Trashëgimi

Geraldina, “Trëndafili i bardhë” i shqiptarëve - Nga Klodi Stralla

Klodi Stralla

Me rastin e 20 vjetorit të kthimit në Atdhe të familjes mbretërore shqiptare të para luftës, nesër, në Tiranë, tek bulevardi që mban emrin “Zogu I-rë” do të përurohet shtatorja e mbretëreshës Geraldinë, konteshës hungareze që e lidhi fatin e jetës të vet me Shqipërinë dhe shqiptarët.

Nuk mbretëroi më shumë se 1 vit, ndersa 63 vite të jetës i kaloi në ekzil. Mbërriti në Shqipëri më 28 Qershor 2002 dhe vdiq në Tiranë me 22 Tetor të atij viti.

Një figurë dinjitoze që, vetëm kjo do të mjaftonte për ta nderuar e respektuar, ndonëse ajo nuk ishte vetëm një bashkëshorte dhe nënë shembullore, por njëherazi edhe një veprimtare aktive në drejtim të emancipimit të popullit shqiptar dhe veçanërisht të femrës shqiptare. Me iniciativën dhe përkujdesin e drejtpërdrejtë të saj u hodhën themelet e Materniteti të ri të Tiranës (1937), qe sot mban emrin e saj, si dhe të të parit Stacion radiofonik të vendit, Radio Tirana (1938).

Në një intervistë të fundit të saj (2002), disa muaj para vdekjes, ajo do të shprehej:

“Unë jam shqiptare prej ditës që kam shkelë për herë të parë në tokën shqiptare. Kjo më ka dhënë gjithmonë një krenari dhe besim për Shqipërinë dhe shqiptarët tonë të dashtun. Që kur erdha ma së parit në Shqipëri, në Dhjetorin e vitit 1937 unë u befasova nga ky vend i mrekullueshëm, nga njerëzit e saj trima, të besës e krenarë për emrin që mbajnë se janë shqiptarë. Unë e kam thënë edhe ma parë në një libër, që është shkruar për mua nga shkrimtarja franceze zonja Josephine Dedet në Paris në vitin 1996 dhe që është përkthyer tani vonë në Tiranë (vitin e kaluar), por po them edhe për gazetën tuaj, se për t'i vlersue shqiptarët, duhet t'i njohësh mirë ata në vendin e tyre, në Atdheun e Shqipeve. E pra, unë atje i takova të gjithë shqiptarët dhe i njoha të gjithë shqiptarët. Nuk ishte vetëm Kurora Mbretërore që na bashkoi zemrat, por ishte dhe vazhdon me qënë dhe sot e kësaj dite bashkë, dashuria e madhe për Atdheun dhe krenaria për flamurin Kombëtar Shqiptar, për Atdhenë, për atë vend të mrekullueshëm. Me kët rast po ju tregoj se e kam mësuar gjuhën shqipe vetëm për dy muaj dhe këtë e kam treguar ma së mirit kur kam pasë rast të flas edhe para mikrofonit të Radio Tiranës. Martesa ime me Mbretin Zog I ka qënë ngjarja ma e rëndësishme e jetë sime të dashtun. Ai vetë ishte një shëmbull i pakrahasushëm se si punonte dhe sa sakrifikonte për popullin shqiptar. Jo vetëm në kohën kur ishim bashkë në Shqipëri punonte, por edhe në egzil ai s'pushoi së punuarit për Atdheun e tij. Tashmë dihen takimet dhe korespondecat e Tij me presidentin amerikan Rusvelt, me Kryeministrin e Britanisë së Madhe, Çurçill, e me presidentin francez De Gol. Po jo vetëm me këto, por dhe me të gjitha Mbretërit e asaj kohe të Europës dhe Mesdheut e Azisë deri në Amerikën e Jugut, Afrikë e Australi”.

©Klodi Stralla