Trashëgimi

Ismail Kadare për gjuhën dhe dialektet

Nuk ka askund që dy dialekte të ecin paralelisht. Njëri do të jetë gjuhë standarde, tjetri mundësisht të ndihmojë me pasurimin e tij. Nuk mund të ketë dy gjuhë shqipe. Kjo është naive nga ana shkencore ta mendosh, sepse në të gjitha vendet e botës ka pasur disa dialekte dhe njëri prej tyre, për një arsye ose tjetër, dialekti i një zone, i një qyteti, bile edhe i një njeriu është bërë gjuhë standarde. Që Shqipëria të bëjë përjashtim e të ketë dy gjuhë, këto më duken versione të sugjerimeve që i bëhen kombit shqiptar për t’u përçarë sa më shumë: ka mundësi të ndahen veç gegë e toskë, të ndahen veç katolikë, ortodoksë e myslimanë!!! Janë bërë këto marifete në Shqipëri, janë bërë këto sugjerime të mbrapshta antishqiptare. Nuk ka pse Shqipëria të bëjë dallim dhe ndryshe nga Gjermania, e cila, gjithashtu, ka pasur dhe ka ende shumë dialekte, ose nga Franca apo Italia. Nuk ka pse Shqipëria të dalë tashti me dy gjuhë. Këto janë marrëzitë tona që vijnë ose nga injoranca, ose nga burime krejt të dyshimta. Është pjesë e një programi shumë këmbëngulës për të mbjellë në Shqipëri përçarje me çdo kusht.

Shkencëtarët e intelektualët tanë kanë për detyrë morale një mision para popullit shqiptar; të sqarojnë se si ndodh që një dialekt të bëhet zotërues në një gjuhë. Që u bë njëri nga dy dialektet është një gjë krejt normale. Mund të bëhej dialekti i veriut, mund të bëhej ai i jugut. Natyrisht politika shqiptare diktatoriale donte në çdo mënyrë të bëhej dialekti i jugut për arsye që i dimë, për arsyet e armiqësisë së tyre, instiktive gati, për kulturën veriore të shqiptarëve të veriut, sidomos kulturën katolike. Por kjo nuk mund të bëhej me kokëfortësi kundër rregullave të përgjithshme të kulturës. Gjuha shqipe nuk është një gjuhë indigjenësh që mund të merrej nëpër këmbë nga një byro politike e cila përbëhej kryesisht nga injorantë. Gjuha shqipe është kaq e formuar sa që kurrsesi nuk mund të deformohej në këtë mënyrë.

Në procesin e një gjuhe lozin një rol shumë të madh njerëzit që janë të njohur në publik. Por kush janë ata? Dy janë kategori e njerëzve që lozin rol në gjuhë për t’u imituar nga të tjerët; në gjuhën e përditshme janë politikanët dhe aktorët. Tani politikanët, për fat të keq, për shkak të injorancës përdorin jashtëzakonisht fjalë të huaja për t’i dhënë vetes autoritet duke e shkatërruar kështu një pjesë të gjuhës, gazetarët injorantë që, gjithashtu, shkojnë pas tyre ose edhe një pjesë aktorësh që përdorin të njëjtën gjuhë. Kjo ka sjellë probleme të rënda në Shqipëri. Detyra urgjente është ruajtja e pasurisë së gjuhës shqipe, jo për të rënë në puritanizëm. Ruajtja e pasurisë së një gjuhe është detyrë, është një gjë e shëndetshme në një gjuhë. Ne jemi të detyruar të ruajmë identitetin e gjuhës shqipe, e cila nuk ka nevojë të mbulohet nga një mori fjalësh të huaja të panevojshme. Gjuha shqipe është një makinë e mrekullueshme e të shprehurit, një nga makinat më të përsosura të Europës, nga ana e mundësive të shprehjes. Prandaj, ne s’kemi pse ta prishim këtë makinë për t’u dukur që dimë anglisht, italisht frëngjisht. Ruajtja e pastërtisë së gjuhës që shoqërohet me procesin e pasurimit tregon mjeshtërinë e lartë dhe moralitetin e një kulture.

 

Shkëputur nga libri “Kadare ndryshe”, Mimoza Kelmendi