Trashëgimi

Kolë Idromeno, çami i Pargës që u be artist i madh në Shkodër - Nga Saimir Kadiu

 

Saimir Kadiu

81 vjet më parë, më 12 Dhjetor 1939 u shua në Shkoder Kolë Idromeno, një nga artistët më polivalentë që Shqipëria ka patur ndonjëherë…  piktor, arkitekt (projektoi dhe zbatoi mbi 60 ndërtesa private dhe publike gjurmët e të cilave janë të dukshme e të veçanta edhe sot), urbanist, fotograf, skenograf, siparist, instrumentist, kompozitor këngësh shkodrane si dhe organizatori i shfaqjeve të para kinematografike në Shqipëri në vitin 1919. Por mbi të gjitha ai ishte një përfaqësues i shquar i pikturës moderne shqiptare.

Kolë Idromeno konsiderohet si një prej piktorëve më të mëdhenj të shkollës shkodrane të arteve pamore, së bashku me piktorët Ndoc Martini dhe Simon Rrota. Emri i Kolë Idromenos është bërë i njohur me pikturat e famshme “Motra Tone” dhe “Dasma Shkodrane” që e identifikojnë lehtë emrin e autorit si "Mikelanxhelo" i Shqipërisë. Të gjitha pikturat e tjera të Idromenos kanë vlera, sepse secila ka veçantinë e vet artistike. Kolë Idromeno pikturoi portretin e të motres Tone më 1883 në moshën 23 vjeçare që është vepra më perfaqësuese e tij, më realiste, por dhe më e mira në artet pamore shqiptare.

I lindur neë Shkodër më 15 gusht 1860, por me origjinë nga Çamëria. Familja e tij (nga babai) me origjinë nga Arvanitasit e ishullit Hidra të Greqisë, i përkiste besimit ortodoks. Ajo erdhi në Shkodër nga Parga e Çamërisë.

Lidhjen me paraardhësit, Kolë Idromeno e ka paraqitur në pikturën “12 luftëtarët e Pargës në Lundër” ku perjeteson në art trimat luftëtarë të Pargës dhe të mbarë Çamërisë.

Lundra në vetvete mbart një histori sa heroike, aq edhe të dhimshme. Ata që ishin në lundër mund të ishin ortodoksë shqiptarë, që u detyruan të largoheshin, sepse nuk pranonin të quheshin grekë për hir të religjionit. Ata mund të ishin myslimanë shqiptarë që ua mohonin nacionalitetin, tokën pasurinë dhe trashëgiminë, për këte i zbonin me forcë nga vendlindja.

©Saimir Kadiu