Trashëgimi

Boshllëku që la një politikan shqiptar - Nga Luan Rama

Para dy ditësh miku im Arben Iliazi kujtoi mikun e tij Sabri Godo dhe vitet kur ishte gazetar në gazetën “Republika” të Partisë Republikane që drejtonte zoti Godo. Republikani Godo e la gjurmën e tij, ashtu me mënçurinë dhe thjeshtësinë e tij pasi ajo çka bëri në jetë, në letërsi e politikë kishte emrin dashuri shqiptare dhe përkushtim për vendin të cilit i përkiste.

Pas 30 vjet tranzicioni tashmë mund ta gjykosh më mirë peizazhin politik shqiptar, pa mllefe dhe pasione, ta gjykosh në thellësi klasën politike shqiptare që iu desh të kalojë përmes një kaosi nga më të dhimbshmit në historinë e vendeve të ish-kampit të Lindjes Evropiane të “shënuar” me frymën staliniane dhe për më tepër me totalitarizmin. Pas rënies së Murit të Berlinit dhe “dominove” të tjera ku më së fundi dhe Shqipëria, nga imazhi i idealizmit të lirisë për një epokë të re të prosperitetit dhe entuziazmit popullor, shpejt, në vend të demokracisë, populli shqiptar jetoi mjerisht një “demo-kraturë”.

Kam parasysh një fotografi të një gazetari perëndimor në vitin 1997 ku një fshatar me një karrocë tërhiqte një MIG sovjetik për ta çuar në pragun e shtëpisë së tij. Asnjë artist surrealist nuk mund ta imagjinonte një imazh të tillë, as vetë fotografi Man Ray. Kjo fotografi, e kapur në çast dhe në pështjellimin e madh popullor, të klithmës së urrejtjes dhe të armiqësisë, thoshte shumë dhe përmblidhte atë ç’kishte përjetuar Shqipëria deri në atë kohë dhe gjendjen e mjerueshme në të cilën ndodhej në atë përçartje të madhe.

E pikërisht në këtë atmosferë të rëndë të tranzicionit shqiptar spikati një politikan i mençur, një shkrimtar-politikan, Sabri Godo, i cili në vitin 2011, pikërisht në 3 dhjetor u largua nga kjo botë pa zhurmë. Ky intelektual i mirëfilltë, që përjetoi idealin partizan të çlirimit të vendit dhe që më pas ndjeu peshën e rëndë të totalitarizmit, ishte nga të paktët politikanë që në jetën e tij politike kërkoi një rrugë të ndërmjetme, që opozitarët të mos i shihte si armiq dhe që në gjirin e të Djathtës të cilës tashmë i përkiste, të konstatonte dhe kritikonte njëkohësisht gabimet e rënda të Robespierit shqiptar.

Kam patur fatin ta njoh që në kohën e kinematografisë shqiptare, meqë ishte njëkohësisht dhe skenarist e më pas kur e shoqëroja në takimet politike me zyrtarët e lartë të shtetit francez. Një interlokutor i denjë, fjalëpak, i besueshëm dhe largpamës, ai ishte gjithashtu pasqyrë e tolerancës politike që pohonte se rotacioni politik ishte i nevojshëm dhe i domosdoshëm në politikë. Sigurisht, nuk i pëlqente hyrja e biznesmenëve shqiptarë në politikë çka u bë modë, gjë të cilën e shihte problematike dhe gjithnjë e kritikonte, pasi e shikonte si tharmi i korrupsionit të një shteti. Godo ishte nga të rrallët politikanë që u qëndronte larg biznesmenëve-politikanë që bënin “politikë” veç për të mbrojtur aferet e tyre. Miqtë e tij të vërtetë ishin intelektualët. Më kujtohet gjithashtu edhe biseda e ngrohtë e tij me mikun e vjetër Ismail Kadare në shtëpinë e Kadaresë në Paris.

Në politikën e brendëshme shqiptare ai ishte si ai mjeshtri shahist që parashikonte gjithnjë, që në lëvizjen e njëzetë interlokutori përballë do të pranonte mendimin e tij. Dhe kjo kërkonte forcën e argumentit. Si kryetar i Komisionit të Politikës së Jashtme në Parlament, ai luajti një rol të veçantë duke nxitur hapjen e Shqipërisë, integrimet në NATO e BE dhe duke kërkuar gjithnjë reciprocitet veçanërisht me Greqinë. Ishte një mbrojtës i vërtetë i një Kosove të Pavarur.

Më kujtohet vizitat e tij politike në Paris, veçanërisht para dhe gjatë kohës së Konferencës së Rambujesë dhe takimet e tij zyrtare me personalitete të larta. Personalitetet e Kosovës që takuam në Paris e Rambuje tregonin një admirim të veçantë për të si politikan dhe si njeri, pavarësisht nga optikat e tyre të ndryshme politike.

Ja pse Sabri Godo me vdekjen e tij ka lënë një boshllëk në politikën shqiptare. Ishte një figurë politikani që duhej ndjekur si shembull, që përjetoi jetën e tij majtas, e pastaj djathtas, duke qëndruar më pas në qendër si një socialdemokrat i vërtetë. E kuptonte se vetëm kështu mund të përparonte Shqipëria e halleve, vetëm kështu Shqipëria mund të zgjidhte problemet e shumta të trashëguara nga e kaluara.

Sabri Godo asnjëherë nuk u tërhoq nga ofiqet, postet, paratë apo kulti për të lënë emër në histori. Me kalimin e viteve, me davaritjen e reve dhe furive, ne sot e e ndjejmë mungesën e tij. Ishte vetë historia që e vlerësoi...

© Luan Rama