Trashëgimi

Gruaja malësore përmes fotove 100-vjeçare

Pas një shekulli disa nga këto foto janë më shumë se vetëm fokus i një aparati, janë një testament i pasurisë shpirtërore të malësorëve. Janë këto foto, janë këto gra të memorizuara në këto stampime, që tregojnë historinë.

Shqiptarja, arbëreshe apo arvanitase, e Iliridës apo e Shqipërisë, muslimane apo e krishterë, veriore apo jugore, elitare apo popullore, qytetare apo malësore, nuk i ka lënë indiferent të huajt me veshjen e saj tradicionale. Madje, shpeshherë, ajo ka ngjallur kureshtje me veçantinë e stilit të saj.

Veshjet popullore, veshjet karakteristike të zonave dhe krahinave, janë pa dyshim një nga manifestimet më të fuqishme të kulturës tradicionale. Ato janë trashëguese të shumë elementëve, që vijnë nga lashtësia dhe nga mesjeta, por janë njëkohësisht edhe shprehje e marrëdhënieve kulturore me popuj të tjerë gjatë shekujve.

Ndërsa i përcjellim këto foto, shumica e të cilave e ka kaluar shekullin për nga mosha, ne kemi fatin të shfletojmë historinë e etnokulturës, si një nga hallkat më të forta që na mbajnë të lidhur me pasurinë shpirtërore dhe shijen estetike që ata manifestojnë. Sot më shumë se kurrë mund të bëjmë një dallim, një vlerësim, një rishqyrtim të të gjithë atij ansambli shprehës të këtyre vlerave, të kësaj pasurie, të këtij dëshmimi shekullor. Vijnë deri sot, jo vetëm nga fotografitë, por edhe nga kostumet që janë ruajtur nëpër arka dhe sunduqe nusesh dhe plakash.

Por në këtë parakalim fotografik ne mund të njihemi edhe me veçoritë karakteristike të jetës malësore. Fëmijët, gratë dhe nënat shpalosen përmes këtyre fokusimeve ashtu siç ishin. Qartazi ato nuk janë të hareshme, nuk mund të tregojnë me promovimin e vetes së tyre, më shumë se sa një moment ceremonial, atë të fotografimit, ku ajo, gruaja dhe vajza malësore, shqiptare në themel, ndjehen si në një “ndëshkimore”. Secila prej tyre ka diçka të veçantë që kërkon të thotë edhe sot, ndërsa ajo prehet diku në truallin e kësaj toke, këtyre shkrepave.

Ajo, gruaja malësore, ajo mbi të cilën ka rënduar pothuajse e gjithë barra e shtëpisë, nderi dhe sojnija, shërbesa dhe bujaria, është ajo për të cilën kanë shkruar poetë dhe shkrimtarë të famshëm, studiues dhe historianë, rrugëtarë dhe aventurirë, të cilët i hodhi zelli dhe kureshtia në këto male të thepisur, në këtë tokë të ashpër burrash trima e grashë fisnike.

Gruaja malësore dhe në tërësinë e saj, gruaja shqiptare vijnë përmes dëshmive fotografike si një aspiratë e lartë e dëshmisë së vlerave që trashëgojmë.

Burimi: albertvataj.com