Trashëgimi

“Shën” Antoni i Kosovës - Nga Ndue Dedaj

Nga: Ndue Dedaj

Ishte shtatori i këtij viti në Prizren, kur pas dasmës me flamur në familjen e burrit fisnik Pren Kçira, teksa po vizitonim shtëpinë muze të Lidhjes, studiuesi Vilson Mirdita, ambasadori i parë i Kosovës në Gjermani, thotë se pajtimtari i madh Anton Çeta, më 3 janar 2020 ka 100-vjetorin e lindjes dhe duhet bërë diçka për ta përkujtuar. Nuk dimë nëse institucionet akademike e publike në Tiranë dhe Prishtinë kanë planifikuar ndonjë veprimtari me këtë rast të shënuar. Pa dashur t’i paragjykojmë për rastin, zakonisht ne kujtohemi pasi të ketë kaluar data jubilare. Janë disa ngjarje në jetën e një kombi, që për nga shkëlqimi që kanë pasur në kohën kur kanë ndodhur, nuk tejkalohen kurrë. Habitesh se si në rrethana të caktuara historike është mbledhur aq shumë fuqi te një njeri i vetëm. Abdyl Frashëri. Ismail Qemali. Nënë Tereza. Eqerem Çabej. Ismail Kadare. Ibrahim Rugova. Arbër Xhaferi. Anton Çeta etj. Nëse për secilin nga këta njerëz të shquar ka dhe nga një emër të figurshëm, Anton Çeta është cilësuar si “Ati i pajtimit”.

Vështrojmë një fotografi të asaj pranvere 1990, ku paraqitën fëmijët e një shkolle me pamje serioze, bashkë me mësuesit e tyre që rrinë në këmbë dhe mes tyre, ulur për rrafshi, një burrë flokëthinjur me pamje shenjtori. Anton Çeta. Duket se ata të gjithë janë në pritje të një lajmi, të një ngjarjeje, por që vetëm sytë e atij e shquajnë plotësisht në kufijtë e së pamundurës. Ai po e ndien se pajtimi do të ndodhë. Ka mbledhur folkun e popullit të vet, mal më mal e katund më katund, nëpër Kosovë e trojet e tjera shqiptare dhe e di si njerëzit janë përbashkuar në rrethana dramatike për kombin. Skënderbeu i bëri bashkë princërit shqiptarë, të etur për prona e lavdi, në orën e duhur të historisë. Ata nuk mund të vazhdonin më ashtu, secili zot në principatën e vet. Vetëm ai e kishte kuptuar se kishte ardhur koha e unitetit gjithëshqiptar. Pa të nuk do të kishim Lidhjen e Lezhës, që jo rastësisht u quajt besëlidhja, pastaj Lidhja e Prizrenit, Lidhja e Pejës etj. Dhe ngjarjet e mëdha nuk ndodhin shpesh. Nuk thuhet më kot “një herë në njëqind vjet”.

Kosova po rilindte në ‘90-ën, por duheshin sy për ta parë, shpirtra për ta ndierë dhe mendje të ndriçuara për të vepruar. Anton Çeta, duke u shndërruar në misionar madhor i pajtimit, pa e kuptuar kishte zënë qoshen e vet të historisë. Kosova nuk mund të shkonte e papërbashkuar drejt republikës së saj dhe më tej në liri e pavarësi. Të tjerët tashmë dihen. Aksioni i faljes së gjaqeve, që nisi në shkurt të atij viti, nga disa studentë dhe pedagogë të Pejës, në fshatrat Lumbardh dhe Raushiq, ishte preludi i një historie të re në fundin e një shekulli e fillimin e një tjetri. Pajtimi që ndodhi ishte mrekullia dhe ato i kryejnë vetëm shenjtorët, të cilët dhe pse kanë një fe të vetën, iu përkasin të gjithë njerëzve e të gjitha besimeve. Anton Çeta ishte një misionar që nuk vinte nga religjioni, por nga bota akademike. Ai nuk ishte i vetëm në predikimin e faljes së gjaqeve dhe të paqes, por kishte krijuar “çetën” e pajtimtarëve, njerëz në zë që iu dëgjohej fjala, të cilët ishin të besimit katolik, mysliman dhe ortodoks. Ndër ta, akademiku Mark Krasniqi, Dom Lush Gjergji, avokati Bajram Kelmendi etj. Qeveria e Beogradit ishte kundër këtij pajtimi të madh, me “argumentin” se shqiptarët nuk e kanë për traditë faljen!? Dhe pse pajtimi, përmes pleqësive të dheut, ishte i sanksionuar në kanunin e tyre si askund tjetër në Ballkan. Ky kod u zbatua në disa raste dhe në këtë aksion, duke marrë e dhënë besë për tre muaj mes njerëzve që ishin në gjak. Ndërmjetësit nuk ishin pleqnarët e dikurshëm si Binak Alia i Malësisë së Gjakovës, por studentët me fytyra të njoma, që dinin aq mirë të shqiptonin rëndësinë e kapjes së çastit. Si mund të vazhdonin shqiptarët të vriteshin vëlla më vëlla, kur në krye të pushtetit federativ në Beograd ishte një nga më gjakatarët e historisë së Ballkanit, Millosheviçi.

