Trashëgimi

Në Manastirin e Alfabetit

Nga: Ndue Dedaj

Jemi nisur drejt Manastirit, si qindra të tjerë këtë nëntor, që shënon 110-vjetorin e Kongresit të Alfabetit, mbajtur në këtë qytet të vjetër shqiptar më 1908, duke qenë një nga ngjarjet kulmore kombëtare, vepër e elitave të kohës në Shqipëri dhe diasporë. Në Qafë-Thanë marrim bekimin e Nënë Terezës nga monumenti, që dikur ka qenë vendosur në Aeroportin e Rinasit, paguajmë dyzet euro taksë për makinën për dy-tri orë që do të qëndrojmë në vendin fqinj, sigurisht diçka e padrejtë, kur Mali i Zi për një kalim të tillë kërkon vetëm 15 euro. Mirëpo, për qeveritarët e të dy vendeve, që lypet të krijojnë lehtësira për qytetarët, këto mbase duken gjëra të vogla, ndoshta ngaqë për ta trau i doganave ngrihet pa u ndaluar fare, siç duhet të këtë ndodhur dhe me ikjen e Gruevskit nëpër disa kufij shtetesh pa i hyrë ferrë në këmbë.

Ndalojmë vetëm sa për një kafe në Strugë, aty ku nga liqeni i Ohrit buron Drini i Zi dhe merr udhën drejt verilindjes, për të përshkuar pastaj veriun alpin e në fund për t’u kthyer “kular” kah ana veriperëndimore e vendit. Ky fakt e bën këtë qytet të vogël shqiptar një stacion gjeografik e turistik përherë të lakmueshëm për t’u parë, si dhe një përjetim poetik lasgushian të pashuar. Por ne nxitojmë drejt qytetit të Alfabetit, kështu që koha nuk na mjafton (pos ngjatjetimeve kalimtare) për të folur sadopak me banorët, siç bëjmë zakonisht kudo që vemi në trojet tona. Ohri është një qytet me fizionomi moderne, që përmasën e tij historike e ruan në kalanë e restauruar në anë të liqenit. Nuk i shpëtojmë tundimit për ta vizituar atë, edhe pse për të shkuar deri në Manastir na duhen jo pak, por 76 kilometra rrugë, nëpër fushat plot mollë dhe përgjatë një kurrizi kodrinor. Veçse kësaj here nuk do të flasim as për kalanë, as për mollët e as për marrëveshjen historike të Ohrit të vitit 2001, pasi na presin etërit e alfabetit, që i gjejmë të gjithë “bashkë” në një njërën nga dhomat e muzeut të Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir, në profile skulpturore si të gjallë, rreth tryezës ku nënshkruan alfabetin shqip me shkronja latine, si dhe në fotografitë e shumta nëpër mjediset e muzeut. Ndalojmë fillimisht para fotografisë së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, na bëhet se ka qenë ai tubuesi e përbashkuesi i korifenjve të letrave dhe kulturës shqiptare në atë kongres historik. Kalojmë me radhë te secili nga ata, Gjergj Fishta, Mid’hat Frashëri, Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi, Sotir Peci, Shahin Kolonja, Nikollë Kaçorri, Thoma Avrami, Hil Mosi, Simon Shuteriqi, Mihal Grameno, Mati Logoreci, Dhimitër Buda, Fehim Zavalani, Refik Toptani dhe të tjerë protagonistë të kuvendit të gjuhës, që do të dëshironim t’i quanim me një emër përmbledhës “bashkautorë të alfabetit” – 50 delegatët e Kongresit, nga të cilët 32 me të drejtë vote, por dhe disa personalitete me peshë në çështjen e alfabetit si Prend Doçi apo Faik Konica, që nuk ishin nënshkrues të tij dhe pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në Kongres. Aty gjen pasqyrim dhe dinastia vendëse Qiriazi, rilindës me kontribute të shquara atdhetare arsimore, botuese etj., me figura të tilla si Gjergj, Gjerasim, Sevasti e Parashqevi Qiriazi. Edhe sot, në Manastir ky mbiemër i çmuar ruhet te pasardhësit e Qiriazëve të diturisë.

