Andej-Këtej

Elegji për duhanin - Nga Bamir Bebeziqi

Në kompaninë ku punoj prej 17 vitesh, e kam si ritual, që çdo ditë në orën 9 të mëngjesit në një pushim teknologjik të dal dhe ec përqark saj. Ecja më qetëson e më jep energji për të përballuar pjesën tjetër të ditës dhe më është bërë si drogë. Dal dimër apo verë, me vapë apo me të ftohtë, e të vetmet ditë që mungoj, janë ato me shi, apo kur bie borë e dendur. Jashtë, diku në një skaj të kompanisë gjendet një tavolinë pikniku. Nuk përdoret për të ngrënë, as për të pushuar. Ajo pëdoret veçse për duhanxhinjtë e kompanisë.

Shumë vite më parë nuk gjeje çast të ditës, që atë vend ta gjeje të lirë. Gjithmonë qe i zënë, gjithmonë me duhanxhinjtë që i gëzoheshin cigares. Kujtoj në fillim ishin ndoshta 30 apo 40 vetë që frekuentonin atë tavoline e nga pak, me kalimin e viteve numri filloi të zvogëlohej, e sot me keqardhje mund të them, se atë tavolinë e viziton vetëm një një vajzë e re, e cila duket si emigrante e sapo ardhur, pasi e shikoj që zbret nga autobuzi, që ndalon enkas për të, përballë kompanisë. Ajo nuk hyn drejt e në godinë, por i fut një të ndaluar tek tavolina dhe ndez një cigare.

Si ka mundësi, që numri i përdoruesve të duhanit të bjerë kaq poshtë?

Kur nisa jetën në Kanada para 25 vjetesh, në kompaninë e parë ku punoja, në pushim mund të ishin gati 100 punonjës që ndiznin cigare. E kam të fiksuar atë grup. Në një kompani tjetër ku punova për disa kohë, në pushim, nga ana e pasme e ndërtesës grumbulli i duhanxhinjve ishte akoma më i madh. Më bënin përshtypje që duhanxhinjtë më të mëdhej, qenë gratë dhe vajzat, të cilat sapo kishin emigruar nga Europa Lindore.

***

Kur isha i vogël, kujtoj që gjyshja ime nga ana e tim eti, mama, pinte cigare çdo dite. Kur u rrita pak, kuptova se ajo nuk kishte pension të mjaftueshëm të blinte një paketë në ditë, por ajo blinte një në çdo tri ditë dhe i ndante 20 cigaret e një pakete në 7 cigare, 6 cigare e gjysëm e 6 cigare e gjysëm. Për të pirë gjysmën, kishte blerë një pipë të vogël se ajo e shkretë gjysëm cigare “Partizan” nuk mund të thithej direkt në buzë.

Jo i zakonshëm për konsum cigaresh qe im atë. Gishtat e zverdhuar ishin dëshmia më e mirë. Ai pinte edhe 3 paketa “Partizan” në ditë, sidomos në sezon provimesh e sa herë kujtoj, që në 7 të mëngjesit pak para se të nisesha për shkollë, më urdhëronte që t’i blija një paketë në kinkalerinë tek oborri i Fermentimit të duhanit.

Po të flasim për duhanin, gjyshja nga nëna ishte kampione. Ajo nuk kishte pushim. Me njërën ndizte tjetrën e kursente edhe shkrepsen me këtë rast. Duhanin ajo e kishte filluar kur humbi vajzën e parë vetëm 16 vjeçe, së bashku më të vëllanë e vetëm, 26 vjeç, dikur në vitin 1943. Po ku e gjente ajo duhanin?

Babgjyshi im nga nëna, pasi përfundonte punën e mësuesit, vinte në shtëpi e merrej me kultivimin e duhanit. Ai pat bërë biznes disa vite duke shitur duhan, bile pas luftës, për atë duhan ka ngrënë edhe dajak, pasi i kërkonin tatim-fitimin e luftës. Babgjyshi, di që ka vdekur nga kanceri në mushkëri e me siguri, duhani duhet të ketë kontribuar qe ai të ikte nga kjo botë.

Edhe gjyshi nga im atë e ka pas thith me shumë qejf tymin e duhanit, ndonëse vuante nga tuberkulozi. Ka madje foto me cigare në dorë.

Pra nga të gjithë krahët, rrjedh nga familje duhandashëse, por për fat të mirë vetë nuk e kam pirë duhanin. Mundet të kem mbi 25 vjet që kam pirë cigaren e fundit. Kjo nuk do të thotë, që nuk kam qenë thithës tymi, që e nxirrnin të tjerët me kënaqësi. Ndoshta edhe më keq kjo.

***

Tek rruga që zbret nga Bashkia poshtë e merr djathtas për tek rruga e Portit, aty pranë shkollës “Mujo Ulqinaku”, gjendeshin disa pemë gjethemëdha, që prodhonin një lloj fruti si bishtajor, që në verë merrte një ngjyrë të kaftë të errët. Ajo ka qenë cigarja e parë për ne si fëmijë. E merrnim, i vinim flakën tek maja dhe e thithnim. Më pas kur u rritëm pak, erdhi rradha e leshterikut tek AGIPI. E merrnim leshterikun e thatë, e thërrmonim me duar dhe e dridhnim në një copëz gazete. Kjo ishte cigarja e dytë në rritjen tonë, deri sa filluam të kemi ndonjë lek e me 2-3 lekë mund të blinim cigare të hapura.

