Trashëgimi

Lasgushi për Naimin - Nga Erget Cenolli

Erget Cenolli

“Ku psherëtin dëshirë e djegur…”

Një kallëzues, një kryefjalë dhe një rrethanor shprehin një filozofi të tërë.

Vargu i Naimit është ngjizur me vuajtje, me mundime me cfilitjet shpirtërore nën dritën e kandilit; të gjitha këto janë përmbledhur në një folje të vetme: PSHERËTIN. Psherëtimat janë rënkimet nën zë për gjithë ato mundime që kalon shpirti, kur sheh vendin që rënkon, shkronjat që mezi mblidhen, librat që duan kohë të shkruhen dhe njerëzit që mbajnë peshën e vuajtjes dhe të ankthit.

Përse përjetohet gjithë ky ankth?! Pa dyshim për “dëshirat e djegura”, ëndrrat e parealizuara të lëna përgjysmë, librat e pashkruar, fushat e malet që rënkojnë ndënë jataganin që s’ngopet me gjak… e deri tek lulëzat që janë mbuluar prej ferrave, tek bilbili që s’gjen prehje shpirtërore e tek malli për njerëzit që nuk jetojnë më.

Dhe ndajfolja “ku”, e cila shpreh një vend të njohur e të panjohur që ndodhet kudo: në tokë, në ujëra, në pyje dhe në shpirt e në zemër. Ky vend është një DHE shqiptar, një vend që mban eshtrat e të parëve, mbart lulëzat e majit, mban gjirin - pjeshkë të vajzës. KY dhe e ky vend është gjithmonë i gjelbëruar, i ndritur e i qeshur, por i gjithmonë i mbuluar nga pjalimi i psherëtimës.

Vetëm me katër fjalë Lasgushi përmbledh, si në një masë të paparë rëndese, fjalë që shprehin gjithë ndjenjat e bukura dhe të mundimshme të njeriut, të shprehura prej poetit dhe filozofit Naim Frashëri.

©Erget Cenolli