Manastiri është qytet mesjetar, strategjik, me mbi 100 mijë banorë, i dyti pas Shkupit, i njohur dhe si “Qyteti i Konsujve”, ngaqë aty janë vendosur prej kohësh konsullata nga vendet europiane. Qyteti thirret me dy emra, nga shqiptarët Manastir dhe nga maqedonasit Bitola. Një shekull më parë Manastiri ishte me 96 për qind të popullsisë shqiptare, kurse sot piramida është kthyer kokëposhtë. Nuk mund të themi se raporti është përmbysur qind për qind, ama në qytet ata që flasin shqip janë një pakicë. Por lajmi i mirë është ky muze, i krijuar më 2011, teksa më parë ishte “Shtëpia e Alfabetit”. Muzeu është godina e njohur trekatëshe, ku u mbajt Kongresi në nëntor 1908, asokohe hotel “Iliria”, në pronësi të atdhetarit të përmendur Themistokli Gërmenji, i cili dhe sot në muze të pret si “zot shtëpie” dhe të përcjell pasi të kesh shkruar dy radhë në librin e përshtypjeve gjithnjë hapur, vënë në një tryezë në korridor, poshtë portretit të tij fisnik varur në mur. Kanë shtegtuar deri këtu intelektualët më të mëdhenj të kohës dhe rrugës për këtu kemi folur me miqtë tanë nga Lezha për vështirësitë e atij udhëtimi atë mot të largët drejt këtij skaji të Perandorisë otomane, për ta munduar më në fund të “Sëmurin e Bosforit” me shqipen e tyre, që me alfabetin e saj bëhej gjuhë institucionale. Kanë udhëtuar me siguri përmes Egnatias, po dhe rrugëve të tjera nga të katër anët e trojeve shqiptare, mbetur prej pesë shekujsh mes katër udhëve. Kongresi mund të mbahej dhe në ndonjë qendër tjetër urbane, por ishte klubi “Bashkimi” i Manastirit që kishte hedhur i pari idenë e një alfabeti të unifikuar dhe kësisoj i takonte këtij qyteti nderi për të qenë shtëpia e Alfabetit.

Muzeu ka 6 punonjës dhe drejtohet nga historiani i ri Nuer Arsllani, që ka përgatitur dhe një botim në shqip e anglisht për këtë përvjetor të shënuar, për t’ua dhuruar vizitorëve, që këtë muaj e kanë kaluar numrin dy mijë, siç na thonë. Në faqen e muzeut në “Facebook” janë fotografitë e grupeve të shumta të vizitorëve nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Lugina e Preshevës, Amerika etj.. Ato nuk do të reshtnin as dy ditë më vonë, kur atje u gjendëm ne. Na priti punonjësja e muzeut Edita Bajramoska, një vajzë që fliste gjithë pasion për etërit e shqipes. Kishte mbaruar shkollën e lartë Pedagogjike aty dhe është edukatore në muze, ku në një klasë të pajisur me mjetet e nevojshme didaktike nxënësit mësojnë historinë e gjuhës shqipe dhe jo vetëm. Bashkë me ne, vizitorë të muzeut janë dhe një grup valltarësh të shoqatës “Devolli”, që do të japin koncert atë mbrëmje në Pallatin e Kulturës, një grup vajzash nga Presheva etj.. Na ka bashkuar të gjithëve Alfabeti i shqipes sonë, që nuk i njeh kufijtë zyrtarë të shteteve ku rrojnë shqiptarët. Edita na thotë se për historinë e gjuhës shqipe dhe kulturën shqiptare nuk janë të interesuar vetëm shqiptarët, por dhe nxënësit e mësuesit e shkollave maqedonase. Është e kuptueshme kjo në një komunitet ndëretnik dhe sa më shumë mirëkuptim të ketë mes banorëve të kombësive të ndryshme për traditën e njëri-tjetrit, aq më normale bëhet bashkëjetesa e sotme mes tyre dhe “Marrëveshja e Ohrit” jetësohet më shumë, sidomos tani që shqipja është e njohur me ligj në shtetin maqedon.

Në muze shohim disa relikte të shkronjave shqipe derdhur në metal apo në stilizime të tjera. Janë ato shkronja që nga shekulli XIX u mbartën në shkollat shqipe të shekullit të ri, shpesh të përgjakura. Jo rastësisht njerëzit vazhdojnë ta krijojnë përditë obeliskun e alfabetit të shqipes. Të gjithë ata që vijnë këtu premtojnë se do të sjellin diçka, për ta bërë sa më tërheqës e funksional këtë muze si një qendër e promovimit të gjuhës shqipe historike dhe në stadin bashkëkohor. Kreu i shtetit i Shqipërisë solli 110 abetare dhe ua shpërndau fëmijëve manastiras. Në bibliotekën e re të muzeut shohim kompletin e veprave të Kadaresë, botimet kushtuar Skënderbeut, monografinë e gjuhëtarit Tomor Osmani mbi Kongresin e Manastirit etj.. Premtojmë dhe ne se me t’u kthyer do të nisim libra për këtu. Ndërkohë, shpresojmë se do të gjenden njerëz me mundësi financiare dhe vullnet të mirë ndër shqiptarët, për ta rikonstruktuar fasadën e godinës, pasi kontrastonte jo pak me ndërtesat e tjera historike të Manastirit./panorama.al

Tagged under Ndue Dedaj