Andej-Këtej

Truri ka dy mendje - Nga Burim Bardhari

Ndaj njeriu vuan nga dymendësia dhe dështon dendur. Si t’i shmangemi përsëritjes së gabimeve trashanike kur njeriu nuk është i përsosur.

“Eureka”, e gjeta ose e shkreta, por truri sillet sikur ka dy mendje që ndërthuren e përplasen vetëvetiu, “(vetë)ngasja” e pavarur dhe “(vetë)dija” e mbarështuar me mbikqyrje.

Pse vuan vetëmashtrimthi njeriu i mençur dhe i mirë ose lajthitet e gabon periudhtas por pastaj dinakërisht mohon përgjegjësinë duke arsyetuar vendimin e dhimbshëm pasojëtar me “mospërputhje mendimesh” (përplasje paradoksale ose “dizonancë konjitive”), sepse derisa njeriu e njeh veten si të mirë atëherë nuk mund të jetë njëkohësisht edhe i keq kur veprimet e tij nuk reshtohen me parimet e mirësjelljes dhe shpik shfajësimin shpëtimtar, “se duhej bërë e keqja” kinse si barazim ose për hir të mirësisë, ndonëse e përdredhur.

Ndonjëherë njeriu i arsyeshëm mëkaton edhe pahiri por edhe qëllimisht duke synuar “shpërblimin e shpejtë” ose “fitimin fët e fët” nga joshjet e tundimet ndonëse ngazëllime të përkohshme kur dihet se përfundimisht paguan më shtrenjtë për pasojat ngase rruga e shkurtër pa vuajtje nuk sjell zgjidhje të përhershme dhe nuk e arsimon njeriun (iluminim) si mendjendritur, as nuk e fisnikëron por e dinakëron ose ndoshta vuan nga vetëmashtrimi dhe përjetësisht poshtëron veten.

Megjithëatë truri i njeriut mashtron edhe ndërdijshëm kur fitimi ose shpërblimi nuk është i drejtëpërdrejtë por thjesht nga ndërhyrjet e papritura, “papikëlidhtas” ose papërkimthi me arsyen, si bujaria e bamirësia e shpërthyer vetëvetiu kur dikush rrezikon jetën duke shpëtuar tjerët, si dhe ngacmimet e përshtypjet e thella nga shkuarsia kujtesore ose frika e ankthi, joshja e tundimi apo lodhja e tronditja.

Rrjedhimisht, dallojmë dy mendje; e para është mendja e mirëfilltë ose “Vetëngasja” apo “veteca” e pavarur që vjen kurdistas gati për mirëqenien tonë, nga Krijuesi ose Mençuria Hyjnore e Përsosur (ose Natyra), sepse afërmendsh si çdo pajisje tjetër edhe trupi i njeriut shoqërohet qenësisht me doracak udhëzimesh të brendshme si lloj “autopilot-I” (vetëngasës ose vetëngarës) ngase p.sh., njeriu nuk ka mundësi dhe as shkathtësi ta mbikqyrë e mbarështojë punën e zemrës por rrahjet janë të programuara si gjenet ADN-atike; ndërsa mendja e dytë është “VetëDija” e esëllt pasi që, filozofikisht Mëshira Hyjnore nuk e robotizoi dhe as nuk e robëroi njeriun me argati e anëtarësi, por përkundrazi e bekoi me vullnetin e lirë, ndonëse të kufizuar, që ta ushtrojë drejtësinë e përzgjedhjes me dëshirë dhe pronësimit të përgjegjësisë, ta shijojë jetën me begatitë, të gabojë e mëkatojë nga mospërsosmëria por edhe të mësojë e të pendohet dhe të mos i përsërisë gabimet e njëjta, sepse pas dështimit herën e tretë, ose është sjellje qëllimisht e metë, ose pajisje e prishur.

Kjo më së miri mund të kuptohet shëmbëllimthi nëpërmjet të kompjuterit ose telefonit të “urtë” (anglisht: “smartphone”) sepse këto pajisje elektronike përmbajnë dy lloje udhëzimesh veprimtarie programatike ose dy sisteme; i pari është programthi guaskor që digjitalisht nget komponentet fizike, i njohur si “BIOS” (ose “firmware”) furnizuar tog me pajisjen e prekshme fizike “harduerike” që kurdiset nga fabrika si dhe sistemi operativ si “Windows” ose “Android” etj., të cilit i ngasin dhe mbarështojnë vullnetlirshëm vetë pronarët përdorues.

Mjerisht, siç ngatërrohet e alivanoset kompjuteri, e njëjta ndodh edhe me njeriun nësë cenohet vetëdija nga vlerat ndryshore të panjohura (anglisht: “unknown variables”) dhe mund t’i ndodhte si Ajnshtajnit, po ashtu edhe sot “Artigjencës” (Inteligjenca Artificiale “IA” ose anglisht: “AI”), por e keqja është se vetëdija është e privuar nga vendimmarrja.

Thuhet se ndonjëherë kohëpaskohshëm kur Ajnshtajni kthehej nga puna e gabonte derën e shtëpisë dhe shqetësonte fqinjën e pamartuar. Kjo mund të arsyetohet sepse truri sipas Frojdit ka prirje për shpërblim e fitim dhe dinakërisht i shmanget dhimbjes ose vuajtjeve, ndoshta ndërdijshëm Ajnshtajnin e bindte “Vetëngasja” ose ndërdija e nxitur nga bukuria e fqinjës, ose risia, derisa “Vetëdija” ishte e zënë nga matematika, ose thjesht e lodhur dhe i duhej pushim me bredhje diku ndryshe.

Mirëpo cili është shpërblimi kur mendja ta hedh tymthi dhe të çon rrugës së gabuar, kinse kapaku i serbatorit të veturës, depos për karburant, është në anën e kundërt të shoferit edhe pse veturën e nget vite me radhë dhe “Vetëdija” e pandikuar e di se s’është e vërtetë dhe kjo gafë nuk ka lidhje me shpërblimin as me gjitonen e gjorë?

Si përfundim, nuk ka shpjegim tjetër përveçse ndërhyrjes nga ndërdija ose “vetëngasja” e saj që privon “vetëdijen” nga vendimmarrja e esëllt, prandaj sa për mbrojtje nga pasoja duhet stërvitur vetëdija që të zgjohet si shkrehës vetëvetiu kur përzgjedhim duke marrë vendime.

Zgjim e zgjuarsi, shqyrtim e shpërblim!

© Burim Bardhari