Trashëgimi

In Memoriam Bujar Lako - Nga Artan Gjyzel Hasani

 Artan Gjyzel Hasani - Toronto

Nuk e kam njohur nga afer, por nga nje bisede me mikun e tij te ngushte, aktorin Leka Sefla, m'u duk sikur gjithnje e kisha njohur Bujar Lakon, një ndjesi nga e cila u frymëzuan këto vargje kohë më parë...

 

Dy vjet pa ty, miku im, dy,

“Nuk janë shumë”, më thua ti që përtej,

dhe ditet ikin si xhirimet e një filmi,

ku une të kërkoj e nuk të gjej…

Por kur bie mbrëmja marr udhën për te ty

se yjet… ti e di…duken veç në errësirë

dhe ashtu… munguar...nga malli përpirë

tymosim kujtime dhe gjerbim vetmi……

E dimë mirë tashmë vendtakimin tonë,

e nuk pyesim më “Ku do të shihemi sonte?”

te ty vihet veç nga një rrugë, mik i mirë,

udha ku gjurmët as fshihen e as ndoten…

E doje shume te Mirën, mik i mirë

por Shemti e botes ishte aq e madhe

dhe Gëzimi i jetës si nyje lidhur

e kur E Bukura kalonte pranë nesh,

“nuk qenka fort e keqe”, thoje,

më vështroje dhe buzëqeshje hidhur…

Jo rrallë shtrënguam duart që s’duhej

duar shpirtërash të njollosur

kur nderi kishte baltë ndër flatra,

e mban mend?

Ika të laj duart në ndonjë rrëke, thoje

në ato kohëra

ku as burimet nuk ishin të pastra…

Më mungon një e shtunë apo e diel

me kafenë e ngrohtë dhe pijet që donim

kuvendimet tona dhe zëri yt i thellë

ku mbyteshin hallet që s’dinin të notonin…

Nuk e ndryshuam dot botën, miku im,

e për inat të saj nuk ndryshuam as veten

por mbetëm dëshmitarë të çka iku pa kthim

dhe dy miq të mirë për njëri tjetrin…

Do pi një gotë për ty sonte, miku im,

në kujtim të çdo gjëje që më fale aq bukur

në kujtim të çasteve që nuk mund të harrohen

Gëzuar, Bujo, se nuk ka ikje pa kthim,

si vdekatarë të gjithëve na bluan dheu,

por shpirtërat e mëdhenj takohen…

Natën e mirë, edhe për sonte… mik i shtrenjtë

më i pranishëm se kurrë me mungesën tënde

me tingujt e heshtjes që më çojnë aq lehtë

në të tjera kohë…

në të tjera vende…

©Artan Gjyzel Hasani (2018)