Lexim i një nate vere - Nga Shaban Murati
- Published in Andej-Këtej

Në lagjen e fëmijërisë sime në qytetin më të vjetër, Durrësit, kishim një plakë të mençur dhe të urtë, e cila pinte kafe shpesh me nënën time, dhe shkonin si motra. Unë e kisha dëgjuar disa here nënë Nurije Sharrën, nënën e shokut tim të ngushtë dhe sportistit të mirënjohur Xhavit Sharra, që sa here binte muhabeti për marrëdhëniet e saj të acaruara me djalin e saj më të madh, (ajo kishte tre djem), i cili nuk i fliste nënës për hatër të gruas së tij, megjithëse jetonin bashkë në një hajat, psherëtinte me dhimbje nëne dhe përsëriste dy vargje perlë:
“Dy gisht vend,
të le pa mend!”
Unë sapo kisha nisur të shkruaja vjersha dhe me patën befasuar dy vargjet e saj monumentale. Ishin një kuintesencë filozofie, jete, marrëdhëniesh njerëzore, morale, biologjike, metaforike, alegorike, etj., me një forcë të jashtëzakonshme artistike dhe pa përdorur asnjë fjalë erotike.
Më vonë studiova në Fakultetin e Letërsisë, ku lëndë të posaçme kishim folklorin shqiptar. Natyrisht kam lexuar libra të panumërt poezie dhe proze, por nuk hasa kurrë një dyvargësh kaq emblematik dhe sintetik, sa vargjet e plakës së mençur Nurije.
Urtësia dhe mençuria popullore është një thesar, që zbulohet rrallë. Prandaj m’u kujtua në një natë të bukur vere dhe po e ndaj me miqtë e mi.
© Shaban Murati