Na ishte njëherë-Kafe 'KURSAL'

- Nga: Klodi Stralla
Ndërkohë që “Rilindasit” e sotëm kanë përveshur llërët për të prishur edhe ato pak gjëra që kanë mbetur nga e kaluara e kryeqytetit, për të ngritur në truallin e tyre kulla shumëkatshe, Tirana e viteve ’30-të ka pasur ndërtesa që, edhe sot, në se do të ishin gjallë, do t’ia shtonin më shumë hijeshinë dhe vlerën turistike kryeqytetit tonë. Një godinë e tillë ka qenë edhe kafe “Kursal”.
E vendosur aty ku kryqëzohen rrugët e Durrësit dhe Kavajës, kur ecën drejt sheshit Skënderbej, shumë pranë ish-Parlamentit të para luftës (sot Teatri i Kukullave), Bankës Kombëtare, ish-Bashkisë (sot e rrafshuar) dhe kompleksit të Ministrive të posa ndërtuara të Mbretërisë, ajo ishte një ishull evropian, si përsa i përket arkitekturës të veçantë në llojin e vet, arredimit mbreslënës të ambienteve, por veçanërisht shërbimit të kulturuar, që i krijonin vizitorit të huaj përshtypjen se ndodhej në vendin e vet.
Godina e kafe “Kursal-it” u ndërtua në fundvitet ’20-të, ishte një ndërtesë njëkatëshe, me dy kulla në pjesën perëndimore, të stilit japonez. Ajo kish një sallë të madhe në katin e parë, me rreth 20 tavolina, me një kapacitet modest deri në 100 persona, me banak ballor, ku servirej vetëm ulur. Salla ishte e modeluar në mënyrë moderne për kohën, me perde damasku me ngjyrë vishnje, që kombinonin hijëshëm me dyshemenë me pllaka mozaike.
Nga jashtë mjedisi kompletohej nga lulishtja në formë trekëndëshi, e rrethuar me kangjella të ulëta, me një shatërvan të vogël, që kishte në qendër statujën e një djali me një peshk në dorë.
Lokali frekuetohej kryesisht nga elita e kohës, politikanë, ministra, deputetë, intelektualë por edhe personel i huaj, i akredituar në kryeqytet, si dhe tregëtarë, vendas dhe të huaj.
Kamarierët shërbenin të veshur me kostum të zi, jelekë, këmisha të bardha, me papijon. Në mjediset e brendshme dhe të jashtme nuk servirej vetëm kafe, por gjithçka, pasi në “Kursal” gjendeshin të gjitha pijet e Europës, nga shampanja, vera, uzoja, birra, lloje të ndryshme të likereve të eksportuara, por edhe pije shqiptare, kryesisht raki, birrë, si dhe ëmbëlsira.
Në vitin 1938, në kafe “Kursal” u hap një sallon i veçantë për shkollë dansi nga prof. Stathi dhe në mjediset e tij janë hapur ekspozita pikture të artistëve shqiptarë, si A. Buza, K. Kodheli etj. Ai ishte po ashtu i njohur edhe si lokali i parë i Bixhozit legal në kryeqytet.
Ashtu si në Korçë ajo u rrafshua si trashëgimi borgjeze. Sheshi ku ishte kafe “Kursali” sot është bosh dhe janë të gjitha mundësitë që ai të rindërtohet siç ka qenë, por druaj se qëllimisht është lenë i tillë, i gardhuar, për të pritur ndërtuesin e rradhës të kullës shumëkatëshe për të pastruar paratë e pista të drogës. Fatkeqësi e madhe!