Trashëgimi

Bukuritë malore shqiptare

 

Parku Kombëtar i Thethit- Ndodhet në një distancë prej 70 km nga qyteti i Shkodrës në zemër të alpeve shqipëtare. Parku në fjalë ka një sipërfaqe prej 2.630 hektarë dhe shtrihet në një lartësi që varion nga 600–2.570 metra mbi nivelin e detit. Bimësia kryesore e parkut përbëhet nga masivet e ahishteve, të cilat zënë 90% të mbulesës drunore. Këtu gjënden ahe shekullorë që kanë diametër 1–1,5 metra. Bimësia tjetër përbëhet nga panja, frashëri, shkoza dhe rrobulli. Këtu ka një përhapje të shumëllojshme të luleve ku për t’u përmendur është Wulfenia e Baldachit, e cila është bimë endemike që rritet vetëm në Theth. Përsa i përket faunës këtu takohen 50 lloje shpendësh, 10 lloje rreptilësh dhe 8 lloje amfibësh. Parku i Thethit përbën habitatin më të populluar në Shqipëri me rrëqebullin (felix lynx), i cili është specie e rrezikuar. Për t’u përmendur janë prezenca e shqiponjës së artë, disa lloje qukapikësh, salamandra alpine si dhe një larmi fluturash. Objekte natyrore atraktive në parkun e Thethit janë ujëvara e Grunasit 25–30 metra e lartë. Pranë të cilës ndodhet shpella e “Birreve me rrathë” e cila është e pasur me galeri, stalaktide e stalagmite. Shpellë tjetër me interes për t’u vizituar është shpella e Arapit. Mjaft interesante janë burimet e ujit të Okolit prej të cilave fillon përroi i Thethit, ku rritet trofta e mermertë. Pranë Nderlyses ndodhet një tjetër ujëvarë interesante. Këto burime gjënden në një lartësi prej 850 metrash mbi nivelin e detit. Zona ka mjaft rreshje dëbore të cilat krijojnë një shtresë të qëndrueshme për 150 ditë në vit. Aktivitetet kryesore që zhvillohen në Theth janë alpinizmi, dhe shumë lloje sportesh dimërore. Çiklizmi malor mund të kryhet nga Kopliku në Theth si dhe nëpër luginën e Shalës. Këtu është i zhvilluar akomodimi në shtëpitë karakteristike të zonës të cilat janë shtëpi guri në çati të tipit alpin. Parku i Thethit bën pjesë në projektin e “Parkut të Paqes” që përfshin një territor midis Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kosovës. 

Razma. Eshtë një prej pikave turistike malore më të frekuentuara nga qyteti i Shkodrës. Razma është një pikë klimaterike malore vetëm 41 km larg nga qyteti i Shkodrës. Ajo ndodhet mbi disa kodra morenike rrëzë malit të Veleçikut 1.725 metra i lartë. Zona është e rrethuar me pyje pishe dhe mështenke. Ajo nuk bllokohet nga dëbora ndaj mbetet e vizitueshme gjatë gjithë vitit. Këtu ofrohet akomodim, ndërsa aktivitetet kryesore janë sportet dimërore, ekskursionet, ngjitjet etj.

Vermoshi. Ndodhet në një distancë prej 95km larg nga qyteti i Shkodrës dhe pikërisht në ekstremin më verior të Republikës së Shqipërisë. Kjo zonë quhet krahina e Kelmendit. Ky emërtim vjen nga fjala latine “Clemens” që do të thotë i urtë, i thjeshtë, i mirë. Mbasi përshkohet një rrugë dramtatike dhe spektakolare nga Shkodra në Vermosh, ky i fundit ngrihet në një fushë malore të krijuar nga lumi i Vermoshit në një lartësi prej 1.100 metrash. Në dy anët e luginës ngrihen shpate malesh me pjerrësi të konsiderueshme dhe të veshura me bimësi. Si një pikë alpine Vermoshi shquhet për shtresën e dëborës që zgjat deri në afro 100 ditë në vit. Zona ofron mundësi të shumta për ngjitje malore, eksplorim nëpër luginat e thella alpine, speleologji, gjuetinë e troftës etj.

Valbona  Lugina e Valbonës shtrihet në pjesën lindore të Alpeve Shqiptare. Ajo është një prej zonave natyrore më të bukura të Shqipërisë, e shpallur park kombëtar dhe zë një sipërfaqe prej 8,000 hektarësh. Valbona gjendet 25 km larg nga qyteti i Bajram Currit dhe është qendra kryesore e banuar e luginës. Duke eksploruar ketë luginë do të shikoni kanionin e Shoshanit si dhe fshatrat alpine të Dragobisë, Selimajt dhe Rragamit. Këtu mund të akomodoheni në strukturat e tipit “hane”. Mundësira të shumta për ngjitje malore, peshkim sportiv në lumin e Valbonës etj.

Parku Kombëtar i Lurës. Ndodhet në rrethin e Dibrës në një distancë prej 55 km nga qyteti i Peshkopisë. Në fakt rruga më e përshtatshme për të mbërritur aty është nëpërmjet anës tjetër nga Kurbneshi, distancë me të cilin është 30 km. Parku i Lurës ka një sipërfaqe prej 1.280 hektarësh dhe shtrihet në një lartësi që varion nga 1.350 deri 1720 metra mbi nivelin e detit, në faqen lindore të malit Kunorë e Lurës. Objektet më atraktive të parkut jane kompleksi i 14 liqeneve akullnajore (prej të cilëve 7 kanë ujë gjatë gjithë vitit) të cilët kanë një bukuri të veçantë midis pyjeve masivë dhe të vjetër. Këto liqene gjenden në lartësinë 1.600 metra mbi nivelin e detit dhe kanë një sipërfaqe të përgjithshme prej 100 hektarësh. Liqenet kryesore janë liqeni i Madh me 32 hektarë, liqeni i Pishës 13 hektarë, liqeni i Zi 8 hektarë dhe ai i Luleve me 4 hektarë. Ky i fundit shquhet për bukuri të veçantë mbasi me verë sipërfaqja e tij mbulohet me zambakë të bardhë uji dhe pasqyra e tij i ngjan një lulishteje. Në dimër sipërfaqet e këtyre liqene ngrijnë. Bimësia e parkut përbëhet nga pyjet e vjetra të ahut. Aty rriten edhe drurë të tjerë si rrobulli, pisha e zezë, bredhi, arneni i bardhë dhe i kuq, panja etj. Fauna përfaqësohet nga ariu i murrmë, rriqebulli, dhia e egër, kunadhja, kaprolli. Nga shpendët gjeli i egër, bufi, mëllenjat etj. Aktivitetet kryesore që zhvillohen në parkun e Lurës janë eko –turizmi, sportet dimërore, alpinizmi, hipizmi i cili zhvillohet në livadhin e quajtur “Fusha e pelave”, i cili gjendet në pjesën jugore të parkut me një sipërfaqe prej 18 hektarësh.