Andej-Këtej

A day in the life of a fool… - Nga Artan Gjyzel Hasani

Dikur, student atbotë, i stërlodhur nga leksionet e gjata, praktikat mësimore në morg dhe të bredhurit rutinor me femra ose pas tyre dhe i velur nga qejfet idioteske me shokët, vendosa t’i rikthehesha zakonit tim të vetëm fisnik, të lexuarit.

Në Bibliotekën Kombëtare. Fondi i librave të huaj. Kërkoj në skedarët. Gjej një libër të vogël “Sketches by Boz” të Charles Dickens, një botim i vitit 1836.

Skica e parë, një faqe e gjysëm, bënte fjalë për një njeri, pa grua, miq e shokë, që nuk kishte pasur asnjë ditë në jetë pushim dhe papritur shefi i jep një ditë pushim. I shokuar, por edhe i entuziazmuar, burri vendosi që atë ditë, edhe pse nuk e kishte idenë ku ndodheshin, të shkonte në opera, teatër, stadium, në një park të mbushur me ujëvara, më pas në kopështin zoologjik, e ku nuk i shkoi mendja ta kalonte atë ditë të vetme pushimi të jetës së tij. Dhe, duke u endur për orë të tëra dhe duke mos vendosur dot se çfarë të bëjë e ku të shkojë, këmbët e çuan përsëri të zyra e tij. Hyri brenda, kyçi derën, u ul në tryezën e punës dhe u zhyt në shkresat e pafundme që mbulonin pothuajse tërë hapësirën e asaj zyre. Nëpunësi shëmbullor. E vetmja gjë që bënte prej më shumë se 30 vitesh dhe e bënte vërtet mirë. Dhe sigurisht, e vetmja gjë që dinte të bënte. Ndaj edhe u kthye mes atyre katër mureve qe i përkisnin po aq sa u përkiste.

Nuk lexova më tej.

E mbylla libërthin dhe dola nga biblioteka, zbrita shkallët dhe ndalova hapat buzë trotuarit, (mbase kam ndezur edhe një cigare, por kam frike se kjo mund të jetë një cliché) pikërisht aty ku fillonte sheshi i madh dhe, mesa dukej, edhe jeta ime, ditët dhe netët e së cilës ishin aq shumë të zëna, sa orët e kishin humbur kuptimin dhe kalendarët dobishmërinë.

Pasdite do takoja një vajzë nga Shkolla Teknologjike, pas saj do shkoja të luaja futboll, më pas do shkoja të pija konjak me ca shoferë të inatosur, në mbrëmje do shkoja në teatër bashkë me një mikeshën time që me pak përpjekje më shumë në një të ardhme të afërt mund të bëhej edhe ish e dashura ime, pas mesnate do të luanim bixhoz në qytetin e Studentëve dhe më pas një Zot e dinte ku do më gjente.

Kisha frikë të bëja një ditë të vetme pushim. Nëse do të ndodhte, kjo do të ishte katastrofë. Por ndryshe nga personazhi i Dickens, unë nuk do të kisha ku të kthehesha.

Nuk e dija nëse duhet të më gezonte apo trishtonte ky fakt.

As sot nuk e di.

© Nga Artan Gjyzel Hasani