Andej-Këtej

Kohë trimërie, hajnie apo çmendurie?

Nga: Çapajev Gjokutaj

Po të udhëtosh me helikopter mbi Shqipëri, do shohësh shumë pyje të prera a të djegura, lumenj të kthyer në kantiere për zhavorr, hapësira të tëra toke bujqësore mbushur me ndërtime.

Po qe se një pushtues i huaj do kishte bërë një të qindën e këtij shkatërrimi, njerëzia do bënin atë që thotë folklori: Do i dilnin zot vatanit e gjaku do derdhej lumë.

Kur gjëma të tilla na i bëjnë tanët, duke nisur nga zaptuesët e trojeve dhe ndërtuesit e jashtëligjshëm, duke ardhur tek rojet e pyjeve e duke sosur tek afendikonjtë e pushtetit e të politikës, ne, të vegjël e të mëdhenj, rrimë e bëjmë sehir. Shumë, shumë shfryjmë në kafene apo në Facebook.

Pse vallë s’jemi aq trima të çartur sa thotë folklori?

Mos vallë u ngjajmë të parëve aq sa zhapiu ngjan me dinosaurin?

Apo denbabaden e kemi hiperbolizuar dhe idealizuar trimërinë si beduini burimin?

Apo kohët janë shumë dhe secila ka vulën e vet, ca të trimërisë e ca të hajnisë e të çmendurisë?

Vetëm një gjë s’e kuptoj: pse e mira, besa, trimëria mbeten në të kaluarën e largët? Ngaqë sa më thellë në kohë, aq më pranë mitit? Apo si zog magjari, tuj u rrit, tuj u çorodit?

(Nga cikli “Monopatet e ironisë”)

Tagged under Çapajev Gjokutaj