Andej-Këtej

Llulla e Stalinit mbi oxhak - Nga Mehmet Elezi

 Mehmet Elezi

Ndoqa një emision për oligarkët rusë në TV Francë 2.

Tronditëse rruga e tyre.

1.

1996: sipas anketave, presidenti Jelcin s’e fiton mandatin e dytë.  Pritet me fitue komunisti Zhuganov.

Jelcini thërret pasunarët e vendit. Kërkon me ia financue fushatën. Paret nuk jua kthej dot, u thotë, por do të merrni prona.

Dhe Jelcini shpallet fitues i zgjedhjeve. Paasunarët blejnë ndërmarrjet kyçe të Rusisë për pesë rubla. Kush s’ka mundësi, ndihmohet me fonde publike në prapaskenë.

Dhe?

Miliardierët kapin shtetin!

Nga errësira e KGB-së ngrihet Putini. Edhe ai i do fort oligarkët. Me një ndryshim: me i shërbye ata Putinit, jo Putini atyre. As ata, as ai për Rusinë!

Ata i shqetëson fytyra e verdhë, pa shprehje, e bujtësit të ri në Kremlin. Dikush e këshillon presidentin: qetësoji miliardierët. Të duhen.

Ai organizon një pritje për ta. Madhështore dhe romantike. I fton në “daçën” e vet, në rrethinë të Moskës.

Makinat luksoze çajnë pyllin me mështekna, me ketrushë, me pisha e me hënë. Pak pa mbërri te “daça” e Putinit, rojet e sigurisë bëjnë shenjë:

-Andej!

Papritmas të ftuarit VIP e shohin veten në “daçën” e Stalinit!

Gjithçka aty si para gjysmë shekulli. Erën e rëndë të mykut, me të cilën është ngopur ajri brenda, nuk e mbyt dot asgjë. As era e këndshme e zjarrit. As erëmimi i mishit që piqet në oborr (“barbekju”). As shija lundruese e verërave të shtrenjta. Qilimat po ata, mbizotëron e kuqja. Llulla e famshme mbi oxhak. A thua diktatori i frikshëm është diku rrotull? Mbase po lan duart. Prit kur t’ia behë.

Pritja kalon pa kërcitur.

Putini, miqësor.

Kumti (mesazhi) përcillet pa fjalë.

Nën hijen e Stalinit.

3.

Nis “Lufta e ftohtë” mes palëve. Miliardierët ankohen, shteti i korruptuar na pengon. Të korruptuarit jeni ju, ua kthen Putini.

Si i fituat pronat që keni?

Paguani taksa sipas ligjit?

Letrat zbulojnë gropa të thella në detyrimet e tyre ndaj shtetit.

Ata ulin tonet. Ky shtet është përbindësh. I druhen përbindëshit.

Vetëm njëri s’dorëzohet. Mihail Kodorkovski, bosi i Yukos, rreket me ia ba tetëshin presidentit. Zgjedh strategji tjetër. Shoqërinë gjigande të naftës e shndërron në shumëkombëshe. 40 për qind të aksioneve i shet në Perëndim. Putini s’e kruan me Perëndimin, thotë. Më mbron edhe presidenti amerikan.  E kam “mik”.

Dikush e pyet me nënkuptim bosin e Yukos: ai “miku” yt është president i Amerikës apo i Rusisë?!

4.

Punëtorët protestojnë, mbushin sheshet. Kaq muaj pa marrë pagat. S’kemi bukë.

Putini vishet sportiv, shkon në takim me punëtorët. Përfaqësuesit e sindikatave aty, bosi i kompanisë aty. Sigurisht do t’i merrni paret e djersës suaj, u thotë punëtorëve. E urdhëron pronarin t’i paguajë menjëherë. Sot, jo nesër!

Pronari zverdhet: arka e kompanisë është thatë!

Do të t’i japim ne paret, ia bën me sy Putini. Por ti do të thuash: po bëj të pamundurën, është urdhër i presidentit, pikë.

Popullariteti i Putinit ngrihet me shpejtësi.

Fati i Kodorkovskit dihet.

Të tjerët? Si urdhëron tovarish president. Ia financojnë dhe luftën në Ukrainë.

5.

Më 1996 oligarkët rusë e shpallën fitues Jelcinin, por pushtetin e morën vetë. 

Oligarkët e Shqipërisë?

Diçka e ngjashme me oligarkët rusë në 1996-n.

Dhe:

Vizioni qeverisës, si i Putinit.

Shteti më i rrenuar se i Jelcinit!

© Mehmet Elezi