Trashëgimi

Po, o nanë, po… - Nga Havzi Nela

Po, o nanë, po,

N’emën të ligjit jam arrestue,

E duert m’i kthyen prapa policët e zi,

N’hekur me tutjus m’i kanë ngujue!

Me gazin 69 u pamë sy ndër sy,

Si me keqardhje m’u ba se më vështroi,

E kur lëshova kambën mbrenda me hy,

M’u ba se psherëtiu, m’u ba se rënkoi!

Ndoshta e ndjeu veten fajtor,

Pse erdhi e më mori përsëri!

Ndoshta i gjori ishte lodhë,

Gjithkah n’udhtim nëpër Shqipni.

Gjithkund tue shkue nëpër atdhe,

Sa djem nanash kështu po i merr!

Si nji kuçedër në “Shqipnin’ e re”

Emni i tij ka futun tmerr!

Ti mos u druej, o Nana ime,

Sido të bahet jam pa faj,

Qëndro malsore, mbahu trime,

Mos e mbyll jetën me vaj!

Djali yt s’ka me t’turpnue,

Gjinin tand s’do ta tradhtojë,

Shqiptar i ndershëm ka me qëndrue,

Po prehnin tand do ta kërkojë.

Ka me dasht me t’pasun pranë,

Ta vështrosh, ta ledhatosh,

E nji fjalë t’ambël me ia thanë,

Plagët zemrës t’ia shërosh!

Pusho, mos qaj, o nanë e mjerë,

Ti me mue s’je kënaqun kurrë.

N’merak e mall ke qenë përherë,

Qysh i vogël dhe sot burrë!

Qysh nand’ vjeç m’ke nxjerrë prej shpie,

Jetim, pa babë, bukën me nxjerrë;

M’shkule nga prehni prej vorfnie,

Vetë jam rritun derë më derë!

Tri ditë bashkë s’i bamë në votër,

Shtëpia jonë nuk qeshi kurrë;

Kurrë s’u ulëm në nji sofër,

Kurrë, o Nana ime, kurrë!