Andej-Këtej

Një historik i shkurtër i konfliktit izraelito-palestinez

Sulmi i befasishëm i nisur nga krahu i armatosur i grupit palestinez Hamas kundër Izraelit dhe ushtrisë izraelite, shënon një kulm të ri të dhunës dhe shkatërrimit në një konflikt që shkakton viktima prej një treçerek shekulli. Më poshtë një shtjellim i disa pikave që ndihmojnë për të kuptuar më mirë këtë krizë që përfshiu sërish Lindjen e Mesme.

Cilat janë origjinat e konfliktit?

Tensionet mes izraelitëve dhe palestinezëve janë të ndërthurur në një konflikt që buron nga synimi i dy popujve për të zotëruar të njëjtin territor, sot të ndarë midis shtetit të Izraelit dhe territoreve palestineze (Bregu Perëndimor dhe Rripi i Gazës).

Palestina, një rajon historik në Lindjen e Mesme, kufijtë e të cilit janë ndryshuar shumë herë, ka qenë i banuar nga disa popuj që nga kohërat parahistorike, duke përfshirë paraardhësit e hebrenjve dhe arabëve, të cilët sot pretendojnë të drejtën për të zotëruar këtë territor.

Në vitin 1917, Mbretëria e Bashkuar deklarohet në favor të krijimit në Palestinë të një hapësire kombëtare për popullin hebre, projekt ky që nuk duhej të dëmtonte popujt e tjerë në këtë territor, në rastin konkret arabët. Këta të fundit e kundërshtojnë idenë që hebrenjtë të vendosen në territorin ku ata banojnë.

Gjatë viteve 1930, persekutimi i hebrenjve në Evropë (veçanërisht në Gjermaninë naziste) çoi në migrim të madh drejt Palestinës. Në vitin 1937, britanikët propozojnë planin e parë për të ndarë rajonin. Me pak fjalë, hebrenjtë do të zotëronin Veriun, dhe arabët, Jugun. Rajoni i Jeruzalemit, një vend i shenjtë për të dy popujt, do të mbetej nën kontrollin britanik. Por ky plan nuk gjeti përkrahje unanime, ashtu si versionet e mëvonshëm, që dështuan për shkak të konfliktit që solli Luftën e Dytë Botërore.

Pas Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1947, Kombet e Bashkuara votojnë një plan për të ndarë Palestinën midis hebrenjve dhe arabëve. Qytetet e Jeruzalemit dhe Betlehemit, të cilët kanë rëndësi fetare për hebrenjtë, të krishterët dhe myslimanët, mbeten nën kontrollin ndërkombëtar. Henrenjtë e pranojnë këtë plan, ndërsa arabët pa përjashtim e refuzojnë atë.

Izraeli megjithatë shpall pavarësinë e tij disa muaj më vonë, në vitin 1948. Ushtritë e Egjiptit, Transjordanisë (ish-Jordania), Irakut, Sirisë dhe Libanit nisin më pas një sulm kundër Izraelit. Ushtria izraelite (e quajtur Tsahal) zmbraps forcat arabe dhe fiton një pjesë të territorit palestinez. Më shumë se 700,000 palestinezë largohen në mërgim dhe po aq hebrenj u vendosën në Izrael gjatë viteve në vijim. Që atëherë, çdo vit, palestinezët e kanë përkujtuar këtë eksod, të cilin ata e quajnë Nakba, ose katastrofë.

Në vitin 1956, Izraeli sulmon Egjiptin, pasuar nga Mbretëria e Bashkuar dhe Franca, për shkak të shtetëzimit të Kanalit të Suezit, i cili lidh Detin e Kuq dhe Mesdheun. Një marrëveshje paqeje do të arrihej përfundimisht nën kujdesin e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik.

Në vitin 1967, Izraeli nisi Luftën Gjashtë Ditore duke sulmuar aeroportet dhe avionët e ushtrisë egjiptiane. Fitimtare, forcat izraelite pushtojnë Rripin e Gazës, Sinain, Bregun Perëndimor, Lartësitë Golan dhe Jeruzalemin Lindor, duke shkaktuar shpërnguljen e qindra mijëra palestinezëve.

