Zysha ime Drita Siliqi - Nga Agim Xhafka

Agim Xhafka
Drita Siliqi ka qënë zysha ime në universitet. Me të bënim seminaret e Letërsisë së viteve ‘30. Vinte në auditor veshur me të zeza. I kishte ndërruar jetë bashkëshorti në një aksident ajror, shumë vite para, por ajo ende mbante zi. Bashkëshorti qe një emër i madh për letërsinë e asaj kohe. Quhej Drago Siliqi, potencial në fushën e kritikës letrare dhe një menaxher i zoti si drejtor i shtëpisë së vetme botuese “Naim Frasheri”.
Kur u njohëm në leksione me krijimtarinë e tij pamë dhe një sërë fotosh të një djali kaq simpatik sa nëse nuk do ishte emri poshte do e merrnim për artist filmi. Por dhe zysha jonë Drita, dritë ishte. E bukur sa dhe ne studentëve na dukej ditë me fat në se ajo na buzëqeshte. Kishte një tis trishtimi përherë, por jo që e dërgonte tek ne, por që e shtrydhte si kafen ekspres e na e servirte si një mesazh të butë dhimbjeje.
Sa hynte në klasë, në pranverë, më kërkonte të dilja jashtë e t’i sillja një degë mimoze, nga ato rrotull oborrit të fakultetit. Nxitoja e kur i merrte në dorë nuk i nuhaste aromën, por veç i shihte, sikur bënte një dialog të shkurtër me to dhe kur largohej përherë i harronte, i linte mbi tryezë.
Ndihesha mirë që i sillja lule zyshës sonë aq të mirë. Por dhe i nderuar se përherë më zgjidhte mua si DHL të luleve. Deri sa një ditë e pyeti Turi, shoku im:
-Mund të sjell dhe unë mimoza. Pse veç Agimi?
Drita qeshi, hera e parë që e bëri të plotë, se vetëm buzagazi ishte gazi më i madh i saj, e tha:
-Se Agimi di të zgjedhë lulet më të bukura, andaj, - dhe tregonte me sy nga e dashura ime, ngjitur në bankë me mua.
Qysh atëhere m’u shtua respekti e mirënjohja për të. M’u bë si pjesëtar i familjes, si nëna, a më mirë si motra ime e madhe. Dhe kur na kërkuan pas katër vitesh studime të formulonim temat e diplomës, unë pa hezitim shkrova, “Monografi për Drago Siliqin.” Doja t’ia bëja dhuratë zysh Dritës, si një tufë tjetër mimozash.
Pas kaq e kaq muajsh punë e kërkimesh e dorëzova siç më këshilloi Ismail Kadare, shoku i ngushtë i Drago Siliqit:
-Vendos në hyrje e në mbyllje vargjet e mija për të!
E kështu bëra:
“Ne s’do dalim më në aeroport,
Por në prag të zemrave do dalim.
E ti do vish e do na nxjerrësh mallin...”
Për fat të keq dy vargjet e fundit sot ia them vetes për zyshën time. Se iku lart, u bashkua me gjysmën tjetër të vetes dhe jam i sigurt se atje e ka braktisur trishtimin e syve të saj të butë si kadife...
©Agim Xhafka



