Trashëgimi

I shenjti Pjetër Bogdani, drita e shpresës për kombin - Nga Ndue Ukaj

Ndue Ukaj

Pjetër Bogdani jetoi dhe veproi në një periudhë shumë të zymtë e dramatike për kombin shqiptar, por me guxim të pashoq u bë "ai qe nuk len këtë vend të bahet turk"- thoshin sundimtarët osmanë. Kjo e dhënë e dalë prej armiqve të tij, dëshmon dhe njëkohësisht provon se ç’figurë e rëndësishme për kohën ishte ai.

Bogdani vdiq më 6 dhjetor 1689, 330 vjet më parë. Kurse pas vdekjes së tij, siç njoftoi nipi i tij, Gjergj Bogdani, turqit trupin e tij e nxorën nga varri dhe ua hodhën qenve në mes të piacës së Prishtinës. Ky fund tragjik i jetës së tij, është fillimi i veprës së tij, si frymë shëlbuese dhe si kujtesë identitare.

Bogdani, duke jetuar në një kohë shumë të zymtë për popullin e tij, u mishërua dhe u njësua me fatin e tij, dhe me forcën e dijes e të guximit, arriti të ndizte një dritë shprese për arbnit e plandosur në robëri dhe mjerim.

Shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare, te novela “Raporti i fshehtë” ka shkruar për fenomenin e mungesës së varrit të Gjergj Kastriotit dhe ka tërhequr një paralele shumë domethënëse, mes mungesës së varrit të heroit tonë kombëtar dhe mungesës së varrit të Jezu Krishtit. Dhe për të përforcuar idenë e novelës, ai shkruan: “Zbrazëtia e varrit dëshmon shenjtërinë.”

Në të vërtetë, një shenjtëri të tillë, në një variant tjetër, e dëshmon jeta dhe vepra madhore e Bogdanit, trupi i të cilit u shëmtua dhe iu hodh për ushqim qenve, por u mishërua si frymë e ide në ndërgjegjen kulturore e kombëtare të pasardhësve të tij, që Çetën e morën dhe e përcollën brez pas brezi, si një shandan drite e shprese. Shëmbëllimin më tipik të mishërimit të veprës së tij në jetën kulture të shqiptarëve e gjejmë te figura e Ibrahim Rugovës, i cili mësues e udhërrëfyes në jetë dhe në vepër e pati Bogdanin.

Me këtë rast, po e publikoj një poezi timen kushtuar Bogdanit, shkëputur nga libri “Ujëvara e metaforave”, botuar më 2008.

 

PJETËR BOGDANIT

Sa vështirë e pate t’i mbërthesh gjithë ato male në gjoks

E ti, si shkëmb i rrëmbeve me një gisht

Vërtet ishe shkëmb,

Dhe mbi atë shkëmb u ndërtua shumëçka

Pastaj u rrënua gjithçka

Përpos idesë tënde

Një qen i zgjebosur që të kafshoi për së vdekuri

Defilon gjithë ditën nëpër Prishtinë

Hasi është më i bardhë se bora

Dhe nuk shihet nga Prishtina

Çeta e ideve tua gërryen tokën nënë këmbët tona

Na çart shikimi yt prej shkëmbi

Dhe frikohemi ngase qenin akoma s’e kemi lidhë

Megjithatë, Atë i dashur,

S’na the asnjëherë

Si kapërtheve me një frymë perandorinë e vdekjes

Dhe e ia prishe gjumin prej bishe

S’na the si i mblodhe gjymtyrët pas shtatë kodrave e pas shtatë maleve

Dhe Bjeshkët e Nemuna i bërë të shenjta

Nuk na kallëzove si i kalove me një hap gjitha ato male

Për të shkruar historinë në rrënjë që kalbeshin keq

Mu në zemër të tokës sime

Aty ku të përbaltën

E mbi trupin tënd u ushqyen qen të çartur,

Dhe nga eshtrat e tua u ngritën tempuj të gjithfarshëm

Asnjëherë këtë s’na e the, At i dashur.