Trashëgimi

Skënderbeu - Nga Ndue Dedaj

Nga: Ndue Dedaj

Skënderbeu, sado figurë në kufijtë e mitit, për shkak të personalitetit të tij të jashtëzakonshëm, ka qenë megjithatë tokësor, si të gjithë njerëzit e tjerë, lagej në shi betejave e thahej në diell krepave, korrte fitore të pabesueshme (natyrisht jo si në përralla, ku sa herë luante shpatën e argjendtë, çahej mali përgjysmë për të kaluar ushtria e tij!), po dhe pikëllohej kur humbte bashkëluftëtarët, zemërohej kur shihte mbrapshti e dredhi përreth dhe mallkonte kur e tradhtonin, jepte besë e merrte besëlidhje, i nxiste nuset dhe dhëndurët të mbillnin ullinj e të lindnin sa më shumë fëmijë, ngazëllente në festa, pinte verë të kuqe dhe ngrinte shëndete shqiptarçe, si e gjithë rrokullia.

Jeta e tij nuk ishte përditë, përjavë e përmuaj luftë. Lufta nuk ishte “pasioni” i tij, por detyrimi i patjetërsueshëm historik. Ai luftonte që të mos kishte luftë. Dhe përderisa liria nuk kishte ardhur, ai vazhdonte të luftonte. Jo 24 orë, 24 muaj, por plot 24 vjet! Sa asnjë hero tjetër në Europë e për Europën, duke u kthyer në një shëmbëlltyrë e saj. Në Krujë kishte selinë e shtetit të vet Arbnor, ku gjallonte me ministrat dhe diplomatët, përpunonte strategjitë dhe aleancat që duhej të ndiqte për betejat, jo vetëm ushtarake. Prej aty i shkruante letra Perëndimit e, kur ia donte puna, merrte udhën dhe vetë për në Raguzë, Venedik, Romë, Pulja etj., ku pritej si hero. Një burrë shteti, në të cilin ishte mishëruar kryeprijësi dhe kryekomandanti epokal i shqiptarëve, që nuk kishte pasur më parë një si ai e nuk do të kishte më një të dytë.