Trashëgimi

Muzeu Kombëtar Etnografik i Krujës

Muzeu Kombëtar Etnografik i Krujës është muzeu më unik i Shqipërisë dhe ndër më të rrallët në Ballkan. Ndodhet brenda lagjes “Kala” dhe si banesë i takon shtresës së pasur feudale me karakter të theksuar qytetar, e cila ishte nën zotërimin e familjes së njohur të Toptanëve që ishin edhe drejtues të Krujës. Banesa është e ndërtuar në gjysmën e dytë të shek XVIII (Viti 1764) dhe është e tipit “çardak” e punuar e gjitha me gurë. 

Arkitektura e tij është orientale me koridor të mbyllur, tip kulle, dy katëshe me mure guri me gjerësi 60-80 cm. Në të gjenden piktura të stilit barok, dhe islamik, të cilat zbukurojnë dhomat kryesore të muzeut. Që në hyrje bien ne sy harqet e portave me gur të gdhendur dhe rrugët e shtruara me kalldrëm. Në këtë banesë gjenden shumë elemente të traditës së zonës për mënyrën e jetesës, veshjet, zakonet etj.

Në hyrje janë disa modele burimesh natyrore të ujit të cilat dëshmojnë se Kruja ka patur disa të tilla madje mendohet se edhe prejardhja e emrit të qytetit vjen prej tyre si “kroje”–Krujë.

 

Në banesë dallohet kati i poshtëm që shërben për punimin e veglave tradicionale bujqësore, ambientet për bluarjen e drithit, për shtypjen e ullirit, ambienti për prodhimin e verës dhe rakisë, dhe për të vazhduar më tej me ambientet e punimit të lëkurës, qilimave, etj. Mënyra primitive e shtypjes me këmbë të ullirit në govatë dhe ajo artizanale ose presa janë të ekspozuara bukur. Të veçanta janë dhe amforat që janë përdorur për të mbajtur për kohë të gjatë vajin e ullirit që vendasit e quajnë “magrip”.

Për sa i takon traditave në mënyrën e jetesës bien në sy dhoma e grave ose e nuses ku dallohen objektet e pajës, veshjet me stolitë e qendisura me kujdes me fije ari, argjendi dhe inxhi. Të veçanta janë punimet e dritareve të dritës dhe ato për ajrosje me punime gipsi e druri. Koridori i madh shërben si ndërlidhës i dhomave ku më e bukura është ajo e burrave e përdorur për dasma dhe kuvende. Ajo ndodhet në katin e dytë dhe është më e kuruara, me dekoracione artistike, me tavan me rozetë qëndrore dhe anësore, dhe piktura morale. Interesante është mënyra e vendosjes në të dy anët e oxhakut dhe qoshku si dhe dhoma ku rrinin vajzat e shërbimit. Ekspozimi i armëve tregon elemente të traditës. Një pjesë e tyre janë prodhuar nga mjeshtër vendas.

Pas këtij ambienti ndodhet banjoja me avull (hamami), një nga objektet më të rralla të banesës. Ajo është me një kupolë me ngrohje, në të cilën në një ambient të ngrohtë avulli bëhej masazh.

Një tjetër ambient është dhoma e gatimit ku dallohen enët autentike të gatimit dhe oxhaku. Kuzhina ka të veçantat e saj si enët e përdorimit prej qeramike, druri e bakri, magja e gatimit dhe oxhaku në formën e një aspiratori të madh.

Më tej vazhdohet me dhomën familjare ku ishte e lejuar të qëndronte e gjithë familja, pasi në atë kohë ishte e ndaluar të qëndronin burrat dhe gratë sëbashku. Në dhomën e ndenjies dallohet qoshku ku rrinin fëmijët, për të mos u ulur bashkë me të rriturit për të ngrënë.

Në një dhomë të madhe gjumi janë ekspozuar veshje të traditës katolike dhe myslimane të përdorura nga krutanë ose nga banorë  të zonave të tjera të ardhur në Krujë.

Karakteristikë e kësaj shtëpie janë dyert e ulta që detyronin njerëzit të ulnin kokën në shenjë respekti për të pranishmit.

Në korridor në dalje të banesës janë veglat e marangozit dhe rozeta e tavanit që është prej 300 vjet më parë e punuar në dru të rrallë selvije, gjithashtu qilari ose dhoma e konservimit të frutave e perimeve me dritare të vogla.

Ky muze është kaq i bukur dhe origjinal saqë ia vlen të vizitohet çdo herë që udhëton drejt Krujës së bekuar.

 

Përgatiti: Besmir Toçila