Trashëgimi

Njeriu i mirë durrsak, Dr. Fiqiri Këlliçi - Nga Bamir Bebeziqi

Bamir Bebeziqi - Toronto

E shikoja shpesh në mëngjes kur shkonte në punë dhe pasdite kur kthehej. Vishej bukur, gjithnjë me veshje zyrtare. Kostumit të prerë bukur, i shtohej më shumë bukuria prej trupit të tij të rregullt. E shikoja shpesh shoqëruar edhe me gruan, një grua e fisme, të cilës i binin në sy thinjat, që ia shtonin fisnikërinë.

Ishin të dy mjekë, të dy përfunduar studimet diku jashtë Shqipërisë. Banonin në pallatin tim, por nuk kisha patur ndonjëherë rastin të flisja me ta.

Një ditë gushti, viti 1976, gjej sipër krevatit të prindërve të mi një pako të mbështjellë bukur.

Mbi të ishte shkruar: “Për Sofijen dhe familjen, nga Vera, Berti."

Vera, ishte tezja ime e cila ato ditë ishte kthyer përfundimisht nga Italia, bashkë me të shoqin. Kishin punuar në Ambasadën shqiptare atje për 4 vjet. E mira teze, kishte përgatitur nga një pako të vogël për të gjithë motrat e vëllezërit.

Me kuriozitetin e një 14 vjeçari, hapa pakon. Gjeta një këmishë burrash, një triko grash, një triko golf dhe një këmishë të çuditshme. Këmisha ishte jeshile e errët me lule të vogla, me një jakë të madhe.

Sa e pashë këmishën, mendova se ishte për mua dhe pa u menduar dy herë e vesha. Dola para pasqyrës e rrotullohem. Këmisha kishte pjetina nga para dhe pas. Me këmishë të veshur, dal dhe shkoj tek kopshti i nënës sime, diku para pallatit.

Nëna sa më shikon filloi të qeshë e më thotë: “Çfarë ke bërë kështu? Këmisha nuk është e jotja. Është këmishë grash. Këmisha është e doktoreshë Hënës.”

Pasdite nëna vjen në shtëpi e përpiqet ta hekurosë këmishën, pasi qe rrudhosur pak. E palos bukur e fut në një qese e më thotë që ta çoj tek shtëpia e doktoreshës e t’i thoja që është një porosi nga teze Vera.

Marr këmishën dhe shkoj në hyrjen tjetër ku banonte doktoresha. Trokas në derë dhe më del doktori, i shoqi. I tregoj se cili jam dhe i dorëzoj porosinë e tezes. Ndërkohë doli edhe doktoresha e cila më falenderoi. Për herë të pare po flisja me atë çift simpatik.

Më duket se e pashë vetëm një ditë doktoreshën me atë këmishë veshur, pasi nuk kaloi shumë dhe doktoresha ndërroi jetë. Ajo kishte disa vite që vuante nga një tumor malinj në faqe. E kishin dërguar edhe në Itali për kurim. Në Itali ku ishte takuar me tezen time dhe ngaqë nuk kishte patur kohe të blinte diçka i kishte dhënë disa para  dhe i qe lutur  t’i blinte një këmishë, këmishën që une vesha atë ditë.

Doktoresha vdiq e re, pa mbushur të pesëdhjetat e nuk e di nëse ndonjëri e ka permendur atë doktoreshë, intelektuale klasi, një grua zonjë. Pas largimit në heshtje të doktoreshës, doktori mbeti vetëm. Ai çift, nuk kishte fatin të ishte zbukuruar me ndonjë fëmijë.

Pas ikjes së doktoreshës, doktori vazhdoi të njëjtën rutinë, çdo mëngjes e pasdite, si gjithnjë i rregullt me një dosje dhe një çantë të vogël stetoskopi në dorë.

Një ditë, duhet të ketë qenë fillim i viteve ’80 e shikoj doktorin me një tufe të madhe lulesh në dorë. Me siguri ndonjë dashuri e re kishte lindur, pasi për një xhentelmen si doktori, lulet janë dhuratë që vetëm zemrat e dashuruara dinë ta bëjnë.

Qe e vërtetë, doktori u lidh në një tjetër dashuri. U lidh me një mësuese nga Plazhi, një grua zonjë, e cila edhe ajo vinte nga një martese e pafat. Kishte edhe një vajzë të vogël, 5-6 vjeç në atë kohë.

Doktori tani u bë me një familje të re e nuk kaloi shumë, e shoqja i dhuron një djalë, të cilin doktori e kishte ëndërruar prej vitesh. Aq shume e kishte pritur atë djalë sa i ngjiti edhe emrin e të jatit të tij. Për shumë, ai emër tingëllonte  anakronik, por për doktorin dhe të gjithë që e njihnin, emri i djalit, qe një emër i njohur, i një mësuesi veteran shumë të respektuar.

