Peirce e quante Komuniteti (shkencor), i cili falë një vetëekuilibri fatlum i fshin gabimet dhe ligjëson zbulime të reja, duke çuar përpara pishtarin e së vërtetës, sikurse e quante ai.
Por nëse kjo syçeltësi kolektive mund të funksionojë për Napoleonin, a mund të themi të njëjtën gjë edhe për një Filan Fisteku, cilido qoftë ai? Le të marrim shembullin e një personi pak më të njohur se Filan Fisteku, por më pak të njohur se Napoleoni, sikundër jam unë. Fillimisht ndërhyra për të korrigjuar sa shkruhej për mua, ngaqë vërejta të dhëna të gabuara dhe njoftime të rreme (për shembull, thuhej se isha i pari ndër trembëdhjetë vëllezër, fakt që s'ka të bëjë me mua, por me tim atë). Mandej hoqa dorë sepse, sa herë më shtynte kureshtja të kontrolloja të dhënat e vëna në emrin tim, gjeja qyfyre të reja, që s'dihet kush i vinte. Njëherë ca miq më njoftuan se Wikipedia shkruante se isha martuar me vajzën e botuesit tim, Valentino Bompiani. Ky lajm nuk ishte asfare shqetësues për mua, po mbase mund të prekte mikeshat e mia të dashura, Ginevra dhe Emanuela, ndaj ndërhyva fill dhe e fshiva.
Në rastin tim as që mund të bëhet fjalë për një gabim të kuptueshëm (si historia e trembëdhjetë vëllezërve), as për të besuar thashetheme të rëndomta: s'besoj që dikush ta ketë shkuar në mendje që unë mund të akaparoja një martesë të tillë. Kështu që, bashkëautori i panjohur i Wikipedias besoj se ka ndërhyrë për të publikuar thjesht një fantazi të tij, pa i shkuar fare ndërmend që t'i verifikonte të dhënat, të paktën nga ndonjë burim tjetër.
Atëhere, sa mund t'i besojmë Wikipedias? Po ua them menjëherë që unë e besoj, sepse profesioni i studjuesit më ka mësuar përdorimin e disa teknikave: një argument të caktuar, pasi e konsultoj në Wikipedia, shkoj pastaj dhe e krahasoj me të dhënat e dy ose tri site-ve të tjera. Nëse rezultatet përkojnë të tria herët, atëhere ka shumë gjasa që e dhëna të jetë e vërtetë (por kujdes, site-t që konsultojmë nuk duhet të jenë parazitë të Wikipedia-s, sepse kësisoj gabimi do të përsëritej). Një mënyrë tjetër është që, i njëjti zë, të shihet si në italishte, ashtu edhe në ndonjë gjuhë tjetër (po e keni të vështirë me gjuhën urdu, me siguri do ta gjeni në anglishte). Zakonisht të dy zërat përkojnë (janë përkthime të njëra-tjetrës), por nganjëherë edhe ndryshojnë dhe mund t'ia vlejë barra qiranë nëse gjenden kundërthënie. Kjo mund t'ju shtyjë (përkundër besimit tuaj tek virtualja) që të çoheni dhe të konsultoni një libër enciklopedie.
Solla shembullin e studjuesit, i cili ia ka marrë dorën ballafaqimit të burimeve të ndryshme. Po të tjerët? Si t'ia bëjnë ata që besojnë kollaj? Po djelmoshat që i turren Wikipedias për të bërë detyrat e shtëpisë? Mbani parasysh që sa thamë vlejnë edhe për çdo site tjetër, ndaj kohë më parë sugjerova, edhe për grupet rinore, ngritjen e një qendre monitorimi të Internetit, përmes një komiteti të përbërë nga ekspertë të fushave të ndryshme, në mënyrë që site të ndryshme të kontrolloheshin (ose on line, ose nëpërmjet botimeve të shtypura) dhe të bëhej një vlerësim për besueshmërinë dhe plotësinë e tyre. Por le të marrim, shpejt e shpejt, një shembull dhe le të mos kërkojmë emrin e një figure historike si Napoleoni (për të Google ofron 2.190.000 site), por të një shkrimtari të ri, Paolo Giordano, autor i "Vetmia e numrave prim", i cili u bë i njohur kohët e fundit, pikërisht kur fitoi çmimin Strega 2008. Sitet që flasin për të janë 522.000. Atëhere si i bëhet hallit për t'i monitoruar të gjitha?
Njëherë i dhamë karar të monitoronim vetëm site-t që lidheshin me autorë, të cilat paraqitnin interes më të madh për studentët tanë. Por, po të marrim fjala vjen Peirce-n, që e përmenda më sipër, për të na japin informacion plot 734.000 site.
Ja pra, një goxha problem që ende nuk ka gjetur zgjidhje.

Shqipëroi: H.Ligori

Tagged under Umberto Eco wikipedia