Në vitin 1973, Egjipti dhe Siria, duke udhëhequr një koalicion të vendeve arabe, nisën Luftën e Yom Kipur. I befasuar, shteti hebre fillimisht humbi terren, pastaj e rifitoi atë me ndihmën e furnizimeve aleate. Një marrëveshje paqeje e lidhur midis Egjiptit dhe Izraelit në 1978 përfshiu klauzola në lidhje me palestinezët, por këto nuk hynë kurrë në fuqi.

Intifada e parë nisi në vitin 1987. Ajo lindi nga një revoltë kundër pushtimit izraelit në Gaza dhe më pas u përhap në Bregun Perëndimor. Kjo është koha kur u formua Hamasi. Në vitin 1988, Këshilli Kombëtar Palestinez shpalli shtetin palestinez.

Intifada e dytë filloi në vitin 2000, kur kryeministri izraelit Ariel Sharon vizitoi esplanadën e Xhamive në Jeruzalemin e vjetër. Përplasjet mes palestinezëve dhe izraelitëve shkaktuan në total vdekjen e rreth 6000 vetëve, me humbje më të mëdha nga pala palestineze.

Përballë këtyre sulmeve të përsëritura, shteti hebre filloi ndërtimin e një muri përgjatë kufirit të tij për të mbrojtur veten dhe për të kufizuar hyrjen në territorin e tij. Për të hyrë në Izrael, palestinezët duhet të kalojnë nëpër postblloqe. Ata nuk mund të largohen lirisht nga Rripi i Gazës.

Për më tepër, shteti hebraik ka adoptuar një politikë të kolonizimit të territoreve të pushtuara, që kontribuon në rritjen e tensioneve me palestinezët, të cilët denoncojnë përvetësimin e tokës dhe pasurisë së tyre. Vendosja e kolonëve hebrenj në Bregun Perëndimor është kritikuar ashpër ndërkombëtarisht.

Sot, konflikti izraelito-palestinez ka të bëjë me disa çështje, duke përfshirë njohjen e dy popujve, territoret e tyre përkatëse, statusin e qytetit të shenjtë të Jeruzalemit, statusin e disa milionë palestinezëve të zhvendosur për shkak të konflikteve si dhe të drejtën e tyre të rikthimit.

Çfarë është Hamasi?

Lëvizja politike me emrin Hamas kontrollon Rripin e Gazës, një rrip toke që ndodhet në bregun e Mesdheut. Gaza kufizohet me Egjiptin në Perëndim dhe Izraelin në Jug dhe Lindje.

Hamasi ka deklaruar synimin për të përshpejtuar shkatërrimin e shtetit hebre dhe ka zhvilluar disa luftëra kundër Izraelit dhe ushtrisë së tij që kur mori kontrollin e Gazës në vitin 2007. Enklava, e cila ka qenë nën një bllokadë ekonomike për rreth pesëmbëdhjetë vjet, më parë ishte nën kontrolli i Fatahut, një lëvizje tjetër politike e cila sot kontrollon Bregun Perëndimor, një territor palestinez i vendosur në Lindje.

Ndërmjet këtyre luftërave, Hamasi shpesh ka hedhur ose lejuar grupe të tjera të hedhin raketa (në më të shumtën e rasteve të prodhimit artizanal) drejt Izraelit, sikurse dhe ka kryer sulme të shumta vdekjeprurëse. Hamasi konsiderohet një organizatë terroriste nga disa qeveri, duke përfshirë ato të Izraelit, Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara, po ashtu edhe nga Bashkimi Evropian.

Nga ana e tij, shteti hebre ka bombarduar pozicionet e Hamasit dhe ka vënë në shënjestër liderët e tij në shumë raste. Bllokada që Izraeli i vendos Gazës, e cila ka pasoja të konsiderueshme ekonomike dhe humanitare për popullsinë palestineze atje, paraqitet si një mënyrë për të garantuar sigurinë e vendit.

Disa organizata, si Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, deklarojnë se bllokada shkel ligjin ndërkombëtar, por një raport i fundit i OKB-së arriti në përfundimin se bllokada e Gazës nuk është e paligjshme.

Burimi: Radio-Canada

Përktheu dhe përshtati Flasshqip.ca

Foto: Reuters/Mohamad Torokman