Një analist arbëresh i Komedisë Hyjnore - Nga Dashnor Kokonozi

Dashnor Kokonozi - Francë
Njohja e veprës së Domenik Mauro-s në rininë time më ka ndihmuar shumë të kuptoj arbëreshët e “anës tjetër”, ata që patën ndikimin në shoqërinë italiane të kohës. Se mëse një shekull studimesh më kishin lënë përshtypjen se arbëreshi i mirë është ai që natën sheh ëndrra se turqit kanë ikur nga sytë këmbët, dhe në mëngjes ato ëndrra i beson edhe vetë dhe i shndërron në vargje poetikë.
Domenik Mauro ka qenë shok klase me De Radën në Shën Adrian dhe është pikërisht ky që jep të dhënat e para për periudhën e tij më të hershme. Më tej veprimtaria e tij si krijues e studiues, si bashkëluftëtar i Garibaldit dhe si deputet i parlamentit italian, mund të ndiqet më lehtë.
Ka lindur në Shën Mitër në një familje që cilësohet si «antica e nobile», më 13 Janar, 1812. Me sa kuptohet nga shënimet e De Radës, kanë qenë rivalë të fortë në klasën e tyre. Me interes është një shënim i fq. 22 të Autobiologjisë ku De Rada tregon se në vitin 1837 Mauro kthehet nga Napoli, (ku ndiqte studimet në fushën e avokatisë) dhe ndërsa takoheshin një herë në javë, ata, duke shëtitur rrugëve të Shën Mitrit, i tregonin njëri-tjetrit krijimet e tyre.
Vepra letrare e Mauro-s mbetet për një herë tjetër. Në këto shënime po i bëj një sintezë një punimi tim të 40 vjetëve më parë, për një botim të tij të rëndësishëm mbi veprën e Dante Aligerit.
Megjithë angazhimin e madh politik antiburbon, Mauro më 1840 do të botojë në Napoli librin "Allegorie e bellezze della Divina Commedia", ku përqëndrohet të komentojë Ferrin në një vështrim krejt të vetin.
G. Inziari do të shkruajë më pas te “Enciklopedia danteske” se ai studim shënoi ardhjen e “dantistit më interesant kalabrez të periudhës romantike” (fq. 757). Gjithnjë sipas tij, Mauro synonte të shquante brenda konceptit fetar e poetik, elementët që i jepnin unitetin artistik poemës.
Një ide e tillë u vlerësua nga kritiku më i madh italian i kohës, F. De Sanctis (pa dyshim edhe njohësi më i mirë botëror i Dantes).
Idenë e shfaqur te Ferri, Mauro e rimori dhe e shtriu më pas në të gjithë poemën, gjë që do t’ia paraqesë lexuesit në një botim të dytë më 1862 me titullin "Concetto e forma della Divina Commedia". Suksesi ishte i jashtëzakonshëm.
Për t’i vendosur në një kontekst më të qartë këto shënime, shtoj se studimet dhe analizat e veprës së Aligerit nuk kanë munguar në çdo kohë. Madje fillojnë që me të birin e poetit, vazhdojnë me Bokaçion i cili me porosi të komunës së Firences u ngarkua të shkruajë biografinë e poetit të madh (të cilin ajo vetë, sa qe gjallë e kishte dënuar tre herë me vdekje), por gjykime për të kanë dhënë edhe humanistë dhe iluministë të shquar.
Nuk kanë munguar edhe cilësime si ato të Volterit që e quajti veprën e tij si “hallakatje poetike barbare”. Niçeja do të shkojë më tej duke e cilësuar Aligerin si “hijenë poetike të varreve”, por nuk mungonin edhe ata që thonin se shekulli për t’u kuptuar Dantja ende nuk ka ardhur.
Por sa vetë e kanë njohur në thellësi veprën e tij?
V. Alfieri diku thotë se “edhe pse sot flitet aq shumë për Danten, unë jam i bindur se veprën e tij nuk e kanë lexuar deri në fund as tridhjetë vetë”. Për rastin e D. Mauro-s, autorë të ndryshëm thonë se ai u recitonte Danten të rinjve garibaldinë gjatë çasteve të armëpushimit midis dy betejave për bashkimin e Italisë.
Në atë preiudhë studimet danteske marrin një zhvillim të madh dhe pak vend mbetej për të sjellë gjëra të reja. E përmendur është "Commento analitico della Divina Commedia, i G. Rossetti-t, ku ai këmbëngul në ekzistencën e një gjuhe të fshehtë dhe konvencionale që i përket një sekti antipapal të quajtur "I fedeli del amore", në të cilën do të kishte marrë pjesë edhe vetë Dantja. Për të, vepra e Dantes synonte një reformë politiko-ekleziastike dhe Beatriçja vetë personifikonte autoritetin antipapal.
Në parathënien e librit të tij, Mauro pohon se e gjen të drejtë konceptin e alegorisë si mjet për shqyrtimin e tërësisë së unitetit artistik të veprës, por diku në fq. 235 të veprës së tij thotë se edhe kur Rossetti e sheh Ferrin si shprehje të shoqërisë së korruptuar të kohës, saktëson se një gjë të tillë “e kam thënë unë vetë që në botimin e vitit 1840”.
Për Mauron alegoritë janë gjuha shprehëse tipike e Dantes, janë element i artit të tij, janë “bukuri e pastër poetike”, koncept ky që sipas Inziari-t do të paraprijë shprehjen e famshme (mjaft e njohur në studimet danteske) të T. Eliotit “imazhe të pastra vizive”.
Personalisht vlerësoj shumë edhe mënyrën se si ai analizon vetë personin e Dantes brenda poemës, evoluimin që pëson Poeti duke kaluar nga rrethi në rreth. Duke përshkruar kalimin e tij në Purgator, ai thotë se aty atij nuk i mjafton më shoqërimi i Virgjilit, që e ka ndihmuar të kuptojë të keqen, por ka nevojë për Katonin, që i jep çelësin për të kuptuar të mirën.
Duhet të ndihesh mjaft i sigurtë te vetja dhe te bagazhi i njohurive që zoteron për t'i hyrë një ndërmarrjeje të tillë.
Ashtu siç ishte mësuar dhe interpretonte konceptin e lirisë në veprat e poetëve të madhenj, Mauro është konseguent edhe në veprimtarinë e tij politike.
Në lëvizjet e stuhishme të 1848- ës ai vihet përsëri në krye të 3 mijë shqiptarëve dhe ndeshet me ushtritë e Ferdinandit të Dytë. Kryengritja dështoi dhe për t’i shpëtuar pushkatimit, ai do të arratiset në Korfuz e prej andej në Shkodër.
Prof. Koli Xoxe, gjatë bisedave që bënim në Tiranë, këmbëngulte se D. Mauro njohu edhe Pashko Vasën dhe e bindi ta merrte më vete e ta bëjë pjesë të përpjekjeve të reja të revolucionarëve italianë për bashkimin e Italisë.
Eshtë një figurë që më ka tërhequr gjithë jetën dhe e kam patur personazh të planit të parë në një roman të botuar më shumë se tridhjetë vjet më parë, Shtrati i Prokustit.
©Dashnor Kokonozi




