Andej-Këtej

Udhëtimet janë jetë plus - Nga Çapajev Gjokutaj

Dy javë të shkuara qëndruam për pak kohë në Romë. Tani, pavarësisht se ditët po kalojnë, jo dhe aq rrallë e kap veten duke u endur në vende të ndryshme që më kanë mbetur në kujtesë. Gjithçka kujtoj është e mbrujtur me jetë, gjallëri, muzikë, art, aroma e shije. Dhe s’di të them nëse përjetimet reale, ato që provova në Qytetin e Përjetshëm, janë më të bukura sesa këto që përjetoj tani, spontanisht e krejt të fragmentuara.

Gjithsesi një gjë di ta them me siguri: udhëtimi është jetë plus. Jo vetëm udhëtimi në vende të huaja e qytete të mëdha, por edhe një udhëtim në Shëngjergj, Nivicë a Vermosh. Të ikësh qoftë dhe një a dy ditë nga rutina e përditshme, do të thotë të lodhesh fizikisht e të çlodhesh shpirtërisht e mendërisht, të zbusësh stresin e të rritësh burimet e kënaqësisë.

Çlodhje e madhe të udhëtosh e të shohësh vende të tjera, jo rrugën, kafen a marketin ku shkel përditë e të janë bërë si xhupi i pensionistit, që vishet në tetor dhe hiqet në prill. Ajo që bën përditë rrallë le gjurmë, kurse udhëtimet kujtohen e rikujtohen. Dhe jeta nuk është aq ajo që përjeton njeriu, por sidomos ajo që lë gjurmë e mbetet në kujtesë, si pjesë jotja, si dëshmi që vetja ia tregon vetes.

Udhëtimet janë jetë plus edhe në një rrafsh tjetër: ashtu jashtë rutinës, monotonisë e përgjumjes, shqisat dhe intuita freskohen e gjallërohen dhe ti e sheh tjetrin, bashkëudhëtarin, të afërmin në një dritë tjetër, e njeh dhe e çmon më mirë e më thellë. Për të mos thënë se sa më shumë kujtime të përbashkëta të kesh me tjetrin, aq më e thellë bëhet lidhja.

Duke davaritur rutinën dhe zbutur stresin, udhëtimet të bëjnë të ndihesh më mirë por edhe të mprehësh gjykimin e arsyetimin, të plotësojnë e të vetpërmbushin, të shtyjnë ta kuptosh më mirë veten në raport me të tjerët e me botën. Parë kështu nuk janë vetëm udhëtime në vise të tjera, por edhe çapitje brenda vetes. Me një fjalë sheh e shijon pejsazhet e vetvetes, i retushon e i përsos.

Do shtoja edhe një gjë tjetër që dëshmon se udhëtimet janë jetë plus, vetëm ju lutem mos ia thoni kujt. Këto ditë kur nis e bie mbrëmja, jo njëherë e kam kapur veten duke përjetuar magjinë dhe intimitetin e rrugës Monserati mbrëmjeve të Romës. Dhe më është dukur e çuditshme që atje vazhdon jeta, me të tjerë, po vazhdon. Ndoshta ka pak xhelozi në këtë përjetim fluturak, po ç’t’i bësh, jeta s’do qe jetë plus po të mos i kishte të gjitha, të mira e të liga.

© Çapajev Gjokutaj