Në vitin 1986, familja ime lëvizi brenda për brenda pallatit dhe apartamenti i ri, qe pikërisht nën apartamentin e doktorit.

Babai i doktorit dhe gjyshi im, kishin punuar prej shumë vitesh mësues bashkë në shkollat e Shijakut e përveç kësaj, nëna ime kishte qenë në një klasë me të vëllanë e tij.  Edhe gruaja e doktorit njihej me prindërit e mi, si kolege, por ajo kishte qënë edhe shoqe klase për shumë vite me dajën tim të vogël, keshtu që me atë familje u lidhëm krejt natyrshëm

Miqësia jonë me ta u forcua më shumë, sidomos pas një aksidenti të rëndë timin në Tetor 1986. Punoja ne Radio-Stacion dhe prej një pakujdesie, rashë nën tension të lartë, që u shoqërua me humbje ndjenjash dhe djegje te pjesshme.

Doktori më ka trajtuar për rreth tre muaj deri sa plagët e djegjes u mbyllën, plagë, gjurmët e të cilava mbetën përjetë në trupin tim. Doktori punoi me shumë pasion, që të minimizonte dëmet dhe ia arriti. I jam mirënjohës për jetë atij njeriu!

Ndërkohë Tahsini i vogël rritej. Ai kishte një aftësi të madhe të hapte të gjitha dyert e apartamenteve të shkallës. Hynte e dilte serbes e tek shtëpia ime, ka kaluar një kohë të gjatë. Sa herë merziteshim në shtepi shkonim të merrnim Ninin, ashtu e thërrisnim.

Viti ’91 erdhi shumë i vështirë për doktorin. Kishte kaluar të gjashtëdhjetat dhe djalin nuk e kishte më shumë se 7 vjeç, ndërkohë vajza, kishte shkuar në gjimnaz. Jeta e tyre u vështirësua akoma më shumë, pasi e shoqja e doktorit doli në pension.

Problemet ekonomike ia ulën kokën doktorit. Ai ishte i shkollës së vjetër, i shkollës së Hipokratit e nuk e njihte ekonominë e tregut që kishte filluar fuqishëm në Shqipëri. Ai nuk dinte të merrte para për shërbimin e një ditë e shoqja detyrohet te ikë emigrante në Greqi. Punonte dy tre muaj atje, çdo lloj pune, bënte disa dhrahmi e kthehej përsëri. Doktori filloi të lodhej e shëndeti filloi të rëndohej e një ditë sëmuret e nuk kaloi shumë, në vitin 1999 vdes. Kanceri i mori jetën.

Më kane mbetur te ngulitura në mendje fjalët e Valit, të shoqes, fjalë që nuk i harroj derisa të jem gjallë kur më thotë: “Përse nuk erdhe të vizitoje doktorin kur ishte i sëmure? Ai të kërkoi.”

Nuk shkova, pasi nuk doja ta shikoja doktorin të dobësuar e transformuar nga sëmundja. Doja të mbetej në kujtesën time ashtu i bukur, i rregullt, me trupin e drejtë.

Do më mbeten në mendje edhe fjalët e doktorit që më thonte shpesh: “Kirurgët vdesin shpejt,” e ashtu i ndodhi.

Në vitin 2013, në një vaki që ndodhi në shtëpine time e shoqja e doktorit na hapi shtëpinë. Hyra në atë shtëpi, pas gati 20 vjetësh. Pashë orenditë, muret, fotot. Edhe telefoni i vjetër qe aty. Sa kujtime kam me atë telefon!

Sa herë doktori apo e shoqja, do të zbrisnin shkallët të trokisinin në derën time e te më thonin: “Bamir, nje zë i ëmbël të kërkon në telefon,” e une pa bëzajt shumë, me kokën ulur nga turpi, shkoja të flisja, por ata asnjeherë nuk qendronin aty. Me linin të bisedoja i qetë.

Nga shtëpia, më bëri përshtypje, se çdo gjë e vjetër ishte aty. Asgjë nuk kishte ndryshuar, vetëm doktori nuk jetonte më. Djali kishte emigruar në Angli, vajza kishte emigruar në USA, Vali, e shoqja e tij, sa në Greqi, sa në Durrës, sa në USA.

Doktori për të cilen bëj fjalë, është doktor Fiqiri Këlliçi, një intelektual e qytetar klasi, një burrë zotni, i cili iku në heshtje, me të vetmen pasuri, stetoskopin dhe emrin e mirë që la në Durrës.

©Bamir Bebeziqi