Kështu niste edhe duhanpirja, që për shumë moshatarë të mi filloi në atë kohë e vazhdon përjetë. Në fillore nuk kujtoj të kemi patur duhanxhinj, por në tetëvjeçare filluan të shfaqeshin. Duhanxhinjtë i gjeje lehtësisht pas shkollës, tek lagjet pas apo tek banjot, e shpesh fillonte rituali i thithjes së një cigareje me radhë.

Më kujtohet zysh Pulia që pyeti Dolorin, një nxënës tek shkolla “Maliq Muço”.

-Dolor e pi cigaren ti?

-Jo zysh, nuk e pi dahonin unë!

Vetëm nga përgjigja, kuptohej se Dolori e thithte mire dahonin.

Në gjimnaz u shtuan duhanpirësit. Më i shquari ishte Pici, më pas tij vinte Bujar Çela, por kishte shumë edhe nga klasat paralele, ku Eduard Bejko ishte kampion, se mbante gjithmonë paketë me vete. Gjimnazi kishte edhe shumë të tjerë që pinin duhan e nuk po dua të përmend emra.

Në stazh, në Rreth-Greth, në dhomat ku luanim bixhoz nuk ia dallonim dot fytyrën njeri-tjetrit, se nuk na linte tymi duhanit.

Në universitet, prapë u ndesha me duhanxhinj, më i fuqishimi ishte një student nga Erseka, Leonard Abazi. E kishte tmerr kur ndonjëri vinte e kërkonte t’i ndizte cigaren, pasi ai mbante gjithmonë shkrepse me vete.

-Ej, kur han mut, mbaje edhe lugën me vete, - i thotë një ditë një shokut tone, i cili gjithnjë i binte qylit e nuk blinte shkrepse.

Duhanxhinj ishin edhe Armandi, Qemali, Ben Kola apo Genc Hamzaraj, por në zborin tre-mujor studentor, konsumi i cigares kapi lartësi të papara.

Unë si gjithnjë, megjithëse midis duhanpirësëve, asnjëherë nuk më tërhoqi ajo e shkretë cigare. Kujtoj në jetë kam blerë vetëm njëherë paketë, atë ditën e 11 Prillit 1985. E bleva, që t’i vija fre gojës, se ikje për dhjamë qeni në atë kohë.

Pas universitetit duhanxhinjtë u shtuan shumë në punë, ku URT-ja kishte kampionët e saj.

Tani do më duhet të përmend njerin, të cilin nuk besoj se e mund njeri për konsumin e cigares. Ky ishte Shit Rexha, i cili nuk duronte që cigarja të digjej deri në fund, por sa shkonte tek gjysma e fikte dhe ndizte tjetrën. Prej Shitit me siguri kam marrë një doze të jashtëzakonshme tymi duhani edhe unë, pasi xhakovento dhe rrobat vetëm era duhan më vinin.

Përmenda vetëm shokë. Po shoqe a kam patur ndonjërën që e pinte duhanin apo që mbante edhe paketë? Kam patur, bile i kam edhe në Facebook. Ka që edhe do e lexojnë këtë shkrim, por nuk po dua t’ua përmend emrat. Po i le anonime.

***

Eh sa shumë shkrova për duhanin, e më vjen çudi sot se si u pakësuan përdoruesit e tij me kaq shpejtësi.

E kush qe arësyeja qe konsumi i duhanit ra, megjithëse ishim mësuar me reklama të "Marlboro" me vajza të bukura e me aktorë Hollywood-i, si John Wayne apo Clint Eastwood e të tjerë?

Konsumi ra atëhere kur njerëzit filluan të kuptonin se duhani ishte i dëmshëm për shëndetin.

Përmenda gjyshin tim, kultivues të duhanit, i cili vdiq me kancer në mushkëri. Me kancer në mushkëri vdiq edhe Shit Rexha vetem 62 vjeç. Me kancer në mushkëri vdiq edhe konsumatori tjetër i madh i duhanit, Bert Çezari, pa mbushur 60 vjeç, Thoma Shkurti vetëm 57 vjeç, apo Tod Bezhani pa mbushur 50 vjeç. Këta kujtoj unë vetëm nga URT-ja.

U deshën të kalonin 100 vjet që njerëzit të kuptonin dëmin nga duhani. Po sot? Kush e zëvendësoi duhanin?

Ah, po, e zëvendësoi marijuana, që po legalizohet, apo drogërat e shumta në treg. Kompanite farmaceutike po luajnë një rol të konsiderueshëm gjithashtu, për të mbushur boshllëkun. Njerëzit, përdorues sot të drogërave, do ta kuptojnë dëmin që po i bëjnë vetes ndonjë ditë a ndoshta pas shumë vjetësh, por jo pa kosto. Do të ikin plot në atë botë e të fuqishmit, do të fërkojnë duart, me pasuritë e tundshme dhe të patundshme, që do venë, mbi kurriz të humbjes së jetës.

Eh…, shkak i këtij shkrimi u bë ajo tavolinë pikniku që ka mbetur e vetmuar, në oborrin e kompanisë sime.

© Bamir Bebeziqi