Asokohe, nga Shërbimi i Fshehtë serb përhapeshin qëllimisht fjalë përçarëse, se në krye të pajtimit ishin figura katolike, kur shumica e popullsisë ishte e besimit mysliman, por që nuk ua vuri veshin njeri, përndryshe si do të mund të mblidheshin 500 mijë vetë më 1 maj 1990, në vendin e quajtur “Verrat e Llukës” në Kosovë. Asnjë ushtri, asnjë parti, asnjë ngjarje tjetër kombëtare s’i ka bërë dot bashkë kaq shumë njerëz, çka tregon fuqinë e jashtëzakonshme të pajtimit ndër shqiptarë. Gjysmë milioni njerëz nuk i ka mbledhur në tubim asnjë burrë shteti, cilido të ketë qenë, kryefirmëtar i Pavarësisë, mbret i shqiptarëve, apo diktator komunist, këndej dhe andej kufirit, përpos Gjergj Kastriotit pesëqind vjet më parë. I tuboi pajtimi vëllazëror përballë agresionit të sunduesit. Etja shekullore e lirisë. Anton Çeta nuk do të ishte ngjitur në atë lartësi misionare nëse nuk do të ishte një bir i denjë i traditës, aq sa dhe i shekullit të vet modern. Ai e kishte lexuar mirë të shkuarën historike të shqiptarëve, në radhë të parë madhështinë e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, për të cilin, në simpoziumin e Prishtinës të vitit 1969, do të shkruante se populli ynë e ndriçoi figurën e gjithanshme heroike të tij, së pari me këngët, tregimet e gojëdhënat e veta.

Në 90-vjetorin e profesor Anton Çetës, në Prishtinë është mbajtur një sesion shkencor, materialet e të cilit janë përmbledhur në një botim të Institutit Albanologjik (Dega e Folklorit), ku figura e tij trajtohet si folklorist, pajtimtar, orator dhe shkrimtar për fëmijë. Përmbledhja nis me tri punime studimore të Antonit mbi poezinë popullore, prozën popullore dhe përrallat. Studiuesja Shpresa Hoxha e cilëson “ikonë e pajtimit të gjaqeve”, kurse Dom Lush Gjergji shkruan: “Anton Çeta ndoshta më mirë se askush prej nesh e njihte fare mirë, për së afërmi dhe në brendi e thellësi shpirtin e lënduar dhe të robëruar të popullit shqiptar nga vuajtja, vetmia, izolimi, kërcënimi i gjakhakmarrjes… Shì për këtë ai ishte tejet i motivuar, gjithnjë i frymëzuar në këtë nisje fatbardhë dhe të bekuar, do të thosha edhe më tepër, providenciale”.

Por Anton Çeta ende nuk është kuptuar, në të dyja anët e Morinit, si filozofi. E para, nuk është e urtuar politika lart, më së shumti sherrane e mosmarrëveshëse mes palëve, që të urtohen dhe ndjekësit e saj poshtë. (A nuk po bien dakord prej një muaji liderët e VV-së dhe LDK-së për formimin e qeverisë së re të Kosovës?! A po mbahen disa samite rreth të ashtuquajturit Mini-Shengen Ballkanik, pa praninë e Kosovës në tryezë?!) E dyta, nuk është i kuptuar as nga ata shqiptarë, që pa iu dridhur dora shtien mbi tjetrin, duke shkaktuar gjakhakmarrje edhe sot, çka do të thotë se misioni i Anton Çetës ende është i pakryer deri në fund. E treta, nuk është kuptuar nga një kategori intelektualësh të ekraneve e mediumeve akademike që sillen e mbështillen rreth vetes, si të jenë ata etërit e kombit? Nuk ka si shpjegohet ndryshe që nuk është rënë dakord mes tyre dhe pushtetit se ku duhet ta ketë vendin busti i Anton Çetës. Kurse baca Anton kishte vetëm një mesazh, atë të urtisë, faljes, dashurisë e jo të mburrjes e krenisë boshe. Na jehojnë ende në veshë, sot si atëherë, fjalët e tij të çiltra, më 1991, kur patëm rastin fatlum ta takonim në Shqipëri: “Nuk isha unë, ishin ata, studentët dhe studenteshat e Pejës, Prishtinës etj., që i kryen pajtimet nëpër Kosovë”. Një burrë i shtruar, që e çonte fjalën kah letërsia, kultura, etnosi shqiptar, për ta larguar vëmendjen e bashkëbiseduesve nga vetja e tij. Një shembull tribuni i kohëve moderne, për të cilin kemi nevojë. Njerëzit presin që në këtë jubile, shtatorja e tij të vihet në Prishtinë, Gjakovën e vendlindjes, apo në të dyja, teksa mirditorët e vendorigjinës i kanë ngritur një bust të vogël në Rrëshen.

100-vjetori i Anton Çetës, nga e mbara nuk është thjesht një ditë, por i gjithë viti, për të përmbushur detyrimin tonë karshi kësaj figure emblematike të botës shqiptare, duke nisur mbase që nga Presidenti i Republikës…

Burimi: Panorama