Blog

Hashim Thaçi dhe aktakuza e re - Nga Xhafer Shatri

Duke qenë njëri prej atyre që i është kundërvënë vendosmërisht Hashim Thaçit, që në fillim të sjelljeve dhe veprimeve të tij prej cubi, prej atë ditë që është arrestuar kurrë më nuk jam marrë me të. Pos kur ka qenë vërtetë e domosdoshme deri e pashmangshme.

Nuk jam marrë me të për dy arsye:

E para sepse nuk duhet ta sulmosh kurrë tjetrin nëse ai nuk ka mundësi të mbrohet (Kod, të cilin ai, H.Th., nuk e ka respektuar asnjëherë);

E dyta, sepse kur një person ka telashe me organet e drejtësisë, atëherë gjithsëcili e gjithsecila duhet t’i lënë organet e drejtësisë ta kryejnë punën e vet.

Deri në fund, dhe për arsyen e thjeshtë se çdo person, pra edhe Hashim Thaçi, derisa të mos konfimohet fajësia e tij përmes një aktgjykimi të plotfuqishëm, ai duhet të trajtohet dhe të konsiderohet si i pafajshëm.

*  *  *

Kohët e fundit u bastisën 4 persona të dyshuar se me kërkesë të Hashim Thaçit ishin përpjekur të ndikojnë te dëshmitarët ose t’i “përpunojnë” ata.

Nuk është hera e parë që Gjykata Speciale merr në pyetje ose arreston bashkëpunëtorë të Thaçit për dyshime të ngjashme.

Kam lexuar e kam dëgjuar plot shkrime e prononcime për aktakuzën e fundit që Prokurori i dhomave të specializuara ka ngritur kundër ish-kryetarit të Kosovës, Hashim Thaçit.

Shkrime e prononcime të itdhtarëve apo të kundërshtarëve të tij.

Duke i lexuar e duke i dëgjuar këto shkrime e prononcime u binda për të satën herë se sa i hallakatur, i paqëndrueshëm e kokëpërmbysur është sistemi i vlerave në Kosovën tonë, se sa i ndarë e i shkërmoqur është opinioni ynë publik.

Nuk është këtu në pyetje vetëm padija, sa mendësia vetëvrasëse:

-le të bëhet edhe ma llugë;

-po na e bëjnë për inati;

-kanë rënë nën ndikimin e Serbisë;

-mirë ia paskan bërë se vetë e ka lypë…;

-…

Të paktë qenë ata që ishin me këmbë në tokë dhe e thanë të vërtetën që të bën me e kapë kokën me të dy duart.

Sepse për ata që marrin vesh se si funksionojnë organet e drejtësisë në perëndim, aktakuza e fundit kundër Thaçit është më e rëndë se ajo e para që çoi te arrestimi i tij.

Se përmes saj po del se:

-Hashim Thaçi është përpjekur të ndikojë te dëshmitarët. Këtu nuk po flitet se a është në pyetje frikësimi apo përpjekja për t’i bindur që ata t’i ndryshojnë deklaratat;

-Hashim Thaçi është fajtor, prandaj po përpiqet të ndikojë te dëshmitarët që ata t’i ndryshojnë deklaratat dhe ky, në cilësinë e të akuzuarit të parë t’i ikë me çdo kusht përgjegjësisë…

Nëse Hashim Thaçi ka gisht në këtë përpjekje, ai e ka dënuar vetën pa dalur ende para trupit gjykues. Sepse dëshmitari te organet përëndimore të drejtësisë është individ-institucion i paprekshëm.

Sipas konceptit juridik perëndimor kushdo që cënon këtë status të privilegjuar, vertebral, të dëshmitarëve, ai përpiqet ta fshehë fajësinë e vet.

Natyrisht, për këtë çështje tepër delikate Gjykata Speciale do ta thotë fjalën e vet.

Por, mjafton aktakuza si e tillë që edhe mbi Kosovën të bjerë një hije e zezë që vë në pikëpyetje shumëçka të sajën.

Sepse Hashim Thaçi kur u arrestua ishte shefi i shtetit tonë. Ishte kryetar i Kosovës.

E këtë nuk do të duhej të harrojnë sidomos ata që nxijnë faqet e gazetave e portaleve dhe “analistët” që përjargin ekranet e medieve elektronike dhe shesin mend e tregojnë përralla.

Sepse në qoftë se në gjykimin e pashmangshëm, konfirmohet aktakuza e re, atëherë Hashim Thaçi e ka dënuar vetën (besa edhe Kosovën) pa u ulë ende në bankën e zezë për aktakuzën e vjetër e kryesore.

Zaten, për çdonjërin që ka sadopak tru në kry, është e qartë se personi i pafajshëm nuk përpiqet me ndiku te dëshmitarët…

Të jesh në një burg ultramodern, të stërmbushur me teknologji të fundit të vëzhgimit e të mbikqyrjes, dhe të mashtrohesh se mund të flasësh me gjuhë ose me gjeste, të shkruash, apo të përshpëritësh në vesh të vizitorëve pa u zbuluar dhe pa u zbërthyer çdo gjë nga ekspertë eminentë është marrëzi kulmore.

Dhe, në këtë rast, duhet ta kesh një zor të madh.

Por Hashim Thaçi është një personazh krejt i veçantë i historisë së Kosovës. Që ka dëshmuar radhazi se kur është në pyetje ambicia dhe interesi i tij ai shkel, pa iu dridhë qerpiku, mbi çdo rregull, mbi çdo kod, mbi çdo vlerë dhe mbi çdo interes jetik të Kosovës.

© Xhafer Shatri