Aktualitet

Gazetarët e Diasporës dënoncojnë dhunën e policisë së Edi Ramës

Deklarate e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës

Opinioni u njoh të Martën me dhunën e egër të ushtruar ndaj gazetarit Ergys Gjençaj dhe sjelljen e vrazhdë ndaj gazetares Klodiana Lala nga policia e Edi Ramës. Ishte një ndër aktet më flagrante kur shteti policor e shikon veten në konfliktualitet të papajtueshëm me misionin e gazetarit për ta informuar publikun mbi një ngjarje që ndodhte para syve të qytetarëve mes uniformave blu dhe krimit të organizuar.

Me praninë e tyre dëshmuese dhe pasqyruese, gazetarët cënuan “intimitetin” midis dy palëve në ngjarje ndaj dhe u bënë viktima të një egërsie me të cilën tashmë qytetarët e Shqipërisë janë mësuar.

Gazetari Ergys Gjençaj iu nënshtrua dhunës fizike policore dhe mbajtjes nën arrest, ndërsa gazetarja Klodiana Lala u përball me dhunë verbal. Kjo, vetëm e vetëm sepse po kryenin detyrën e tyre fisnike, me mjetet më të thjeshta të profesionit. Egërsinë dhe rreptësinë që policia e Edi Ramës duhej ta tregonte ndaj elementëve të krimit të organizuar, e shfryu mbi punonjësit e pafajshëm të mediave.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës, nëpërmjet News24, u njoh me ngjarjen e mësipërme, me reagimet ndaj ngjarjes nga shoqata simotër e gazetarëve, nga kreu i opozitës, nga prokuroria e Tiranës, nga Presidenti i Republikës. U njoh edhe me heshtjen e Qeverisë Rama dhe me heshtjen e shoqërisë civile, të cilën Edi Rama e ka nënshtruar dhe blerë. UGSHPD shpreson që ngjarja e dënueshme të ketë sensibilizuar praninë diplomatike perëndimore në Shqipëri dhe organizatat ndërkombëtare për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të gazetarëve e të mediave.

Në qoftë se dhuna policore e ushtruar ndaj gazetarit Ergys Gjençaj nuk ndeshet gjerësisht me reagimin e fortë kundërshtues dhe dënues nga ana e kolegëve të profesionit, nga ana e intelekualëve, nga të gjithë faktorët e mundshëm pro demokracisë, atëherë edhe kjo ngjarje do të kalojë në harresë dhe do të shndërrohet në rutinë të përditshmërisë në marrëdhëniet e nënshtruara të mediave ndaj regjimit, ashtu sikurse tashmë Shqipëria është mësuar gjatë gjithë këtyre viteve.

Konteksti kohor i kësaj ngjarjeje të rëndë paralajmëron dhe dëshmon rrezikshmërinë e lartë të një mandati të tretë të Edi Ramës për lirinë e gazetarëve dhe të mediave në Shqipëri, dëshmon rrezikshmërinë e lartë të një mandati të tretë të Edi Ramës ndaj çdo aspirate për demokraci dhe shtet të së drejtës në Shqipëri.

28 Korrik 2021